1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vonesa në hapjen e varrezës masive të Rashkës

30 Qershor 2010

Në Kosovë besojnë se autoritetet e Serbisë shumë shpejt do të fillojnë gërmimet në Rashkë të Serbisë. Aty besohet se në një varrezë masive gjenden trupat e 250 shqiptarëve të Kosovës.

https://p.dw.com/p/O6Wf
Vladimir Vukcevic, prokurori serb për krimet e luftës
Vladimir Vukcevic, prokurori serb për krimet e luftësFotografi: AP

Zyrtarë të Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të zhdukur akoma janë në pritje për të marrë ftesë zyrtare nga ana e autoriteteve të Serbisë, për të qenë të pranishëm në hapjen e varrezës masive në Rashkë të Serbisë, ku besohet se gjenden trupat e 250 shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës së Kosovës. Në fillim të muajit maj, prokuroria për Krime të Luftës e Serbisë, deklaroi se në Rashkë në jug të Serbisë ndodhen trupat e 250 shqiptarëve. Dhjetë ditë më vonë, prokuroria serbe dha urdhërin për nisjen e procedurave ligjore për hapjen e kësaj varreze masive, mirëpo, që nga ajo kohë nuk ka pasur ndonjë informacion mbi ecurinë e këtij procesi. Zëdhënësja e prokurorisë serbe për krime lufte, Jasna Sharcevic, i tha DW, se procedurat që do të çojnë në hapjen e kësaj varreze masive janë në vazhdim.

“Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX dhe rasti i Rashkës në këtë moment është në procedurë të hetimeve dhe tash për tash nuk mund të them një datë të saktë se kur do të fillojnë gërmimet në këtë varrezë masive”, tha Jasna Sharcevic.

Zyrtarë të misionit EULEX, të cilët janë në kontakt me prokurorinë serbe thonë se thonë se ata janë pritje të hapit tjetër të Beogradit. Ata thonë se rasti i Rashkës për EULEX-in është shumë i rëndësishëm dhe inkurajojnë autoritetet që të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundshme për të gjetur të vërtetën. Ndërkohë, Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar të Kosovës për persona të zhdukur, shprehet optimist se prokuroria serbe shumë shpejtë do të jap urdhër për hapjen e kësaj varreze masive.

“Kam një optimizën që në të vërtetë aty do të bëhet gërmimi. Mirëpo, paraprakisht për të qenë krejt të sigurt ne po përpiqemi të sigurojmë një hulumtim gjeofizik, të lëvizjes së dheut në mënyrë që të jemi të sigurt për lokacionin e saktë”, thotë Prenk Gjetaj.

Mediat: hapja e varrezës së Rashkës vonohet qëllimisht

Sipas tij edhe në vitin 2007 është dyshuar për këtë varrezë masive, mirëpo, është hulumtuar në lokacion të gabuar, ndërsa, kësaj radhe ata nuk dëshirojnë të gabojnë.

Mediat në Kosovë shkruajnë se prokuroria e Serbisë qëllimisht po vonon procedurat për hapjen e varrezës masive në Rashkë dhe nuk dëshiron të fillojë gërmimet derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinion e saj rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Prenk Gjetaj thotë se kjo mund të jetë një lojë, mirëpo, ai dëshiron t'u besojë deklaratave zyrtare nga prokuroria e Serbisë se varreza masive të Rashkë do të hapet.

“Zyrtarisht nuk kemi ndonjë informacion për ndonjë pengesë. Unë mund t'u referohem deklaratave të zëvëndësprokurorit të Serbisë për krime luftë, Bruno Vekaric, i cili ka thënë se kjo varrëzë masive do të hapet me çdo kusht”, thotë Prenk Gjetaj.

Zyrtarë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, të cilët që nga paslufta kanë ndihmuar në kontaktet e palës serbe dhe asaj kosovare për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur, i thanë DW se ky mekanizëm tash për tash nuk është i përfshirë në rastin e varrezës masive në Rashkë, mirëpo, ata janë të gatshëm të ndihmojnë në aranzhimin e takimeve të tjera, nëse një gjë e tillë kërkohet nga ta. Gjatë kësaj jave Komisioni qeveritar i Kosovës për persona të zhdukur do të kenë një takim me prokurorët e misionit EULEX. Nga ta Komisioni do të kërkojë informata shtesë se si do të veprohet më tutje, në mënyrë që mos të ketë vonesa në hapjen e varrezës masive në Rashkë të Serbisë, ku besohet se gjenden trupat e 250 shqiptarëve të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi