Von der Leyen: Mot i bukur në Varshavë | Evropa | DW | 26.07.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Von der Leyen: Mot i bukur në Varshavë

Pas Parisit, Varshava është kryeqyteti i dytë që viziton Ursula von der Leyen që nga zgjedhja e saj si Presidente e Komisionit Evropian. Ajo përpiqet të hedhë një urë, që duket e jashtëzakonshme. Një vizitë diplomatike.

Rrallë herë është parë kryeministri Mateus Morawiecki kaq i qetë, gati i shkëlqente fytyra, si pas bisedës me Presidenten e ardhshme të Komisionit të BE. Pak para bisedës, Ursula von der Leyen vërtet kishte lënë të kuptohet se kishte çështje, për të cilat nuk ka dakordim, si dhe nga ato, në të cilat kishte "dallime". Në to bëjnë pjesë çështja e sundimit të ligjit dhe politika e migrimit. Por ajo u mjaftua me këtë fjali të thënë kalimthi.

Komisioni Evropian ka nisur procedura të ndryshme juridike kundër Polonisë, duke përfshirë një procedurë që mund të rezultojë në humbjen e së drejtës së votës. Me Ursula von der Leyen-in qeveria polake lidh shpresa. Varshava pret një lloj fillimi të ri nga Evropa.

Që kur u emërua me ndihmën e qeverisë polake dhe më në fund u zgjodh, von der Leyen-i paraqitet në Poloni si një lloj "kalorëse e bardhë", e cila mund të zgjidhë të gjitha konfliktet e ngrira të Evropës, e cila thjesht e kupton më mirë Lindjen. Mediat proqeveritare theksojnë me dëshirë qëndrimin e saj kritik ndaj Rusisë, angazhimin e saj për më shumë përpjekje në fushën e mbrojtjes.

Nganjëherë, duket se ajo është gjithçka në të njëjtën kohë: në një kohë që komentuesit e krahut të djathtë, duke u nisur nga numri i madh i fëmijëve të saj, nxjerrin në pah se ajo ka pikëpamje konservatore, autorë liberalë të majtë theksojnë se von der Leyeni është shembulli më i mirë se mund të besosh edhe te Zoti, edhe të luftosh për të drejta të barabarta për të gjithë.

Klimë e mirë

Prej disa ditësh, mediat në Poloni pyesnin, nëse zonja von der Leyen do të sillte në kryeqytetin polak po aq klimë të mirë diskutimesh sa në Bruksel. Mot të mirë Ursula von der Leyeni solli në Varshavë; temat irrituese ajo i shmangu. Para takimit, von der Leyeni tha se donte të fliste me Morawieckin, ndër të tjera rreth zhvillimit të qëndrueshëm, aspekteve të zhvillimit dhe të sigurisë.

Të gjithë e dinin duhet të përballen me ndryshimet klimatike dhe të lënë trashëgim një tokë të pastër. "Por për këtë edhe duhet t'i bësh për vete njerëzit. Do të nevojiten shumë investime dhe prandaj po krijojmë një fond transformimi të drejtë për rajonet e prekura veçanërisht."

Pas bisedës, Kryeministri Morawiecki i tha shtypit se ata do të punonin së bashku për të ndërtuar një "Europë të kompromisit" gjatë viteve të ardhshme. Edhe çështje personeli u diskutuan: Për Poloninë është veçanërisht i rëndësishëm një komisioner në sektorin ekonomik.

Shpresa polake

Von der Leyen-i pozicionohet si ndërmjetëse midis BE "të ri" dhe "të vjetër", thotë Adam Szostkiewicz, një gazetar nga gazeta e përjavshme "Polityka" në bisedë me DW. "Mund ta lexosh si marrje të një kredie të besimit politik, si përpjekje për kompromis dhe për unitet në të gjithë BE", shton gazetari.

Në një intervistë për Süddeutsche Zeitung, von der Leyeni foli, për shembull, për më shumë mirëkuptim për Poloninë dhe Hungarinë në aspektin e sundimit të ligjit. "Të gjithë ne duhet të mësojmë se sundimi i plotë i ligjit është gjithmonë qëllimi ynë, por askush nuk është perfekt", tha von der Leyen"

Ai që shikon më me kujdes, e kupton shpejt: fjalët e von der Leyens-it janë gjeste që nuk kushtojnë shumë - dhe kjo mund ta ndihmojë qeverinë në Varshavë, që të braktisë pozicione që nuk i mban dot, duke e ruajtur fytyrën.

Von der Leyen "përcakton në mënyrë inteligjente kushtet, me të cilat ndoshta mund të bëhen kompromise", i tha ministri i Evropës, Konrad Szymanski gazetës Rzeczpospolita. Për sundimin e ligjit, përveç "parjes me objektivitet", ajo deri tani ka ofruar vetëm një mekanizëm verifikimi për të gjithë në BE, i cili shqyrton rregullisht sundimin e ligjit në të gjitha vendet e BE, në mënyrë që pyetjeve t'u përgjigjen jo vetëm dy dele të zeza nga Lindja, nga Polonia dhe Hungaria.   

Por a do ta shfrytëzojë shansin qeveria e PiS? A do të thotë një "Evropë e kompromiseve" edhe kompromise të PiS me politikën ndaj drejtësisë, në reformën më të rëndësishme, pa të cilën, sipas kreut të partisë Kaczynski, çdo gjë tjetër nuk do të kishte kuptim? Për këtë flasin pak gjëra.

Deri në nisjen zyrtare të detyrës nga von der Leyen do të jenë marrë dy vendime: nga njëra anë, vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për aspektet kyçe të reformës juridike - dhe nga ana tjetër, zgjedhjet parlamentare në Poloni në tetor, në të cilat PiS, partia në pushtet, shpreson të arrijë një shumicë absolute.

Më e vonta në vjeshtën e hirtë do të marrë fund faza e motit të bukur  - kur të bëhet fjalë për gjëra konkrete, për para, për parime, për atë, që thirrjet për kompromis, të pasohen nga zgjidhje të vërteta.