Von der Leyen: Dialogu, rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës | Ballkani | DW | 29.09.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Von der Leyen: Dialogu, rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës

Kryetarja e KE, Ursula von der Leyen, tha në Prishtinë se është e shqetësuar për krizën në veri të Kosovës. Në Bruksel faktori ndërkombëtar po ndërmjetëson një takim Kosovë-Serbi pikërisht për situatën në veri.   

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, tha në Prishtinë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Ajo tha se është e shqetësuar për situatën në veri, prandaj sipas Von der Leyen, është jetike që të ndodhë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi. Këto komente, kryetarja e Komisionit Evropian i bëri gjatë qëndrimit në Kosovë, në kuadër të turnit të saj Ballkanit, dhe pas takimeve që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

"Jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është me rëndësi që të shtensinohet situata dhe të kthehemi në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, dhe e vetmja mënyrë për këtë është përmes dialogut të lehtësuar nga BE, që është platforma e vetme për zgjidhjen e krizës aktuale”, tha Von der Leyen, në një konferencë  për medie. Ajo tha se mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje për situatën aktuale në veri është dialogu në Bruksel.

"Është më rëndësi që të ecim përpara në rrugën evropiane dhe ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi”, tha von der Leyen.

Kurti: Serbia reagoi me forcë, me tanke dhe avionë rusë

Kryeministri Albin Kurti, nga ana e tij, tha ta ketë njoftuar për së afërmi Ursula von der Leyen-in për vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa të veturave të Serbisë, të cilin nuk e quajti vendim të ri.   

"E njoftova për gjendjen në vendkalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinë, se ne nuk kemi marrë vendim të ri, por vetëm po e zbatojmë një dakordim të mëhershëm. Fatkeqësisht, Serbia reagoi me forcë, duke përfshirë edhe tanke, automjete të blinduara e luftarake. Përveç këtyre ka angazhuar aeroplanë ushtarakë të prodhimit rus”, tha Albin Kurti, duke kërkuar që siҫ tha “të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinë pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës, e ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë”.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj, pas takimit me kryetaren e Komisionit Evropian, tha se "Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor siҫ është (reciprociteti në targa të veturave) dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë“.

Osmani tha se"një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit”. Ajo i kërkoi faktorit ndërkombëtar "të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim”.

Presidentja e Kosovës tha po ashtu se ia kujtoi von der Leye edhe njëherë që "Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i mbajë premtimet ndaj Kosovës dhe që shtetet anëtare të BE-së ta respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian”.

Bislimi dhe Petkoviç takohen në Bruksel

Sidoqoftë, në dritën e zhvillimeve në veri të Kosovës, të mërkurën në Bruksel dy kryenegociatorët, ai i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviç, u takuan ndarasi me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar. Ky i fundit, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, tha se "ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës”.

"Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar, duke shtuar se "duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t'i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura”.

E mërkura e datës (29.09) shënon ditën e dhjetë të bllokadës së rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Banorët lokalë serbë në shenjë proteste me masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia të vendosur nga Qeveria e Kosovës, po mbajnë të bllokuara rrugët me kamionë dhe  vetura.