Vlerësime dhe kritika për globalizimin | Bota | DW | 25.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vlerësime dhe kritika për globalizimin

Kancelarja gjermane Angela Merkel hapi të mërkurën më 24 janar Forumin e Ekonomisë Botërore, ku marrin pjesë qindra politikanë dhe menaxherë

Angela Merkel në Forumin e Davosit

Angela Merkel në Forumin e Davosit

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, beri thirrje në Davos që të shfrytëzohen shanset e globalizimit dhe të shmangen edhe pengesat e tjera në tregtinë ndërkombëtare. Njëkohësisht ajo tërhoqi vëmendjen dhe për anët negative të këtij procesi.

Angela Merkel në Davos nuk foli në funksionin e saj si kryeministre, por si presidente e radhës së Këshillit të BE-së dhe si kryetare e grupit G8. Në këtë rol asaj gjashtëmujorin në vazhdim do t´i duhet të merret me temën kryesore të forumit në Davos, konkretisht me raportet në ndryshim të forcave në botë: "Sfida është, se të ambjentuarit, trashëgimitë dhe të drejtat statike nuk janë më garanci për suksesin. Hierarkitë e vjetra po ndryshojnë dhe bota është sheshuar, siç e përshkruan publicisti amerikan Tomas Friedman. Burimet, potencialet dhe pushteti mund të ndryshojnë krejtësisht brenda natës."

Në Gjermani dhe në Evropë këto ndryshime deri tani shpesh herë janë shoqëruar me shkurtimin e vendeve të punës dhe transferimin e ndërmarrjeve. Pjesë të mëdha të popullsisë nuk shohin shans tek globalizimi, këtë e di edhe Angela Merkeli: "Shpresat për njërën palë presupozojnë shqetësime dhe frikëra për palën tjetër. Ne si politikanë i njohim këto frikëra shumë mirë ndaj duhet që të bëjmë gjithçka për ta konceptuar globalizimin edhe politikisht. Ne nuk duhet të harrojmë pikërisht këtë aspekt të këtij procesi, sepse njerëzit presin prej nesh dhe shtrojnë pyetjen: nëse globalizimi po konceptohet në mënyrë njerëzore."

Të dish të veprosh ndaj pasojave të globalizimit, pikërisht kjo është sfida për evropianët sipas Merkelit. Por ky problem mund të përballohet vetëm me vendosmëri: "Me rregullat që ka sot Evropa nuk është e aftë të veprojë si duhet. Ndaj unë jam e bindur, që procesi evropian i bashkimit ka nevojë tani për një kornizë kushtetuese që t´u përgjigjet sfidave të reja. Ne e dimë, një Bashkimi Evropian i zgjeruar nuk mund të realizohet me status-quo."

Si kryetare e radhës së Këshillit të BE-së Merkel do të bëjë ç´është e mundur në mënyrë që procesi i kushtetutës evropiane të rigjallërohet. Në qershor synohet të paraqitet një plan kohor, theksoi Merkel. Për këtë është e nevojshme, që qytetarët të rifitojnë besimin tek Evropa. Evropa mund të ketë sukses vetëm, nëse ajo u tregon konkretisht qytetarëve të saj, se edhe në të ardhmen ajo mund të sigurojë mirëqënie dhe stabilitet.

  • Data 25.01.2007
  • Autor Paskal Lechler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJa
  • Data 25.01.2007
  • Autor Paskal Lechler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArJa
Reklamë