1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontaktet e Franz Josef Strauss-it me Tiranën

30 Janar 2012

"Më ftuan për të festuar me ta fundin e përpjekjeve të mia" - Intervista që Strauss dha për median gjermane në vitin 1987 pas kthimit nga Shqipëria

https://p.dw.com/p/OBGk
Franz-Josef Strauss ish-kryeministër i Bavarisë
Franz-Josef Strauss ish-kryeministër i BavarisëFotografi: AP

Roli i kryeministrit të famshëm të Bavarisë, Franz-Josef Strauss për vendosjen e marrëdhënieve midis RFGJ-së dhe Shqipërisë është një nga temat e trajtuara disa herë nga mediat shqiptare. Vizita e Straussi-t në Shqipëri ishte një nga kontaktet shumë të rralla me personalitete të rëndësishme perëndimore në Shqipërinë në mes të viteve 80-të. Etja e shqiptarëve për kontakte me botën dhe dëshira për hapjen e vendit, si dhe fakti që media e Shqipërisë në vitet 80-të ishte plotësisht e kontrolluar dhe e censuruar, bëri që kontaktet e Straussi-t me Shqipërinë të vishen shpejt me vellon e një legjende. Këtë sikur e tërhiqte personaliteti i pazakontë i Franz-Josef Strauss-it: si një nga aktorët kryesorë në politikën gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore, i pranishëm personalisht ose me partinë e tij, CSU në shumë qeveri federale, kryeministër shumëvjeçar, shumë popullor dhe i padiskutueshëm i landit të fuqishëm ekonomikisht të Bavarisë; iniciator i zhvillimit të marrëdhënieve të Gjermanisë me një sërë vendesh të Lindjes komuniste;  një personalitet me ambicie personale për sa i përket politikës së jashtme të Gjermanisë.  

Vizita turistike merr karakterin e bisedimeve

Në intervista me mediat e Shqipërisë, i biri i kryeministrit të Bavarisë, Max Strauss ka treguar se udhëtimi në Shqipëri i familjes së tij ishte një vendim që familja e tij e mori, sepse u voliste nga ana logjistike në itinerarin e pushimeve të verës 1984.

Në këtë intervistë të rrallë të kohës (1987), të gjetur në arkiv është vetë Franz Josef Strauss-i që flet  për kontaktin me Shqipërinë. Ai thotë se ishte nisur si turist për të kaluar në Shqipëri, kur e pa veten të përfshirë në bisedime politike. Shqiptarët i shprehën Strauss-it interesin e tyre për marrëdhënie ekonomike.

Interesi i tij ishte që Gjermania të ishte një nga vendet e para të pranishme në këtë vend të pasur me lëndë të para, që po hapej. Strauss-i është pragmatik në marrëdhëniet me Shqipërinë: ai është i ftohtë ndaj ideologjisë së Shqipërisë. Megjithatë kryeministri bavarez u thotë partnerëve shqiptarë që i bie në sy që ata nuk përdorin fjalën „reforma“ por vetëm „përmirësime“ të sistemit. Në 1987 ai konstaton që hapja e Shqipërisë ka nisur, por nuk ka iluzione që hapat do të jenë nën sistemin ekzistues mikroskopikë.  

Strauss: Më ftuan për të festuar me ta fundin e përpjekjeve të mia

Pyetje: Zoti kryeministër, Republika Federale Gjermane dhe Shqipëria vendosën tani marrëdhënie diplomatike. Ju jeni njëri nga politikanët që përpiqen prej një kohe të gjatë për përmirësimin e marrëdhënieve. Pse e keni bërë këtë, pse pikërisht me Shqipërinë, e cila është krenare të konsiderohet trashëgimtare e vetme e vërtetë e kursit leninist-stalinist?

Franz-Josef Strauss: Për çështje ideologjike...duhet të kujdesemi këtu më pak. Sepse pastaj shtrohet pyetja se kush e ka kursin e drejtë marksist-leninist: BS, RDGJ apo Hungaria. Shqipëria ka përfytyrimet e saj, domethënë udhëheqja shqiptare. Por që prej fundit të Luftës së II Botërore nuk ka marrëdhënie diplomatike midis RFGJ-së dhe Shqipërisë. Kur në vitin ‚84 unë erdha në Shqipëri, si turist kujtoja, unë u përfshiva edhe në biseda politike. Unë munda t'i bind partnerët shqiptarë të bisedimeve, se marrëdhëniet diplomatike, pavarësisht si janë sistemet, janë patjetër të mira. Ato nuk varen nga sistemet shoqërore. Doli në pah se ishte interesi i Shqipërisë të lidhte marrëdhënie ekonomike me RFGJ-në. Kjo punë u zgjat një copë të mirë kohe. Në vitin 1986 u arrit hapi i suksesit. Shqiptarët hoqën dorë nga disa kërkesa, të cilat ishin të papranueshme për ne. Dhe pastaj erdhi akti përfundimtar këtë vit. Mua këtë herë më ftuan, në mënyrë që si të thuash në një mënyrë festive dhe ceremoniale, për të festuar me ta fundin e përpjekjeve të mia.

Pyetje: Ju njohët Shqipërinë nën Enver Hoxhën, i cili vdiq në prill 1985. Tani zhvilluat biseda edhe me Ramiz Alinë, me pasardhësin. A mund të thoni në kuadër të këtij udhëtimi të shkurtër se çka të vërtetë në këto përpjekje për reforma politike dhe ekonomike?

Franz-Josef Strauss: Partnerët tanë të bisedimeve nuk e përmendën fjalën reformë, gjë të cilën unë e vërejta, por ata folën për përmirësime: përmirësime të sistemit të tyre, përmirësime të efikasitetit të këtij sistemi. Si i huaj këtu bën mirë që të qëndrosh sa të jetë e mundur i rezervuar, që të mos u japësh atyre këshilla. Unë besoj se hapja e Shqipërisë tani ka filluar, por se ajo do të kryhet në hapa të vegjël, mikroskopikë.

Është më mirë të jesh i pranishëm që në orën e parë se sa të humbasësh rastin

Pyetje: T'u kthehemi marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare. Vëllimi i shkëmbimeve tregtare është shumë i vogël, edhe nëse është dyfishuar, nëse jam i saktë që prej 1975. RFGj është partneri i dytë për nga rëndësia për Shqipërinë. Ku konsistojnë problemet në rrugën e një përmirësimi të mëtejshëm?

Franz-Josef Strauss: Shqipëria e ka mbyllur veten në një masë të madhe ndaj ambjentit përreth. Shqipëria nuk është në gjendje, për shkak të kushtetës së saj, as të pranojë kredi eksporti. Tregu është natyrisht i vogël, tani kemi të bëjmë vetëm me tre milionë vetë. Megjithatë, para 40 vjetëve kemi pasur vetëm 1 milion njerëz. Ne nuk ka pse të presim këtu tregun e madh, me përfundim marrëveshjesh të mëdha. Por ne jemi që prej orës së parë të pranishëm. Shqipëria ka rezerva të konsiderueshme lëndësh të para, lëndë të para që për ne janë të domosdoshme, si për shembull krom. Shqipëria nga ana tjetër ka nevojë për mallra industrialë, ka nevojë për modernizimin e bujqësisë, për modernizimin e transportit. Ka nevojë edhe konsulencë teknike për shfrytëzimin e lëndëve të para. Është më mirë që të jesh i pranishëm që në orën e parë, se sa të thuash më vonë që e ke humbur rastin. Edhe nëse tregu është i vogël - që të thuash se ne qendrojmë të rezervuar për madhësi të vogla, sa nuk preokupohemi për to – kjo do të ishte mënyrë e gabuar të menduari.

Pyetje: Ju thatë që kushtetuta e Shqipërisë e ndalon pranimin e kredive të huaja. Si mund të funksionojë në këtë kuadër një ndihmë nga bota e jashtme, ajo që mbetet është vetëm tregtia reciproke.

Franz-Josef Strauss: Biznes reciprok ose në vend të kredive pagimi si të thuash mund të përfshihet në çmim. Në një rast të tillë, financimi i kredisë vetëm zhvendoset.

Pyetje: Shqipëria vazhdon të kundërshtojë bashkëpunimin me dy fuqitë e mëdha, me SHBA dhe me BS. Nga pikëpamja pragmatike, gjermane a nuk duhet të përshëndetet madje ky refuzim bashkëpunimi, sepse si gjerman arrin të bësh kështu biznese më të mira?

Franz-Josef Strauss: Besoj se po ta shikosh kështu, kaq i madh nuk është biznesi me Shqipërinë, sa të gëzohesh që ata nuk kanë marrëdhënie me SHBA dhe me BS. Me BS ata vazhdojnë t'i refuzojnë në mënyrë radikale marrëdhëniet diplomatike, për shkak të përvojave të këqia që thonë se kanë pasur. Por nëse ata e refuzojnë apo e pranojnë bashkëpunimin me ta, për këtë mund të jemi indiferentë, kjo është punë e tyre, jo e jona.

Autor: BR/ Auron Dodi 

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora