Vizita e Shteinmajerit në Lindjen e Mesme ishte në kohën e duhur | Studimi në Gjermani | DW | 05.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vizita e Shteinmajerit në Lindjen e Mesme ishte në kohën e duhur

Në morinë e temave që komentohen në shtypin e sotëm veçojmë zëra rreth vizitës së ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Frank-Valter Shteinmajer në vendet e Lindjes së Mesme si dhe mbi deklaratën e Sekretarit të Pëgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan lidhur me Irakun.

Steinmeier në Siri

Steinmeier në Siri

Gazeta e Bonit "General Anzeiger" komenton vizitën e ministrit të jashtëm në Lindjen e Mesme:

"Ministri i jashtëm gjerman zhvilloi një tur të ri vizitash në Lindjen e Mesme, presidenti i Egjiptit dhe kryeminstri i Izraelit do të vijnë gjatë ditëve të ardhshme në Berlin. Ky kalendar bën një gjë të qartë: Qeveria gjermane më 1 janar, jo vetëm si presidente e radhës në BE, do të jetë bashkëpërgjegjëse për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Pavarësisht nga afërsia emocionale me Izraelin, ajo konsiderohet në këtë rajon të krizës, si një partner me prestigj për të gjitha palët e konfliktit. Për shkak të kësaj aftësie dialogimi, nga Berlini pritet shumë, gjë që duket se do t´i tejkalojë gjashtë muajt e presidencës në BE, sepse pasuesit Portugalia dhe Sllovenia nuk ofrojnë një profil të ngjashëm për zgjidhjen në Lindjen e Mesme."

Komentatori i "Neue Westfälische", gazeta kjo e Bielefeldit, ndalet tek vizita e Shteinmajerit në Siri:

"Deri më sot Siria nuk ka luajtur ndonjë rol në shërbim të paqes. Për presidentin e ShBA, Xhorxh Bush, ky vend bën pjesë në perandorinë e së keqes. Ky përkufizim nuk i ka shërbyer askujt. Ndaj duhet parë se nën çfarë kushtesh Asadi do të ishte më kooperativ. Shembulli i Libisë tregon, se është i mundshëm ndryshimi i pozicioneve në Lindjen e Mesme. Mjafton që të interesohesh për çmimin dhe interesat. Partnerët e aleancës mezi e presin raportin e Shteinmajerit."

Ndërsa "Wetzlarer Neue Zeitung" vëren:

"Përvoja na mëson, se shpresat për përparime të shpejta në Lindjen e Mesme nuk duhet të jenë shumë të mëdha. Megjithatë vizita e Shteinmajerit erdhi në kohën e duhur. Gjermania më 1 janar merr presidencën e BE-së. Qëllimi i shpallur është rifillimi i bisedimeve për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Nëse Siria i përmbush kushtet e Perëndimit, ajo do të ulet në tryezën e bisedimeve."

Po mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i "Reutlinger General-Anzeiger":

"Eshtë shumë e rëndësishme që presidenti i Sirisë Asad të involvohet në përgjegjësinë për paqen. Ndonëse tani s´ka ndonjë luftë në nxehtë, i gjithë rajoni është rrezikshëm i paqëndrueshëm. Iraku, Irani, Libani, Siria, Izraeli dhe palestinezët, të gjithë janë të varur nga njëri tjetri. Pavarësisht nga vlerësimi për diplomacinë e Shteinmajerit, në përgjithësi kërkohet angazhimi i evropianëve, e në radhë të parë i OKB-së e kuptohet edhe i ShBA. Megjithatë amerikanët, kështu duket, preferojnë më shumë që të tërhiqen fshehurazi nga aferat ndërkombëtare të shkaktuara prej tyre."

Iraku dhe një deklarim i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, janë tema tjetër e përzgjedhur për pasqyrën e shtypit.

Ja se çafrë shkruan "Pforzheimer Zeitung":

"Përpara gjithçka ka qenë më mirë. Këtë përshtypje të krijon Kofi Anan, kur ai me shumë seriozitet pretendon, se në kohën e Sadamit, irakiani i zakonshëm ka mundur të dalë i shpenguar në rrugë. Ky krahasim nuk duhet të zihet në gojë nga një Sekretar i përgjithshëm i OKB-së. Kjo pasi Anani të ngjall dyshimin, sikur dëshiron ta zbukurojë postum regjimin e terrorit në Irak. Marrëdhëniet mes shtëpisë së bardhë dhe OKB-së janë përtokë qysh pas ndërhyrjes me kokën e vet të amerikanëve në Irak. Kjo është fatale, sepse të dyja palët pikërisht në Irak kanë nevojë për njëra-tjetrën. Kofi Anan me krahasimin e tij të pavend i ka përkeqësuar edhe më tej marrëdhëniet duke e dëmtuar organizatën e vet. Por më së shumti ai ka dëmtuar vetveten."

Dhe së fundi një vlerësim na komentatori i "Badische Neueste Nachrichten":

"Ta kërkosh tani fajin për situatën e mbetur në vendnumëro tek qeveria e ShBA, që i dërgoi ushtarët e vet pa një koncept politik për luftë në epokën pas Sadamit, është e kotë. Më e përshtatshme do të ishte për OKB-në si kryembrojtëse e paqes, që të ndihmonte në kërkimin e strategjive për zgjidhje. Me veprimtari debatimi nuk mund t´u ndihmohet njerëzve në Bagdat dhe në Basra, që u duhet të jetojnë me frikën e përditshme prej atentateve me lëndë shpërthyese."

  • Data 05.12.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Armf
  • Data 05.12.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Armf