Vizita e Papa Benediktit XVI në atdhe në qendër të shtypit të huaj | Studimi në Gjermani | DW | 21.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vizita e Papa Benediktit XVI në atdhe në qendër të shtypit të huaj

Papa Benedikti XVI në Ditën Botërore të Rinisë dhe vizita e tij historike në sinagogën e Këlnit, kjo temë shquhet ndër temat e tjera të shtypit të huaj të javës që po mbyllet.

"Lohengrin në qytetin e karnevaleve" titullon gazeta italiane La Republica dhe shkruan mbi vizitën e Papës në Këln:

"Lumi i Rinit dukej si lumi i Gangut me qindra mijëra të rinjtë që ishin ngjeshur me njëri-tjetrin në brigjet e lumit dhe me mijëra të tjerët që ishin futur në ujë deri në brez për t'ia bërë me dorë Papës. Dhe Ratzingeri, Lohengrini i ri, lundron me një katamaran drejt katedrales së Tre Mbretërve për të përcjellë mesazhin e tij shpëtimtar. Duhej Këlni, qyteti i humorit të mirë, i karnevaleve, i "romakizmit" dhe i fantazisë renaniane për të shfaqur një mbërritje Pape nga më spektakolaret në historinë e Ditëve Botërore të Rinisë.

Si thuajse të gjithë komentuesit londinezja Independent bën një krahasim me Papa Gjon Palin II:

"Nuk është e lehtë të jesh pasues i Papa Gjon Palit të II. Papa Benedikti XVI i ditur nuk ka të njëjtën fuqi tërheqëse vetjake e prandaj Dita Botërore e Rinisë përbën për të një sfidë të veçantë. Por kur ai shkeli tokën gjermane pati një sinjal të parë se ai ka stilin e vet. Ai nuk puthi si paraardhësi i tij tokën, por shkoi me hap të vendosur drejt delegacionit pritës."

Edhe gazeta Dernieres Nouvelles d'Alsace që botohet në Strasburg bën një retrospektivë:

"Gjon Pali II përcillte një spontanitet dhe fuqi që la gjurmë tek njerëzimi përtej kufijve të kishës katolike, sepse në brendësi të shpirtit ai ishte aktor, ai kishte një dashuri të madhe për teatrin. Joseph Ratzinger-it do ti duhet fillimisht t'i bindë njerëzit se do ti qëndrojë besnik punës së Karol Wojtylës. Benedikti XVI ka dhënë shpesh herë të kuptohet se nuk do ta kopjojë paraardhësin e tij. Gjatë mbërritjes në Gjermani ai nuk e puthi dheun e as nuk dukej shumë i lirshëm, megjithëse për një 78 vjeçar linte një përshtypje dinamike. Kjo vetëpërmbajtje përputhet me temeramentin e tij, por mund të kthehet në disavantazh për kishën katolike, e cila ishte në gjendje ta kompensonte rënien e saj në Evropë dhe njëfarë opozite ndaj qëndrimeve të saj falë popullaritetit të jashtëzakonshëm të Papës së vet të kthyer në yll.

Spanjollja El Pais mendon:

"Papa Benedikti XVI është ende i panjohur. Mbi teologun Joseph Ratzinger dhe prirjen e tij për konservatorizëm dihet thuajse gjithçka, por si Papë ai nuk ka botuar ende enciklikë e nuk ka paraqitur ende plane për pontifikatin e tij. Derisa pontifikati i Papa Gjon Palit II nisi me një stuhi veprimtarish, Vatikani duket se ka ngrirë tani në pasivitet. Katolicizmi gjerman është shumë më i përparuar se kisha që la Gjon Pali II. Ipeshkvijtë gjermanë nuk kanë shumë të përbashkëta me ata të vendeve të tjera evropiane. Ratzingeri duhet të ndihet i huaj në vendin e vet."

Komentuesi i gazetës Il Messagero vlerëson paraqitjen historike të Papës Benedikt XVI në sinagogën e Këlnit:

"Përkufizimi i holokaustit nga Benedikti XVI në Këln si "krim i paparë", i ngjan dënimit të bërë nga Papa Wojtyla. Por në disa aspekte ky dënim është edhe më domethënës, sepse fjala është për një Papë gjerman, i cili në atdheun e tij Gjermani, ku ndodhi përndjekja më e keqe e të gjitha kohërave e hebrenjve, viziton një sinangogë dhe dënon antisemitizmin. Kur një Papë polak dhe një Papë gjerman thonë të njëjtat fjalë, atëherë ato kanë detyrimisht domethënie të ndryshme. Në fjalët e Gjon Palit II kishte ende një tingëllim droje, si një jehonë e thellë nga një e kaluar e dhimbshme që mezi harrohet; nga ana tjetër pavarësisht temperamentit të tij të kontrolluar Banedikti XVI duket se ndjen bindjen që kjo e kaluar e tmerrshme duhet t'i dorëzohet historisë."

  • Data 21.08.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruA
  • Data 21.08.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruA