1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë emocionale e presidentit Gauck në Izrael

Autor: Bahri Cani30 Maj 2012

Presidenti gjerman i premtoi Jerusalemit mbështetjen e Berlinit zyrtar në zgjidhjen e konfliktit me Iranin. Por presidenti gjerman paralajmëroi nga shkallëzimi i luftës.

https://p.dw.com/p/1542C
Gauck dhe Peres
Gauck dhe PeresFotografi: Reuters

"Nuk dua të mendoj për skenarët e luftës", theksoi presidenti gjerman Joachim Gauck pas takimit në Jerusalem me homologun e tij izraelit Schimon Peres, duke shtuar se goditja eventuale preventive e Izraelit kundër Iranit ende nuk është në rend dite. Presidenti Joachim Gauck theksoi se ai nuk ka shkuar në Izrael për të ndryshuar qëndrimet e mëparshme për mbështetjen e këtij vendi nga Gjermania.

"Gjermania është vendi i fundit në botë i cili do të heqë dorë nga miqësia dhe solidariteti me Izraelin. Por kjo nuk do të thotë se jemi të një mendimi në të gjitha pikat", nënvizoi Joachim Gauck duke komentuar politikën e ndërtimit të ngulimeve hebreje në territoret palestineze.

Prekja e emocioneve

Gauck dhe Peres
Pritje me nderimet më të larta.Fotografi: Reuters

Dëgjimi i himnit gjerman në Jerusalem është shndërruar ndërkohë në një rutinë. Por edhe kjo vizitë, si shumë vizita të tjera të zyrtarëve të lartë gjermanë në Izrael, po përcillet me shumë emocione. Vizita tek përkujtimorja e Holokaustit në Yad Vashem i emocionon të gjithë, ndërsa për gjermanët është ky një vend shumë i posaçëm. Këtë vend e vizitojnë të gjithë: ministrat, kancelarët, presidentët. Joachim Gauck e ka vizituar këtë vend ku përkujtohet vrasja prej nazistëve e gjashtë milionë hebrejëve edhe një herë para tetë vitesh.

Por edhe pas kësaj vizite të dytë së bashku me bashkëshorten Daniela Schadt ishte shumë i emocionuar. Presidenti dhe bashkëshortja e tij as që u përpoqën të fshehin emcionet - në një vend ku simbolizohen vrasjet e fëmijëve dhe njerëzve të pafajshëm.

Premiera si president

Yad Vashem
Yad VashemFotografi: DW/D.Kaniewski

Vizita e mëparshme e Joachim Gauckut kishte një karakter joformal. Ndërsa tani e përfaqëson Gjermaninë, që do të thotë se ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme. "Vizita në këtë vend është momenti më i prekshëm, sepse kjo vizitë realizohet plot shtatë dekada pas krimeve ndaj popullit hebre", deklaroi Gauck. Para dy vitesh këtë vend e ka vizituar edhe ish-presidenti Christian Wulff së bashku me vajzën e tij Annalena. Me këtë vizitë ai donte të sinjalizonte edhe përgjegjësinë e rinisë për krimet e Holokaustit. Por vizita e Joachim Gauckut shihet me një interes të jashtëzakonshëm sepse mediat izraelite e kanë quajtur atë mëdje si një lloj "Nelson Mandela të Gjermanisë".

Vet Joachim Gaucku pohon se është një mik shumëvjeçar i Izraelit. "Izraeli është një vend në lulëzim, një vend me demokraci stabile", deklaroi ai pas takimit me presidentin Peres. Por Joachim Gauck nuk heziton të flas edhe për temat më të rënda duke theksuar se është "shumë i brengosur" për gjendjen e raporteve me Iranin.

"Irani nuk kërcënon vetëm Izraelin por tërë rajonin. Edhe ne evropianët mund të jemi një objektiv potencial i rreziqeve", thotë ai.

Qëndrimet ndaj Günter Grassit

Presidenti gjerman ka shprehur shumë qartë edhe mendimin e tij për shkrimet e kontestuara të nobelistit Günter Grass, i cili ka kritikuar hapur qëndrimin e shtetit hebre ndaj Iranit.

Bundespräsident Joachim Gauck dhe Daniela Schadt
Joachim Gauck me bashëshorten Daniela Schadt do të vizitojnë edhe territoret palestinezeFotografi: picture-alliance/dpa

"Günter Grassi ka shprehur qëndrimin e tij pesronal. Ai ka të drejtë të shpreh këtë mendim por unë nuk pajtohem në asnjë mënyrë me këtë qëndrim", theksoi Joachim Gauck.

Në ditën e parë të vizitës presidenti gjerman u përpoq të dërgojë sinjale pozitive. Gati çdo minutë ishte i ndërgjegjshëm për domethënien e raporteve gjermano-izraelite. "Vendet tona pas luftës kanë shënuar arritje historike që kanë qenë të paparamendueshme: pajtimin dhe mirëkuptimin", theksoi Gauck i cili në Izrael takoi edhe autoritete të tjera si dhe të mbijetuarit nga sulmi në Olimpiadën e vitin 1972 në Mynih.

Të enjten presidenti gjerman do të vizitojë edhe territoret palestineze ku do të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abbas. "Njeriu duhet të ketë zemër edhe për palestinezët", pati deklaruar një herë më parë Joachim Gauck por presidenti nuk do të harrojë as atje miqësinë e pathyeshme me Izraelin.