1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Viti 2005 përfundoi me një katastrofë për udhëheqjen siriane

Björn Blashke3 Janar 2006

Parlamenti sirian kërkoi njëzëri një proces gjyqësor për tradhti të lartë kundër ish-zëvendëspresidentit Abdul Halim Çadam. Ndërkohë Çadam u përjashtua të dielën edhe nga partia siriane në pushtet

https://p.dw.com/p/AqrT
Pamje nga Damasku
Pamje nga DamaskuFotografi: dpa

Viti 2005 përfundoi me një katastrofë për udhëheqjen siriane. Parashenja për 12 muajt e ardhshëm për presidentin Bashar El Asad siç duket përbëhet nga pesë shkronja: KRIZË.

Gjithçka filloi me një intervistë të zëvendëspresidentit të deritanishëm sirian, Abdul Halim Çadam, të cilën kanali televiziv arab El Arabija e transmetoi një natë para ndërrimit të motmoteve. Çadam i cili aktualisht jeton në Paris gjatë intervistës ka ngritur akuza të rënda kundër presidentit sirian Bashar el Asad. Sipas Çadamit, Asadi e kishte kërcënuar ish-kryeministrin libanez, Rafik Hariri para vrasjes së tij në shkurt të vitit 2005.

Gjatë një takimi me të Asad pati sqaruar - citoj: 'unë do të shkatërroj secilin që do të provoj të pengoj vendimet tona'. Dhe vetëm pak muaj më vonë, saktësisht më 14 shkurt Hariri vritet. Po atë ditë u dëgjua zëra se pas vrasjes së tij mund të fshihet vetë udhëheqja siriane. Hariri i cili kohëve të fundit po shprehej hapur kundër pushtimit sirian të Libanit është hequr qafe nga kundërshtarët e tij.

Dy raporte jopërfundimtare të një komisioni hetimor të ngritur nga Kombet e Bashkuara, i cili drejtohet nga gjermani Detlev Mehlis çojnë në drejtim të njëjtë: është i mundur implikimi ndër të tjera i shërbimit të fshehtë sirian në atentat.

Në pyetjen se a është e mundur që presidenti Asad të mos ketë ditur asgjë për atentatin, Çadam sqaroi kategorikisht se asnjë shërbim i fshehtë sirian nuk mund të marrë vetë një vendim të tillë. Çadam duhet ta dijë: 73 vjeçari konsiderohet si shkaktar i politikës siriane ndaj Libanit para tërheqjes së trupave siriane nga vendi fqinj. Urdhëri për tërheqje u dha atëherë kur presioni ndërkombëtar u shtua shumë. Brenda dhe jashtë Libanit askush nuk donte ta pranonte më pushtimin sirian. Çadam ishte kundër tërheqjes por nuk mund të ndryshonte asgjë. Eshtë e mundur që ky ishte shkaku pse në qershor të vitit të kaluar ai kërkoi nga Asadi t'a liroj nga posti i zëvendëspresidentit. Një reagim publik për këtë lutje nuk është bërë asnjëherë në Damask.

Çadam gjatë intervistës së tij deklaroi se jep dorëheqjen nga posti i zëvendëspresidentit. Anëtarë të parlamentit sirian debatuan për deklaratat e tij dhe akuzuan atë për shkeljen e nderit të atdheut dhe popullit sirian. Kryetari i komitetit të kushtetutës në parlament e quajti Çadamin agjent të fshehtë andaj veprimet e tij duhet parë si komplot dhe krim kundër sigurisë së shtetit. Kështu parlamentarët kërkuan njëzëri që Çadami të akuzohet për tradhti të lartë ndaj shtetit. Ministri i drejtësisë tani duhet të ndërrmarrë hapat e nevojshëm, thuhet në rezolutë. Po ashtu të dielën mbrëma partia Baath e presidentit Asad përjashtoi nga radhët e partisë, Abdul Halim Çadamin.

Sido që të jetë regjimi sirian ka qenë rrallëherë muajve të kaluar kaq i dobët si sot. Dhe pas akuzave të Çadamit me siguri që do të shtohen kërkesat për ndërrimin e pushtetit në Damask. Apele të tilla janë dëgjuar shpesh të kaluarën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë mënyrë viti 2006 mund të thuhet se për regjimin në Damaskë filloi me një krizë por 12 muajt është e mundur që bartin me vete edhe befasi të tjera.