1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Visner: Kosova do të jetë një territor i pandarë

B. Shehu25 Tetor 2006

I dëguari i SHBA-së, në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Visner, tha në Prishtinë, se bashkësia ndërkombëtare është duke punuar që zgjidhja e statusit të Kosovës të arrihet deri në fund të këtij viti.

https://p.dw.com/p/Arbf
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

I dëguari i SHBA-së, në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Visner, deklaroi në Prishtinë se
çështja e statusit të Kosovës është çështje e kosovarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe si e tillë
nuk ka të bëjë asgjë me sovranitetin e Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare tha ai, është duke punuar që zgjidhja e statusit të Kosovës të arrihet deri në fund të këtij viti. Këto komente, ambasadori Frank Visner i bëri në Prishtinë pas një takimi që zhvilloi me anëtarët e Grupit Negociator të Kosovës.


Puna juaj dhe çfarë do të ndodhë me ju është çështje e Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk ka
lidhje me sovranitetin e Serbisë, tha Frank Visner. Ai tha se, zgjidhja e statusit të Kosovës është një
vendim historik sepse kosovarët kanë pritur me vite që të përcaktojnë të ardhmën e tyre. Ambasadori Visner,
shprehu përkrahjen e SHBA-së, për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe tha se, qeveria e vendit të tij ka
obligim që këtë proces ta mbështesë deri në fund. Grupi i kontaktit sipas zotit Wisner, në takimin e
fundit në Nju Jork, ka shprehur qëndrimin për vazhdimin e negociatave që duhet të përfundojnë në
vitin 2006. Ai tha se është detyrë e tij dhe e presidentit Ahtisari, që të arrihet kjo datë.

Statusi final, e ardhmja e Kosovës do të thotë një Kosovë e bashkuar dhe pa ndarje, jo veri të Ibrit dhe
as jug të Ibrit. Është një territor dhe ai territor quhet Kosovë, tha Frank Visner. I dërguari amerikan në
bisedimet për statusin, Frank Visner, tha se zhvillimet që pritet të ndodhin në Serbi nuk do të kenë ndikim në
përcaktimin e statusit të Kosovës. Ai tha se është me rëndësi që referendumi për kushtetutën e Serbisë që do
të mbahet edhe në territorin e Kosovës të kalojë në një atmosferë të qetë. Serbët e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të votojnë në këtë referendum dhe sipas ambasadorit Visner kjo është e drejtë demokratike.

Ai ju bëri thirrje udhëheqësve politik shqiptar të Kosovës që të vazhdojnë punën në plotësimin e standardeve sepse kjo do ta bëjë më të lehtë marrjen e vendimit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.