1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Viktima në përleshjet e Kajros

21 Nëntor 2011

Të paktën 11 vetë gjetën vdekjen pas përplasjes së policisë me protestuesit në sheshin Tahrir në Kajro. Qeveria ushtarake që kundërshtohet nga një pjesë e popullsisë deklaroi se kjo situatë nuk do t'i vonojë zgjedhjet.

https://p.dw.com/p/13ELG
Trazira në Kajro
Trazira në KajroFotografi: dapd

Në ditën e dytë të përplasjes së policisë dhe demonstruesve, të cilët kërkojnë që qeveria ushtarake të dorëzojë pushtetin, u vranë të paktën 11 vetë. Burime nga spitalet rreth sheshit Tahrir në Kajro thanë se katër nga viktimat ishin qëlluar për vdekje, ndërsa tre të tjerë kishin vdekur të asfiksuar nga gazi lot-sjellës.

Europa dënon dhunën

Policia përdori gazin lot-sjellës dhe shkopinjtë e gomës kundër protestuesve në sheshin, që u bë epiqendra e kryengritjes ,e cila përmbysi udhëheqësin autoritar Hosni Mubarak. Protestuesit avancuan në drejtim të Ministrisë së Brendshme duke gjuajtur me gurë forcat e sigurisë. Ndërkohë pati raportime se u qëllua edhe me plumba gome, por qeveria përgënjeshtroi se ishte qëlluar me plumba të vërtetë.

Vdekja e 11 personave u njoftua në televizionin shtetëror të dielën, së bashku më dy personat që humbën jetën në përpalsjet në Kajro dhe një në Aleksandri një ditë më parë. Dhuna u dënua nga e ngarkuara e Bashkimit Europian për politikën e jashtmë Catherine Ashton, e cila bëri thirrje për qetësi dhe tërheqje. “Jam shumë e shqetësuar për përleshjet dhe dhunën në sheshin Tahrir në Egjipt këtë fundjavë,” tha Ashton në një deklaratë.

Angazhim për zgjedhjet

Udhëheqja e përkohshme ushtarake thirri të dielën një takim urgjent për të diskutuar dhunën. “Qeveria është e angazhuar të zhvillojë zgjedhjet në kohë,” tha kabineti në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror, duke i'u referuar zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për t'u mbajtur në 28 Nëntor. Kabineti i përshkroi përplasjet si “ushqim për të tensionuar situatën me qëllim vonesën e zgjedhjeve ose mos zhvillimin e tyre për të parandaluar rindërtimin e institucioneve shtetërore.”

Përplasja me e ashpër kohëve të fundit

Përplasjet e së Dielës pasuan ato të një ditë më parë kur 5 mijë protestues pushtuan sheshin duke nxitur përplasjet më të dhunshme të kohëve të fundit.

Një demonstrues u vra të shtunën, ndërsa policia egjiptiane po qëllonte me plumba plastikë dhe gaz lot-sjellës për të shpërndarë turmën. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë një protestues i dytë u vra një plumb gome gjatë protestës të së Shtunës paradite në Aleksandri. Më shumë se 750 persona mendohet se janë plagosur.

Të rinj hedhin gurë kundër forcave të sigurisë
Të rinj hedhin gurë kundër forcave të sigurisëFotografi: picture-alliance/dpa

Të Shtunën qeveria bëri apel për qetësi. Në të thuhej se “rrethanat që çuan tek incidentet” do të hetohen dhe përfundimet do të “publikohen brenda pak ditësh për të qenë transparent me popullin.” Një nga opozitarët kryesorë të lëvizjes së 6 Prillit dënoi aksionin e policisë. “Ne kundërshtojmë dhunën e policë në sheshin Tahrir dhe dhunën e tyre sistematike ndaj protestuesve paqësorë, ” tha Tareq al-Khuli.

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle bëri thirrje për qetësi duke thënë se dhuna në vend është “një shqetësim i madh” dhe kërcënim në rrugën drejt demokracisë. “Lajmet e fundit nga Kajro dhe Aleksandria më kanë shqetësuar shumë,” tha Westerwelle. “Populli egjiptian në muajt e fundit ka kërkuar demokraci dhe progres. Kjo gjë nuk duhet të vihet në rrezik tani.“

Ndërkohë që zgjedhjet afrojnë rritet zemërimi

Rreth 800 persona u mblodhën jashtë Drejtorisë së Sigurimit në Aleksandri, ndërkohë që protestuesit u shpërndanë në qytete të tjerë. 1000 persona u grumbulluan përpara një komisariati policie në qytetin lindor të Suezit, duke tentuar për t'u futur brenda.

Të Premten, forcat e sigurisë në Kajro u përpoqën të shpërndanin rreth 50 mijë protestues, të përbërë kryesisht nga islamikë të cilët pohojnë se ushtarakët mbeten shumë të fuqishëm. Sipas dëshmitarëve disa ndërtesave dhe dy makinave në sheshin Tahrir i'u vu zjarri. Ministria e Brendshme Egjiptiane tha se ndaj forcave të sigurisë janë hedhur gurë e raketa dhe për këtë janë arrestuar 20 protestues.

Mbështetja për qeverinë e përkoshme ushtarake të Egjiptit, e cila erdhi në pushtet pas rrëzimit të Mubarakut, ka ardhur duke rënë për shkak se dyshohet se mund të ketë ndikim në çdo qeveri që do të vijë në të ardhmen. Analistët parashikojnë se Islamikët do të fitojnë rreth 40 përqind të vendeve në parlament, ndërsa një grup tjetër i fortë do të jetë edhe Vllazëria Muslimane.

Autor: Mark Hallam/Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi