Veterani i negociatave, Marti Ahtisari rikthehet në Kosovë | FOKUS | DW | 08.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Veterani i negociatave, Marti Ahtisari rikthehet në Kosovë

68 vjeçari finlandez, i emëruar nga Sekretari i përgjithshëm i OKB-s Kofi Anan do të kryesojë negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës

Marti Ahtisari

Marti Ahtisari

Kur flet Marti Ahtisari, natyrshëm ai tregon qetësi, e cila e bën edhe më të dëgjueshëm nga të tjerët. Nuk ka vend në botë, që nga Afrika, në Ballkan dhe deri në Lindjen e Mesme e në Azinë juglindore që finlandezi 68 vjeçar nuk ka ndërmjetësuar, dhe në shumë raste, me sukses. Dhe së fundi duhet përsëri që Ahtisari të ndërmjetësojë në një konflikt që ai e njeh prej shumë vitesh me detajet më të imta.

Nuk ishte suprizë që Sekretari i OKB-s Kofi Anan caktoi Ahtisarin të drejtojë bisedimet për të ardhmen e Kosovës. Ahtisari është për këtë rast trefish i kualifikuar: Personaliteti i tij, prejaradhja e tij dhe njohja e tij me çështjen e Kosovës. Kush beson në cilësitë e tij kombëtare, mund të thoshte pa hezitim se ai është një finlandez tipik, megjithëse për bashkëkombasit e tij, si president i tyre nga viti 1994 deri në vitin 2000, ai ishte një njeri që më së shumti udhëtonte nëpër botë.

Ahtisari kërkon gjithmonë konsensus, është i matur dhe ka mjaft takt. Ai mbart gjithmonë peshë të rëndë në bisedime, ashtu si dhe pesha e tij fizike. Prejardhja e tij nga një vend as i vogël dhe as i madh dhe që ndodhet në një pozicion gjeografik mes lindjes dhe perëndimit duke kërkuar gjithmonë barazi, i jep po ashtu përparësi Ahtisarit. Shumë takime të rëndësishme ndërkombëtare janë zhvilluar në Helsinki. Gjatë Presidencës së tij, Finlanda iu bashkangjit Bashkimit Europian dhe Ahtisari ishte ndërmjetësuesi për takimin historik të Boris Jeltsinit dhe Bill Klintonit në Helsinki.

Vetë Ahtisari nuk ka pasur interesa të tjera personale përveç se një qëllim:Paqen dhe lirinë e njerëzve, për të cilin ndaj tij u krijua mjaft respekt. Ngaqë ai ka qenë edhe vetë president, shumë nga diktatorët nuk e kanë kundërshtuar atë. Por, do të shkruante gazeta gjermane„Frankfurter Allgemeine Zeitung“ atij vetëm një gjë i mungon:Çmimi „Nobel për paqe“, megjithëse është kandiduar tre herë.

Përparësi tjetër e Ahtisarit është edhe njohja mjaft e mirë e situatës në Jugosllavi. Angazhimi i tij fillon në vitin 1992 ku ai kryeson grupin e punës për Bosnjë-Herzegovinën dhe mbron ndërhyrjen ushtarake për të evituar genocidin. Marti Ahtisari kthehet përsëri në Ballkan në vitin 1999, ku u caktua si i dërguari i posaçëm i BE-s në Kosovë. Ai angazhohet me Viktor Çernomerdin për negociatat me Milosheviçin rreth Kosovës, dështimi i të cilave solli me rekomandim të tij ndërhyrjen e trupave të NATO-s. Ishin përpjekjet e Ahtisarit që Millosheviçi dhe parlamenti serb më 3 qershor të vitit 1999 të votonin pro tërheqjes së forcave të ushtrisë jugosllave nga Kosova.

Suksesi i tij i parë, mjaft i madh për paqe ,për të cilën u bë i njohur në arenën ndërkombëtare, ishte detyra si komisar i Kombeve të Bashkuara në Namibi nga viti 1989 -1990. Në pak muaj ai arriti këtë vend nga ish koloni gjermane ta bënte një vend të pavarur. Përpara se të merrte këtë detyrë, ai kishte qenë i angazhuar për 16 vjet si diplomat në Afrikë.Ai ka merita se ndoqi nga afër edhe çarmatimin e IRA-s, kontrollin e sulmeve të ushtarëve izraelitë mbi kampet palestineze. Në fillim të këtij viti, Ahtisari arriti një tjetër paqe midis qeverisë indoneziane dhe rebelëve në provincën Açe, konflikt i cili kushtoi mijëra jetë njerëzish.

Edhe në Kosovë dhe në Serbi, Marti Ahtisari do të shfrytëzojë aftësitë e tij për ta përfunduar këtë mision me sukses. E sigurt është se prejardhja e tij nordike dhe përvoja e përgjithshme e bëjnë veteranin negociator një ndërmjetësues të ndershëm.


  • Data 08.11.2005
  • Autor Mimoza Cika- Kelmendi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhs
  • Data 08.11.2005
  • Autor Mimoza Cika- Kelmendi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhs