1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendosja e një kuote të njëjtë për dietat e parlamentarëve të Evropës dështoi sërish

Koment nga Bernd Riegert28 Janar 2004

Si pasojë është vazhdimi i sistemit të deritashëm të kushtueshëm dhe jo të tejdukshëm për parlamentarët e BE.

https://p.dw.com/p/Aqvp
"Ulje me bark për zhvatësit e dietave të BE", ky është titulli kryesor i gazetës "Bild", i gazetës bulaverdeske me tirazh më të lartë në Gjermani, dhe prandaj më të respektuar prej politikanëve. Me të vërtetë, rreth 9 mijë eurot që donin të aprovonin si dieta të reja të përbashkëta parlamentarët e BE nuk qenë një kafshatë bukë. "Të pashpjegueshme për opinionin publik" i quajti edhe ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher këto dieta. Megjithatë- pasojë e refuzimit të statutit të deputetëve dhe e një rregullimi të njëtrajtshëm të dietave është vazhdimi i sistemit të deritashëm të kushtueshëm dhe jo të tejdukshëm për parlamentarët e BE. Një koment nga Bernd Rigert: Vendosja e një rregulli të njëjtë për dietat e parlamentarëve të Evropës pavarësisht nga vendi i tyre i prejardhjes dështoi sërish. Ndryshimet e mëdha midis deputetëve me dietat më të larta nga Italia, me 11 mijë Euro dhe varfanjakëve nga Polonia me 600 Euro do të mbeten edhe më tej. I pandryshuar mbetet për taksapaguesit evropianë edhe një sistem shumë i cuditshëm i rimbursimit në bllok të dietave, me të cilin deputetët sigurojnë të ardhurat e tyre, në raste të vecanta deri në 8 mijë Euro në muaj. Disa deputetë kanë punësuar anëtarë të familjeve të tyre si bashkëpunëtorë dhe nuk e quajnë për gjë këtë. Kjo gjendje konsiderohet e papranueshme edhe nga vetë i ngarkuari i Parlamentit Evropian për reformën e dietave, Uilli Rotlej. Pagesa e deputetëve është si në botën e jashtme,ashtu edhe brenda vendit një temë shumë e ngarkuar. Cdo përpjekje e deputetëve, për të rritur dietat e tyre në mënyrë automatike shkakton fushata zilie dhe kritika se deputetët po vetëshërbehen. Në rastin aktual vecanërisht aktive ishte gazeta "Bild". E mbështetur nga shkencëtari i administratës, Hans Herbert von Arnim, i cili e ka dokumentuar në disa libra urrejtjen e tij për politikanët, Bild e fshikulloi rreptë përpjekjen më të fundit, për t'i futur në hulli të rregullta dietat e BE. Kancelari Gerhard Shrëder kërceu në trenin populist dhe pengoi me kundërshtimin e tij miratimin e statutit të deputetëve nga Këshilli i Ministrave i BE. Po a është me të vërtetë fitore kjo? Statuti i deputetëve do t'i kishte bërë shumë gjëra më transparente, do t'i kishte vështirësuar fitimet nën dorë. Prandaj shumë deputetë nuk janë fare të trishtuar që nuk u arrit një rregull që të vlejë për të gjithë. Punë të tjera me leverdi dhe punë lobiiste ata do të vazhdojnë të bëjnë edhe më tej. Projekti i statutit të deputetit përmbante ende shumë përjashtime dhe mospërputhje, të cilat do të provokonin patjetër kundërshtime. Ngritja automatike e parashikuar e dietave dhe lidhja e tyre me dietat e gjykatësve në Gjykatën Evropiane për shembull nuk mund të konkordohej me praktikën për dietat të deputetëve gjermanë të Bundestagut. Deputetët në Berlin duhet të votojnë për cdo ngritje dietash nga e para në sy të publikut. Presidenti i Parlamentit, Pat Koks, i cili e akuzon tani kancelarin Gerhard Shrëder për populizëm, duhet të tregohet i përmbajtur me komente, e këshillojnë atë shumë parlamentarë. Sepse një elektorat i alarmuar nga grindja për dietat mund të marrë hak në zgjedhet për Parlamentin Evropian në qershor. Pjesëmarrja edhe tani e ulët në votime mund të ulet edhe më tej. Në fund të fundit, në fushatën elektorale mund të shtrohet pyetja ekzistenciale që shkon shumë më larg: përse ka nevojë Bashkimi Evropian për një parlament të kushtueshëm me dy rezidenca në Bruksel dhe Strasburg, i cili fryhet edhe më tej me zgjerimin nga 626 në 732 deputetë? Kujt i duhen qindra milionat euro shpenzime të Parlamentit Evropian çdo vit me fuqinë e sakatuar ndikuese të parlamentarëve dhe ndikimin me pikatore në ligjet evropiane, në një kohë kur në thelb vendimet vazhdojnë të merren nga Këshillat e Ministrave, pra nga përfaqësitë e qeverive nacionale?