Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kundër përgjimit të telefonatave & Protetsta e Italisë në OKB | Studimi në Gjermani | DW | 28.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kundër përgjimit të telefonatave & Protetsta e Italisë në OKB

Gjykata kushtetuese në Gjermani hodhi poshtë projektligjin e propozuar nga Landi i Saksonisë së Poshtme për përgjimin e telefonatave. Kjo është tema numër një e komenteve të sotme në gazetat gjermane. Nga politika ndërkombëtare analistët i referohen reagimit të Italisë në OKB lidhur me grupin e vendeve afrikane që mbështet propozimin e Gjermanisë për reformimin e Këshillit të Sigurimit.

Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe

Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe

E përdtishmja "Die Welt" vendimin e Gjykatës Kushtetuese e komenton: "Projektligji i paraqitur në Landin e Saksonisë së Poshtme i jep të drejtën policisë që të përgjojë telefonatat dhe t´i ruajë ato të regjistruara deri në një afat të pacaktuar. Në bazë të një ligji të tillë kjo masë mund të ndërmerret pa qenë nevoja që dyshimi t´i konfirmohet paraprakisht një instance të pavarur. Por ai që nuk pranon t´ia lejojë shtetit këtë lloj kontrolli si masë profilaktike, jo patjetër duhet damkosur si dikush që i mbyll sytë kundrejt terrorizmit ndërkombëtar që po merr hov dhe që në çdo kohë mund të fokusojë edhe Gjermaninë. Kolegji i kushtetuesve iu përmbajt detyrimit që të peshojë vazhdimisht mes detyrës për mbrojtjen e shtetit dhe të të drejtave të njeriut për individin", shkruan "Die Welt".

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shtron pyetjen, nëse ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shënon një goditje prapaktheu në luftën kundër terrorizmit: "Mos vallë do të thotë kjo të heqësh dorë nga mbrojtja efikase në kohën e rezikut më të madh? Nëse do të ishte kjo pasoja, atëherë senati i së drejtës themelore i ka bërë një dëm të madh të drejtave themelore. Përgjimi i telefonatave, po ashtu si edhe vëzhgimi i ambjenteve është një mjet i domodoshëm i shtetit ligjor në luftën kundër kriminalitetit të rëndë. Këto masa duhet të lejohen ligjërisht, kur është fjala për t´u mbrojtur nga terroristët që mund të shndërrohen në armë vdekjeprurëse. Por një gjë e tillë mund të rregullohet edhe mbi bazën e kritereve kushtetuese. Përpara kryerjes së aktit penal vlen: sa më e rëndësishëm të jetë sfera ligjore e rrezikuar aq më shpejt lejohet të ndërhyjë policia. Të tilla peshime dhe klasifikime janë komponente të shteteve ligjore që luftojnë terrorizmin", nënvizon "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Lidhur me reagimin e Italisë ndaj propozimit të Gjermanisë, Indisë, Japonisë dhe Brazilit për reformimin e OKB-së dhe zgjerimin e Këshillit të Sigurimit "Tageszeitung" shkruan: "Një prej skandaleve më të mëdha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së qëkurse Krushovi goditi me këpucë mbi tryezë: Ambasadori i Italisë në OKB akuzon Gjermaninë se po u bën presion vendeve antare! Qysh prej muajsh po vazhdojnë ec e jaket për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit dhe të dyja palët po luftojnë ashpër. Uashingtoni do ta pengojë me çdo çmim zgjerimin e Këshillit të Sigurimit. Kjo pasi një gjë e tillë do të vështirësonte realizimin e interesave të SHBA në OKB. Ndërsa për qeverinë e Shrëderit fjala është për një projekt prestigjoz. Vetëm se deri tani politikanët këto tratativa në prapaskenë i quanin "diplomaci", ndërsa sot po flitet për "presion". Sado të bazuara ose jo që të jenë akuzat konrkrete, një gjë është e qartë: klima mes Romës dhe Berlinit sërish është helmuar", komenton "Tageszeitung".


"Münchner Merkur" komenton me tone të ashpra kritike në adresë të Romës: "Qeveria e Berluskonit ka vënë alarmin në shkallën më të lartë duke folur për blerje votash - kjo pasi shtetet e bllokut afrikan siç duket mund ta ndihmojnë Gjermaninë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Roma nuk ia uron kurrësesi fqinjit të saj verior antarësinë e përhershme në Këshillin e Sigurimit. "Një sjellje jo etike", akuzon tani qeveria në Romë. Berluskoni e di se përse flet, ai vet ka dalë përpara gjyqit dhe u ka dhënë ryshfet gjyqtarëve për t´i shpëtuar akuzave për ofendim të policëve, financim ilegal të partisë, falsifikim binalcesh dhe për evazion fiskal. Shifrat për deficitin buxhetor të raportuara në Bruksel ai i ka kamufluar për vite me radhë. E pra një njeri i tillë e njeh shumë mirë etikën. Kujtdo që i ka ardhur në majë të hundës me qëndrimet prepotente të kryeministrit të paturpshëm, duhet të shpresojë tek zgjedhjet parlamentare të 2006 në republikën e alpeve. Ndoshta italianët më në fund do ta nxjerrin në pension harbutin Berluskon, që i ka sjellë kaq turpe vendit të tij dhe Evropës", shkruan "Münchner Merkur".

  • Data 28.07.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruS
  • Data 28.07.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruS