1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendime, që ndryshojnë mendësinë

Anila Shuka23 Shkurt 2009

Intervistë me Ledi Biankun, gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburgut, e cila filloi nga puna pikërisht 50 vjet më parë, më 23 shkurt 1959

https://p.dw.com/p/Gzb9
Gjykata e Evropiane e të Drejtave të Njeriut në StrasburgFotografi: AP

DW: Zoti Bianku ju keni një vit që punoni si gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Çfarë domethënie ka kjo personalisht për ju?

Bianku: Është një moment shumë i spikatur në karrierën e një juristi. Përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe. Së pari, sepse niveli profesional është shumë i lartë, së dyti, sepse duhet të japësh mesazhe shumë të qarta për respektimin e të drejtave të njeriut ndaj të gjitha vendeve.

DW: Mund të përmendni disa nga mesazhet më të rëndësishme në punën pesëdhjetëvjeçare të Gjykatës, që mund të kenë çuar deri në ndryshimin e mendësisë?

Bianku: Këtu mund të përmendim për shembull çështjen e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore: Deri në vitin 1997, kur është dhënë një vendim kundër Greqisë, askush nuk e mendonte që mosekzekutimi i vendimit gjyqësor do të përfshihej në konceptin procesit të rregullt. E tha Gjykata në rastin e parë për Greqinë dhe filloi të ndryshonte mendësia për të gjithë Evropën. Një çështje akoma e debatueshme në shtetet e ndryshme evropiane është ajo e martesave midis homoseksualëve, ose transseksualëve, ose e drejta për të ndryshuar seksin. Edhe këtu ka pasur vendime të Gjykatës në fillim të viteve 80-të, që kanë shënuar ndryshime për sa i përket mendësisë evropiane në këtë drejtim.

DW: Cilat janë shkeljet më të shpeshta, që konstaton Gjykata në Shqipëri?

Bianku: Duhet pasur parasysh, që rreth 95 për qind e ankesave, që vijnë në Gjykatën e Strasburgut janë të papranueshme në nivel administrativ. Kjo ndodh për arsye sepse ankesat kanë ardhur me vonesë, nuk ngrenë një çështje, që ka të bëjë me Konventën (Evropiane për të drejtat e Njeriut), ose ka probleme të tjera papranueshmërie, siç i quajmë ne. Çështjet më të rëndësishme kundër Shqipërisë, pavarësisht se duhet thënë që nuk kanë qenë shumë, kanë qenë ato që kanë pasur lidhje me mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore, gjë që me sa duket vazhdon të jetë një problem shqetësues për realitetin shqiptar.

DW: Çfarë mekanizmi ka Gjykata për të kontrolluar zbatimin vendimeve të marra prej saj?

Bianku: Mbasi jepet vendimi nga Gjykata e Strasburgut hyn në lojë komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës, pra ministrat e jashtëm, zëvendësit ose përfaqësuesit e tyre në Strasburg, të cilët kontrollojnë në mënyrë specifike mënyrën se si vendi përkatës ka zbatuar, ose po zbaton vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Megjithatë Gjykata është duke shqyrtuar në Dhomë të Madhe një çështje kundër Zvicrës për sa i përket pikërisht mënyrës se si duhet të zbatohen vendimet e Gjykatës.

DW: Gjykata mund të marrë vendime vetëm për ato vende, që janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Si mund ta shfrytëzojnë këtë institucion edhe shtetasit e Kosovës?

Bianku: Ka pasur një vendim shumë të rëndësishëm në vitin 2007, që ka pasur të bëjë me ankimin e shtetasve kosovarë për shkelje sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që këta kërkues pretendonin që u kishin bërë trupat e KFOR-it të vendosura në Kosovë. Gjykata nuk e pranoi si shkelje, sepse këtu kishim një situatë specifike dhe aty nuk shtrihej juridiksioni i plotë i këtyre shteteve, Francës, Norvegjisë etj. Por një shtetas kosovar me banim në Shqipëri, Maqedoni pra në shtete, që janë palë të Konventës, mund të ankohet fare mirë për shkelje, që i janë bërë të drejtave të tij në bazë të Konventës, pa pasur nevojë që të ketë shtetësinë e këtyre vendeve.