Vazhdimisht në shënjestër të Moskës | Evropa | DW | 14.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vazhdimisht në shënjestër të Moskës

Presidenti i Estonisë sheh të vërtetuara tezat e tij pas fjalimit të presidentit rus Putin në Mynih

Toomas Hendrik Ilves, presidenti i Estonisë

Toomas Hendrik Ilves, presidenti i Estonisë


Nuk ishin të paktë ata që u habitën nga sulmet e ashpra të presidentit rus Vladimir Putin kundër Perëndimit fundjavën e kaluar në konferencën për çështjet e sigurisë në Mynih. Presidenti i Estonisë ishte i pranishëm në konferencë. Tani ai ndodhet për bisedime politike në Berlin dhe thotë se tone të tilla nga Moska nuk janë të pazakonta për të.

Pavarësinë e vendit të tij ai e përjetoi në Mynih si drejtor i shërbimit estonez të radios Evropa e Lirë. Tani presidenti i Estonisë Toomas Henrik Ilves me ftesë të DW-së është ulur në një tryezë të rrumbullakët me redaktorë të disa prej gazetave kryesore gjermane. Presidenti flet rrjedhshëm gjermanisht por kur është fjala për tema delikate politike preferon të përdorë anglishten. Këtë gjuhë e zotëron në mënyrë perfekte pas studimit dhe një përvoje të gjatë pune në SHBA dhe Kanada. 53-vjeçari me papijon me ngjyra buzëqesh kur i bëhen pyetje mbi fjalimin e presidentit rus në Mynih: "Tonet e përdorura nga Vladimir Putin ndaj SHBA dhe Evropës Perëndimore në fjalimin e tij anëtarët e rinj të BE-së i dëgjojnë prej kohësh. Vetëm se gjuha e përdorur dikur ndaj jush dhe ajo ndaj nesh ishte e ndryshme."

I zbavitur shprehet presidenti etsonez edhe mbi faktin që ndërprerja e furnizimeve me energji Ukrainës vitin e kaluar i shërbeu Perëndimit si zile zgjimi: "Ju për 15 vjet rresht keni patur të shtypur butonin e gjumit. Mbyllja e rrubinetit të energjisë ka qenë politikë e Bashkimit Sovjetik qysh në vitin 1990 kur Lituania zgjodhi pavarësinë dhe furnizimet me naftë dhe gaz u ndërprenë."

Fjalëve e ashpra të Putinit në Mynih Ilves i përgjigjet po aq mprehtë: "Rusia e sheh demokracinë në kufijtë e saj si kërcënim dhe diçka negative. Kur shtetet balltike u bënë të pavarura u bënë të këqija në sytë e Rusisë. Përsa kohë Ukraina dhe Gjeorgjia kishin qeveri jo demokratike ato ishin fare në rregull për Rusinë. Pas revolucioneve demokratike ato u vunë papritur në shënjestër."

Aktualisht Estonia është sërisht në shënjesër të Moskës. Parlamenti estonez kërkon të heqë nga qëndra e qytetit një monument sovjetik në Talin i cili përkujton çlirimin nga nazistët. Mediet ruse janë ndezur. Për estonezët ai nuk ishte çlirim, thotë Ilves. Përpara se të vinin gjermanët shtetet balltike ishin pushtuar fillimisht nga sovjetikët në vitin 1940 nga pakti mes Hitlerit dhe Stalinit. Dhe pushtimi sovjetik ka qenë i tmerrshëm: "56% e estonezëve kanë një të afërm që është ekzekutuar, që jeton në mërgim ose që është internuar në Sibiri."

Edhe për reagimin e rusëve presidenti estonez ka një shpjegim: "Problemi i vërtetë është që në Rusi deri tani nuk ka ndodhur asnjë proçes për tejkalimin e së kaluarës."

Shërbimi sekret rus feston ende sot themelimin e paraardhësit të tij bolshevik Çeka, thotë presidenti estonez dhe bën një krahasim me shërbimet sekrete gjermane: "A mund të përfytyroni që Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës apo Shërbimi Sekret Gjerman të shohin ditën e themelimit të Gestapos si ditën e themelimit të tyre? Kjo do të ishte krejt absurde."

  • Data 14.02.2007
  • Autor Peter Stüzle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8t
  • Data 14.02.2007
  • Autor Peter Stüzle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8t