1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varrimi i papës

9 Prill 2005

Trajtimi i varrimit dje në Romë të papa Gjon Palit II

https://p.dw.com/p/Arw2

Në lidhje me varrimin e papës gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan:

Na mungon durimi i tij. Na mungon këmbëngulja e tij, paepuria, vërtetësia. Na mungon thjeshtësia e tij dhe përkushtimi i tij ndaj një ideje të madhe, e cila përmban zgjidhjen e pyetjes që gjithnjë shtrohet nga e para, se si specja njeri mund të jetojë në epoka e konflikte që ndërrohen pa qenë që nënlloje të saj masakrojnë njëri-tjetrin dhe të hedhin në erë planetin. Na mungon lidhja e tij e pashqitshme me historinë. Na mungojnë udhëheqësit e botës, të cilët asnjëherë nuk ndahen prej parimeve të humanitetit: që lufta nuk lejohet të jetë mjet i politikës, përveçse në vetëmbrojtje; që liria e besimit dhe e mendimit vlen absolutisht për të gjithë; që kulturat dhe botëkuptimet e tjera meritojnë respekt; që e gjitha kjo nuk vlen vetëm për fjalimet e së dielës, por edhe për monotononë e jetës së përditshme. Këtu për shembull ishte dallimi midis Wojtilës dhe George W. Bushit, i cili pretendon gjithashtu të veprojë i shtyrë prej besimit të krishterë.

Në gazetën Leipziger Volkszeitung lexojmë:

Ndoshta asnjë papë ose politikan pas tij nuk do të rrezatojë një forcë të tillë globale tërheqëse. Duke filluar nga Bushi në Romë, tek Gorbaçovi e deri tek Kastroja në Havanë shumë prej tyre gjetën vetëm fjalë magjepsjeje për një papë, i cili sa ishte gjallë i kritikoi ashpër - si ngrënës komunistësh dhe engjëll antikapitalist paqeje në të njëjtën kohë. Një fuqi morale botërore kërkon tributin e fundit. Të gjitha fetë e botës të bashkuara paqësisht në Romë në një ditë zie: një kujtesë mbresëlënëse për botën, që të kërkojë pajtuesen dhe të mos e çojë betejën e kulturave drejt kulmit të intolerancës luftarake.

Ndërsa gazeta General-Anzeiger e Bonit komenton:

Një gjë të tillë bota nuk e ka përjetuar më parë: një ndarje kaq prekëse e plot ngjarje të miliona njerëzve nga një njeri i madh. Jo vetëm në sheshin e Shën Pjetrit në Romë apo me qirinjtë në Krakovin e atdheut, por kudo në rruzullin tokësor të këtij komunikuesi të parë të vërtetë me mediet në postin e papës. Fjala për një botë të vetme u mbush me jetë prej tij, deri në vdekje. Kjo e hedh poshtë imazhin e "masës së vetmuar".

Gazeta Märkische Allgemeine e Potsdamit:

Tani pra prehet në bazilikën e Shën Pjetrit Gjon Pali II. Çfarë vlerësimi që nuk është thënë e shkruat me kohë në të gjitha kanalet televizive dhe gazetat mund t'i bëhet ende atij? Fakti që kisha katolike ka ditur në të gjitha kohërat se si ti zhvillojë ceremonitë funebre, nuk është diçka e re. E as fakti që ajo i shfrytëzon të gjitha mjetet e disponueshme të komunikimit masiv. Kush e kritikon këtë si inskenim të tepruar nuk ka përse ia bën vetes një gjë të tillë. Kushdo e ka në dorë të shtypë butonin e fikjes. Përveç kësaj kritikët nuk duhet të nënvlerësojnë faktin që miliona vetë nën kushte pjesërisht të mundimshme u nisën drejt Romës dhe sigurisht që jo me shpresën që të kapeshin për ndonjë sekuencë nga njëra kamerë apo nga tjetra. Është fare e thjeshtë: siç e tha kardinali Ratzinger, ky papë udhëtoi në çdo anë; dhe dje erdhën besimtarë nga mbarë bota për ti thënë lamtumirë.

Në përfudnim gazeta Schwarzwälder Bote:

Bota përjetoi dje varrimin më të madh të të gjitha kohërave. Edhe në vdekje Gjon Pali II ishte burim i atij mrekullimi, që rrezatonte gjatë gjithë pontifikatit të tij. Edhe një herë ai i bëri për vete njerëzit. Ata, të cilëve Gjon Pali u shërbente me kënaqësi, i shërbyen dje atij. Të njëjtat medie janë që i bëjnë dukuritë të ngjajnë jetëshkurtëra. Sot ato përhapin nëpër botë martesën e princit Charles me Camilla-ën.