1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vallen e gëzimit pas shpalljes së pavarësisë e pasoi një atmosferë e pakëndshme

Auron Dodi22 Shkurt 2008

Gjermania e njohu shtetin e ri të Kosovës. Qeveria gjermane mori për këtë vendim dhe parlamenti gjerman debatoi në një seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.

https://p.dw.com/p/DBwO
Studente duke kërcyer për pavarësinëFotografi: AP

Njohjen e Kosovës dhe qëndrimin e BE e komentojnë disa gazeta gjermane. Në DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN ndër të tjera lexojmë:

"Që Gjermania do të bënte pjesë në shtetet e para, që do ta njihnin një Kosovë të pavarur, kjo ishte diçka që pritej. Republika Federale Gjermane ishte që në krye në mbështetje të planit të ndërmjetësuesit të OKB-së, Ahtisaari, që parashikonte një pavarësi me kufizime. Por vallen e gëzimit pas shpalljes së pavarësisë e pasoi një atmosferë pak e ngrirë. Sulmet ndaj postave të OKB-së në kufirin serbo-kosovar tregojnë se sa e nxehur është atmosfera."

Ndërsa në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Në BE konsiderojnë pozitive, që megjithatë u arrit të hartohet një deklaratë e përbashkët për pavarësinë e Kosovës. Që në fundjavë, para mbledhjes së vështirë, spanjollët u deklaruan shteteve të tjera anëtare se janë të interesuara për një zgjidhje konstruktive. Ajo konsistoi në fund në një fjali thelbësore: Kosova është një rast "sui generis"... Në thelb, politika e BE, bazohet në një truk diplomatik: ndarjen e cështjes delikate të njohjes nga politika e stabilizimit dhe e ndihmës e evropianëve. Sepse që një ditë më parë BE kishte vendosur dërgimin e një misioni me 1800 policë dhe juristë në Kosovë. Ky vendim u mor njëzëri, pra edhe me miratimin e Spanjës dhe shteteve të tjera skeptike si Greqia, Qiproja dhe Rumania."

Dhe së fundi edhe TAGESZEITUNG e Berlinit, e cila është e të njëjtit mendim me FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Fakti që 6 nga të 27 anëtarët e BE refuzojnë të njohin shtetin e ri vocërrak Kosovë, vërtet që interpretohet prej disave si shenjë e re e dobësisë në politikën e jashtme. Por meqenëse BE e vendosi njëzëri dërgimin e misionit të shtetit juridik, ai tregon se të gjithë anëtarët e tij ndihen përgjegjës për paqen në Ballkan. Nëse një Kosovë e pavarur e mbështet apo e rrezikon paqen,këtë nuk mund ta thotë askush me siguri. Politikanët e BE vepruan në këtë kuadër me mençuri, që vendimin për njohjen e Kosovës ia lanë vetë çdo anëtari të BE."