Vaksinimi - Booster për të gjithë nga mosha 18-vjeç | Gjermania | DW | 18.11.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Vaksinimi - Booster për të gjithë nga mosha 18-vjeç

Komisioni i Përhershëm për Vaksinim STIKO rekomandon vaksnimin e tretë për të gjithë, nga mosha 18 vjeç. Vaksinimi mund të bëhet edhe nëse nga vaksina e dytë nuk kanë kaluar gjashtë muaj.

Drejtuesi i STIKO Thomas Mertens ka paralajmëruar mbrëmë në televizionin e Dytë gjerman ZDF se rekomandimi për vaksinimin e tretë të personave mbi 18 vjeç do të publikohet sot. I të njëjtit mendim është edhe minisri në detyrë i Shëndetësisë Jens Spahn.

"Intervali prej gjashtë muajsh për imunizimin e plotë për personat mbi 18 vjeç, siç përcaktohet në miratim, duhet kuptuar vetëm si rekomandim, i cili natyrisht nuk duhet të respektohet me ditë të sakta”, thuhet në një letër të ministrit të Shëndetësisë në detyrë Jens Spahn dhe kreut të Shoqatës Kombëtare të Sigurimeve Shëndetësore, Andreas Gassen, dërguar të gjithë mjekëve të kontraktuar për këtë çështje në Gjermani.

Jo vetëm grupet e rrezikuara

"Ndaj ju mund të vaksinoni çdo pacient që nga mosha 18 vjeç, edhe nëse nuk i përkasin grupeve të rrezikuara, si të moshuarit, banorët e azileve për të moshuarit apo personeli mjekësor dhe infermierët. Ata mund të vaskinohen edhe para kalimit të afatit prej gjashtë muaj nga vaksina e dytë”, thonë Spahn dhe Gassen.

Duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të infeksioneve, thirrjet për vaksinime më të shpejta përforcuese kanë shkaktuar debate të shumta ditët e fundit. Deri tani në Gjermani janë vaksinuar me një vaksinë të tretë përforcuese rreth katër milionë njerëz, sipas shifrave të fundit nga Instituti Robert Koch (RKI).

Riaktivizimi i qendrave për vaksinim?

Asociacioni i Qyteteve dhe Bashkive bën të ditur se ringritja afatshkurtër e qendrave të vaksinimit kundër Coronës nuk është reale. "Ne nuk do të jemi në gjendje të ringrisim qendrat e vaksinimit, ashtu siç ishin, në afat të shkurtër. Ato do të kthehen në veprim në fund të janarit ose në në fillim të shkurtit",  tha Drejtori i Përgjithshëm Gerd Landsberg për gazetën "Rheinische Post".  Ai shtoi megjithatë se komunat do të "dëshironin të mbështesin" një strategji të shpejtë për vaksinimin përforcues.

Më shumë se 400 qendra vaksinimi në Gjermani kanë luajtur një rol qendror në pranverë dhe verë, por shumica prej tyre aktualisht nuk janë në funksion. Ministri i Shëndetësisë Spahn ka kërkuar në filimi të muajit rihapjen e qendrave.

Incidenca

Për shkak tëinfektimeve të shumta të personave të vaskinuar, është rritur kohët e fundit presioni për të dhënë dritën jeshile për vaksinat përforcuese edhe para kalimit të gjashtë muajve, të parashikuar. Deri tani STIKO ka rekomanduar vetëm vaksinimin e personave mbi 70 vjeç, personave me probleme shëndetësore apo atyre që punojnë me të moshuar apo në spitale. Por kryetari i STIKO Thomas Mertens ka bërë të ditur mbrëmë në ZDF se sot do të jepet drita jeshile për vaksinimin e të gjithë personave mbi moshën 18 vjeç.

Incidenca shtatëditore e infeksioneve të reja me Corona ndërkohë është rritur sërish në Gjermani. Instituti Robert Koch (RKI) ka bërë të ditur të mërkurën në mëngjes, se incidenca është rritur në 319.5 të infektuar në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh, që është niveli i ri rekord për të dhjetën ditë me radhë. Një ditë më parë incidenca ishte 312.4.

bc/haz/wa (dpa, kna, afp)