Vështrime nga periodiku në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 13.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vështrime nga periodiku në Gjermani

Lindja e Mesme & Panairi IAA & Samiti i OKB-së

default

Në shtypin e sotëm temat më të komentuara janë Lindja e Mesme pas tërheqjes së plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës. Panairi ndërkombëtar i automobilëve në Frankfurt si dhe samiti i OKB-së që nis punimet në Nju Jork. Lidhur me këtë temë e përditshmja "Saarbrücker Zeitung" komenton: "Shumë shpesh përpara takimeve të rëndësishme të OKB-së ndodh që vëzhguesit t´i krijohet përshtypja, se përsëri s´ka për t´u bërë gjë. Në bashkësinë ndërkombëtare ndonëse bëhen përbetime për detyrimet e përbashkëta dhe për një zhvillim që të përhapet në të gjithë globin, kur vjen puna për planet konkrete të aksionit disa vende tërhiqen. Në rast dyshimesh prioritet absolut kanë interesat kombëtare. Duke iu referuar samitit të tanishëm dhe reformës së planifikuar në OKB mbetet të shpresojmë, që të bëhen hapa të vogla përpara. Por në sfondin e gjendjes aktuale është për të pasur frikë, se edhe kësaj here s´do të dalë gjë", parashikon "Saarbrücker Zeitung".

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" boton në numrin e sotëm një koment mbi tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës: "faktikisht do të duhet shumë kohë derisa gjendja të normalizohet. Që tani filluan shkëmbimet e zjarrit në zonën kufitare mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, ku qysh nga fundjava janë dislokuar 750 ushtarë egjiptianë për të penguar kontrabadën me armë dhe mallra të tjera. Edhe Izraeli do të ngurrojë t´i lejojë trupat të ridepërtojnë në territorin e Gazës, në rast, se kjo do të mbetet një vatër trazirash jashtë kontrollit. Atje duhet të krijohet një infrastrukturë dhe një lidhje funksionuese mes Gazës dhe Jordanit Perëndimor. Por me të thëne e me të bërë janë shumë larg, sepse gjithmonë do të dalin në pah rezervat lidhur me sigurinë. Palestinezët falë hapit befasues të Sharonit kanë arritur një sukses, që tani po e festojnë, por ata për fat të keq konfirmuan tani edhe paragjykimet e vjetra", vëren "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

E përditshmja "Handelssblatt" mbi të njëjtën temë nënvizon: "Ende pa u larguar mirë ushtari i fundit nga Rripi i Gazës, palestinezët u vunë zjarrin sinagogave hebreje. Një gjë e tillë parashikohej. Qeveria izraelite për këtë arësye vendosi përpara dy javësh që para tërheqjes të shkatërrohen sinagogat sapo banorët t´i kishin larguar sendet e kultit. Por të djelën këto argumenta nuk vlejtën më. Tani ministri i jashtëm Silvan Shalom e dënon djegien e sinagogave si një "akt barbar". Eshtë për t´u habitur, se pikërisht përpara dy javësh ishte Shalom ai që miratoi shkatërrimin e sinagogave, sepse donte të parandalonte këtë që ndodhi tani. Porosia që iu dha Abazit për të ruajtur sinagogat ishte një bllof. Presidenti palestinez nuk është në gjendje të kujdeset as për qetësinë dhe rendin në qytetet palestineze. Apo mos vallë Izraeli cinik i përdori sinagogat për t´i dëshmuar botës, se Abazi ende nuk po e kontrollon Rripin e Gazës?", shtron pyetjen "Handelsblatt".

E përditshmja "Süddeutsche Zeitung" duke marrë shkas nga hapja e panairit ndërkombëtar të automobilëve në Frankfurt analizon gjendjen në industrinë gjermane të automobilëve: "Në Gjermani kostot e larta të punës konsiderohen si e keqja më e madhe. Ankimi është i justifikuar. Vende të tjera evropiane i prodhojnë më lirë automobilët. Por këtu kemi të bëjmë edhe me diçka tjetër: industria gjermane e automobilëve ka nevojë për menaxherë. Ndërsa Jyrgen Shremp, shefi i pushtetshëm i DaimlerChrysler-it, në korrik deklaroi dorëheqjen, bursa reagoi e çliruar. Dhejtë vjet resht menaxheri bashkë me disa të besuarit e tij e drejtoi koncernin pothuajse sikur të ishte ndërmarrje familjare. Faktin që profesionaliteti ka mbetur në vend numëro e provojnë problemet me imazhin dhe cilësinë prej të cilave vuan sot Mercedesi", tërheq vëmendjen "Süddeutsche Zeitung".

"Kölnische Rundschau" tërheq vëmendjen për problemet e kësaj dege të industrisë: "Industria e automobilëve, prej nga në Gjermani varet direkt ose indirekt një në shtatë vende pune, ka mjaft probleme. Mbikapacitet bëjnë që të mbyllet ndonjë fabrikë. Kësaj i shtohet edhe fakti që si brenda edhe jashtë vendit, si p.sh. në SHBA, tregu më i madh në botë i automobilëve, ka rënie të kërkesës, tendencë kjo që nuk po i duket fundi dhe që i rrit kostot dhe ul xhiron", shkruan "Kölnische Rundschau"

  • Data 13.09.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artq
  • Data 13.09.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Artq