Vështrime nga periodiku gjerman i së premtes | Studimi në Gjermani | DW | 07.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Vështrime nga periodiku gjerman i së premtes

Temat: Negociatat për koalicionin e madh, skenarët e mundshëm të posteve, dyndja e refugjatëve afrikanë në kufijtë spanjollë


Gazeta "Süddeutsche Zeitung" lidhur me afrimin mes dy partive të mëdha për krijimin e koalicionit dhe qeverisë së re gjermane vëren: Kështu unionistët, për të cilët pushteti me sa duket është më i rëndësishëm, se parimet dhe premtimet gjatë fushatës zgjedhore, në ditët e fundit hoqën dorë nga ato çështje, të cilat para tre javësh as nuk shtroheshin për diskutim. Kuotizacioni shëndetësor u varros në heshtje dhe me qetësi nga Stoiber. Ky projekt i Merkelit gjithsesi nuk mund të realizohej së bashku me socialdemokratët. Edhe shfuqizimin e sindikatave në negociatat e pagave mujore nuk e përmend më gati askush. Edhe lirimi i konditave që mbrojnë largimin e punonjësit nga puna mund të dobësohet për shkak të pikëpamjes së kundërt të socialdemokratëve.

Ndërsa "Westdeutsche Zeitung" lidhur me koalicionin e madh vëren: Pa diskutim, Schröder do të ishte kandidati më i përshtatshëm për postin e Ministrit të Jashtëm. Askush nga politikanët e njohur të socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve nuk lëviz me aq siguri në parketin politik ndërkombëtar. Edhe për socialdemokratët kjo është zgjidhje e përshtatshme. Schröder do të ishte në krye të negociatave për koalicionin dhe në rast të dështimit të tyre dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, ai do të ishte sërish kandidat për kancelar. Sigurisht nuk është e lehtë për të, të jetë në radhën e dytë dhe t'i shërbejë një gruaje, të cilën ai në mbrëmjen e zgjedhjeve ju drejtua: Ju nuk do të jeni kancelare. Nga ana tjetër nuk ka edhe aq rëndësi për të kush është kancelare. "Provokimi personal" të cilin ka përmendur Schröder do të ishte për Angela Merkel më i madh.

"Braunschweiger Zeitung" e komenton kështu përvijimin e koalicionin të madh në Gjermani: Sa kushton një post kancelari? Një president federal, dy portofole ministrore, një gjysmë dyzinë sekretarë shteti? Prej katër javësh qytetarët gjermanë po përjetojnë një lojë të papërfytyrueshme, fushën e së cilës ata vetë e shenjuan. Kujt po i bëhet vonë nga kokat partiake për miliona të papunë, për bllokimin e reformave dhe katastrofën financiare? Bëhet fjalë për shpërndarjen e posteve, për pushtet, ndikim dhe imazh. Përvijimi i koalicionit të madh po hedh hije që tani. Zamallahia e tanishme të bën të kuptosh se çfarë mund të sjellë ai: gjendje stanjacioni, shërbim vetvetes, politik në emëruesin më të vogël të përbashkët. Por këtë nuk mund t' ja lejojmë vetes. Po qe se koalicioni do të qeverisë ashtu siç po negocion, atëherë kjo do të na kushtojë shtrenjtë.

Ndërrojmë temë:
Drama e refugjatëve afrikanë që dynden këto ditë në brigjet spanjolle është temë tjetër e të përditshmeve gjermane.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: Qeveria spanjolle po bën atë që
është zgjidhja më e përafërt. Ajo po ngre më lart telat e kufirit, po aktivizon marrëveshjen e kthimit dhe bën thirrje për përgjegjësinë evropiane. Ndoshta kjo do të ketë një efekt zbrapsjeje, por nuk do të ulë presionin e ilegalëve, vetëm do t'a kalojë atë në drejtime të tjera. Edhe nga ajo nuk mund të lehtësohesh, aq sa nga një politikë e kontrolluar e pranimit të emigrantëve. Një kuotë e ulët e pranimit nuk do të ndryshonte gjë, një kuotë e lartë do të ishte e papranueshme politikisht. Kështu që mbetet zhvillimi i një politike, e cila përpiqet të ngushtojë humnerën e thellë të mirëqenies nga të dyja anët. Por kjo aq sa është e drejtë, është dhe e parealizueshme, sepse edhe nëse ajo mund të ketë një lloj ndikimi, ai ndodhet larg, në horizontin e së ardhmes.

Ndërsa gazeta e Berlinit "taz" komenton kështu: Si gjithmonë politika bën fjalë për "nevojë akute për të vepruar". Telat e kufirit ngjiten akoma më lart, patrullat detare shtohen, refugjatët kthehen ashpërsisht andej nga kanë ardhur. Kërkohen ndihmësit e ndihmësve, të cilët po i shtojnë Evropës punën jo dhe aq të këndshme të mbrojtjes nga refugjatët. Italia po bashkëpunon mjaft mirë me Libinë, ofron logjistikë dhe përvojë, financon kampe në shkretëtirë, paguan transportin e kthimit të ilegalëve në vendlindje. Po qe se edhe Maroku bën të njëjtën lojë atëherë edhe Spanja do të ndjekë të njëjtën rrugë.

  • Data 07.10.2005
  • Autor Deutsche Welle/Shqip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtU
  • Data 07.10.2005
  • Autor Deutsche Welle/Shqip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtU