1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vëllezërit myslimanë në anën e ushtarakëve

Viktoria Kleber / E. Xhani27 Nëntor 2011

Ndërkohë që në sheshin Tahrir vazhdojnë protestat, vëllezërit myslimanë ngjisin postera elektoralë. Ata kanë bërë marrëveshje me Këshillin Usharak dhe pengojnë kështu lëvizjen protestuese.

https://p.dw.com/p/13Hx6
Ushtarët egjiptianë
Protesta të shumta në KajroFotografi: dapd

Në sheshin Tahrir ata nuk janë më të mirëpritur. Pllakate, postera dhe grafite e bëjnë këtë të qartë: "vëllezër myslimanë, largohuni!", shkruhet në to, ose "Sheshi thotë: vëllezërit myslimanë janë si regjimi i vjetër."

Ndërsa në altoparlantë, demonstruesit thërrasin: "Vëllezërit myslimanë tradhëtuan revolucioni tonë, janë në krah të ushtarakëve.“

Njerëzit në sheshin Tahrir janë të zemëruar. Ndërkohë që shumë prej tyre vdisnin në shesh, vëllezërit myslimanë ngjisnin postera, bënin fushatë elektorale. Krahu i tyre politik, partia "Liri dhe Drejtësi" është distancuar nga demonstrimet, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të mos marrin pjesë në to. Kështu ajo është forca e vetme politike, që pozicionohet kundër protestës.

Pamje nga protestat
Protesta deri në zgjedhje apo dhe më gjatë?Fotografi: dapd

Vëllezërit myslimanë në krah të ushtarakëve, kundër protestës

Vëllezërit myslimanë e dinë: qetësia duhet të rikthehet së shpejti, që të jetë e mundur mbajtja e zgjedhjeve. Sheshi Tahrir duhet të zbrazet. Ata duan me çdo çmim që të mbahen zgjedhjet parlamentare, në të cilat kanë shanse të mëdha për sukses. Ndërkohë që forcat liberale refuzojnë të ulen në një tryezë me Këshillin Ushtarak, vëllazëria myslimane ka arritur një marrëveshje me të: zgjedhjet zhvillohen të hënën (28.11.2011), në këmbim ata nuk do të dalin në rrugë.

Pasi nëse zgjedhjet do të shtyheshin, kjo do të thoshte humbje votash për partinë "Liri dhe Drejtësi". Ata janë të organizuar mirë, kanë një avantazh gjigant kundrejt partive liberale, të cilat janë formuar vetëm pas rrëzimit të Mubarakut. Ata kërkojnë të bindin një për një demonstruesit, të lëshojnë sheshin. U vendosën në disa radhë mes demonstruesve dhe policisë, të ngjeshur fort pas njëri-tjetrit. Vazhdimisht ka zënka mes vëllezërve myslimanë dhe demonstruesve.

Pa vëllazërinë myslimane në sheshin Tahrir mungojnë "burrat"

Nga marrëveshja e vëllazërisë myslimane me Këshillit Ushtarak demonstruesit ndihen të tradhëtuar. Vëllazëria myslimane është forca më e madhe politike në vend, ajo mund të mobilizojë shumë njerëz. Pa mbështetjen e saj, do të jetë e vështirë të detyrohet të japë dorëheqjen Këshilli Ushtarak. "Vëllezërit myslimanë janë oportunistë", thotë Amira, një demonstruese. "Atyre u intereson vetëm influenca e tyre, për Egjiptin nuk u bëhet vonë."

Vëllazëria myslimane i hedh poshtë këto kritika. Zgjedhjet parlamentare janë hapi i parë drejt demokracisë, thotë Dina Zakaria, zëdhënëse shtypi e partisë "Liri dhe Drejtësi". Por askush në sheshin Tahrir nuk beson se Këshilli Ushtarak do e çojë Egjiptin drejt demokracisë. „Ne nuk do ta luajmë më lojën e pistë me Këshillin Ushtarak", thotë Amira. Demontruesit kërkojnë dorëheqjen e Këshillit Ushtarak dhe nuk duan zgjedhje të mbikqyrura prej tyre.

Vëllezërit myslimanë të ndarë - jo të gjithë i binden drejtuesve

Sheshi Tahrir
Tahriri çdo ditë me protestaFotografi: dapd

Por jo të gjithë vëllezërit myslimanë i përmbahen urdhërave të drejtuesve. Në radhë të parë anëtarët e rinj të vëllazërisë dalin megjithatë në shesh, edhe në luftën kundër policisë ishin në ballë dhe ndihmojnë edhe në spitalet fushore. "Unë nuk përfaqësoj asnjë grup", thotë motra myslimane Mona, "unë jam këtu për të ndihmuar të tjerët, kjo është detyra ime si egjiptiane." Kështu mendojnë shumë vëllezër të rinj myslimanë, dhe kanë ardhur në numër të madh në shesh.

Protetestat nuk i mbështesin vetëm më të rinjtë. Në vëllazërinë myslimane shumë jo-anëtarë kanë ngritur zërin kundër vendimit të partisë, madje edhe në radhët e drejtuesve të organizatës ka pasur diskutime. Shumë prej tyre nuk i japin rëndësi llogarisë politike, si partia "Liri dhe Drejtësi".

Vëllazëria myslimane ka humbur besueshmërinë

Partia "Liri dhe Drejtësi" përkrah Këshillin Ushtarak kundër protestave, por vëllazëria myslimane është e përçarë.

"Është një gabim i madh taktik", thotë eksperti për Lindjen e Afërme Joseph Kechichian në intervistë me Al-Xhazirën. „Vëllazëria myslimane ka humbur besueshmërinë dhe kështu edhe mbështetje dhe anëtarë."

Edhe partitë e tjera, aleate të partisë 'Liri dhe Drejtësi' janë të inatosura. Ayman Nour, një kandidat liberal për president, tha në një konferencë për shtyp se do ta rishikojë aleancën e partisë së tij me partinë "Liri dhe Drejtësi". Dy parti të tjera vepruan në të njëjtën mënyrë.

Duket sikur me etjen për pushtet, vëllazëria myslimane po i bën gropën vetes. Por në radhë të parë ajo minon lëvizjen protestuese. Nga sheshi Tahrir të hënën (28.11.2011) askush nuk do të shkojë të votojë.