1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Urime me rastin e festës së Bajramit!

Bekim Shehu3 Nëntor 2005

Me rastin e festës së Fiter Bajramit, udhëheqësit shpirtërorë të besimit islam në Kosovë, u bëjnë thirje anëtarëve të grupit negociator të Kosovës që të unifikojnë qëndrimet dhe të harrojnë ndasitë

https://p.dw.com/p/Aqsj
Pas agjërimit, festimi
Pas agjërimit, festimiFotografi: AP

Udhëheqësit shpirtërorë të besimit islam në Kosovë, kërkojnë nga qytetarët e këtushëm dhe udhëheqësit e tyre politik që të angazhohen maksimalisht në këtë fazë të bërjes së shtetit të Kosovës, siç thonë ata. Një thirrje të veçantë udhëheqësit e besimit islam i drejtojnë grupit negociator të Kosovës. Duhen lënë mënjanë ndasitë, përçarjet, të harrojnë bajraktarizmat dhe të unifikojnë qëndrimet në këtë peiudhë shumë të rëndësishme për vendin thuhet në thirrjen që Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, i drejton politikanëve kosovarë.

Sot, mijëra besimtarë të fesë islame në të gjithë vendin po festojnë këtë festë pas një muaji agjërimi. Udhëheqësit politikë në Kosovë ata ndërkombëtarë dhe vendorë, urojnë besimtarët islam për festën e tyre. Ata shprehen, se mesazhi i paqes që sjell vet kjo festë është ai që edhe Kosova e dëshiron prej kohësh. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, uron që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë pavarësinë. Kryeministri Bajram Kosumi, thotë se, edhe këtë herë kjo festë le të shërbejë si reflektim për mirëkuptim, besim, paqe dhe drejtësi duke theksuar, se Kosova është shembull i harmonisë ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare. Zëvëndëshefi i UNMIK-ut, Lari Rosin, në mesazhin tij thekson, se festa e Fiter Bajramit, karakterizohet nga një frymë vëllazorore dhe që për një moment harrohen ndasitë. Pra le të marrim shkas nga që në Kosovë të vazhdojë paqja dhe dialogu në mes komuniteteve dhe e gjitha kjo për të ardhmen e Kosovës, uron në mesazhin e tij, Lari Rosin. Siqodoftë, të gjitha thirrjet më rastin e festës së Fitër Bajramit, drejtohen për unitet ndërsa, uniteti i plotë kërkohet që të ketë në mesin e anëtarëve të grupit negociator të Kosovës. Zyrtarë nga presidenca njoftojnë, se në fillim të javës së ardhshme grupi negociues do të zhvillojë edhe një takim, ku shpresohet që të arrihet dakordimi për formimin e grupeve të punës që do të ndihmojnë negociatat.