UNMIK-u përkrah vendimin e Qeverisë për UP - Senati i UP kundërshton! | FOKUS | DW | 27.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

UNMIK-u përkrah vendimin e Qeverisë për UP - Senati i UP kundërshton!

Një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës Arsim Bajrami, shpërndarjen e Senatit dhe shkarkimin e dekanëve të Fakultetve dhe Shkollave të larta, kanë pasuar reagimet e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Kah po shkon Universiteti i Prishtinës?!

Kah po shkon Universiteti i Prishtinës?!

UNMIK-u dhe OSBE-ja kanë thënë se mbështesin fort vendimin e Qeverisë pasi me këtë hap rikthehet legjitimiteti i qeverisjes në Universitet, forcohet stabiliteti dhe i hapet rruga vazhdimit të reformave, të cilat do të rrisin standardet akademike. Ndëkohë, ka reaguar edhe Senati i Universitetit të Prishtinës, ku përmes disa konkluzioneve hedhë poshtë vendimin e Qeverisë dhe fton udhëheqësit e deritashëm të UP-së të vazhdojnë punën më tutje.

Qeveria e Kosovës të martën me një vendim ka shkarkuar strukturat drejtuese të Universitetit të Prishtinës me në krye rektorin Arsim Bajrami. Kjo është bërë e ditur nga ministri për arsim Agim Veliu, i cili tha se Qeveria shpallte të pavlefshme zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës të mbajtura pas 1 dhjetorit të vitit 2004. Ministri Veliu, tha të martën se detyrën e rektorit do ta kryejë një ekip prej tre vetësh që përbëhet nga kryesuesi i Bordit i Këshillit të Universitetit, zëvendësi i tij dhe nga sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë, Agim Veliu, shprehu bindjen se rektori Bajrami do të respektojë vendimin e Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, rektori Arsim Bajrami ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë.

Problemet mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Prishtinës kanë filluar në dhjetorin e vitit të kalura kur Ministria shpalli zgjedhjen e rektorit, të Senatit dhe të dekanëvë si të parregullta dhe të pavlefshme. Që nga ajo kohë Ministria ka kërkuar zgjedhje të reja për drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Ndërkohë, të mërkurën UNMIK-u dhe OSBE-ja kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e rektorit Arsim Bajrami. Ky hap i Qeverisë do të rikthejë legjitimitetin në Universitetin e Prishtinës dhe do të forcojë stabilitetin në këtë institucion arsimor publik në Kosovë, vlerësoi zëdhënësi i UNMIK-ut Niraxh Sin:

“UNMIK-u përshëndet vendimin e Qeverisë së Kosovës për rikthimin e ligjshmërisë në Universitetin e Prishtinës. Vendimi i Qeverisë dhe Ministrit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji përmban një plan konkret veprimi me të cilin do të rivendoset ligjshmëria dhe do të forcohet stabiliteti në Universitet.” tha Sin për të shtuar:

“Ne përgëzojmë Qeverinë për këtë hap të saj. Është vlerësimi i zëvendësshefit të UNMIK-ut Lari Rosin, se vendimi i Qeverisë ka qenë i domosdoshëm për të mundësuar vazhdimin e reformave të cilat Universitetin e Prishtinës do ta radhisin në mesin e universiteteve të njohura ndërkombëtare që kanë standardet më të larta akdemike.”

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përkrahur edhe nga Oraganizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ndërkaq, duke marrë shkas vendimin e Qeverisë së Kosovës, Senati i Universitetit të Prishtinës në një mbledhje të jashtëzakonshme, pas diskutimeve të shumta - ka hedhur poshtë vendimin e Qeveisë nr. 37/2005 duke e shpallur të papranueshëm. Prorektori i Unveristetit të Prishtinë Haxhi Ferati:

“Senati i Universitetit të Prishtinës konsideron se Udhëzimi administrativ nr. 37/2005 i Qeverisë së Kosovës për ndërhyrje në UP është i paligjshëm, shkel autonominë e UP, pengon zhvillimin e reformave dhe mbarëvajtjes në UP dhe si i tillë është i papranueshëm dhe hidhet poshtë.”

Senati i Universëitetit të Prishtinës ka kërkuar nga strukturat udhëheqëse të Universitetit që të vazhdojnë punën dhe të sigurojnë funksionimin e plotë të punës në UP.

Vendim i Senatit për të mos respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, UNMIK-ut dhe OSBE-së ka futur situatën në Universitetin e vetëm publik të Kosovës në një rrugë pakrye. Ndërkohë, në lojë po përgatiten të hyjnë edhe studentët, të cilët përmes organizatës së tyre studentore kanë parlajmëruar për ditën e enjte protesta kundër siç thonë ata “ndërhyrjes së Qeverisë në punët e Univeristetit të Prishtinës.

  • Data 27.07.2005
  • Autor Fadil GASHI, Prishtinë
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqjT
  • Data 27.07.2005
  • Autor Fadil GASHI, Prishtinë
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqjT