1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNMIK-u nuk i pengon zgjedhjet presidenciale serbe në Kosovë

Bekim Shehu / Prishtinë16 Janar 2008

Zyrtarët e UNMIK-ut thonë, se zgjedhjet e Serbisë janë jashtë kompetencave të tyre. Udhëheqësit e shqiptarëve në Kosovë janë kundër zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, por kjo çështje nuk është në dorën e tyre.

https://p.dw.com/p/CqTi
Selia e UNMIK-ut në PrishtinëFotografi: picture-alliance/ dpa

Zyrtarë të lartë të misionit të kombeve të bashkuara në Kosovë, thotë se ata nuk do t'i organizojnë zgjedhjet presidenciale serbe në Kosovë, mirëpo, as nuk do ta pengojnë procesin e votimit. Zgjedhjet presidenciale serbe mbahen me 20 janar dhe ato do të zhvillohen edhe në teritorin e Kosovës. Qendra votimi do të ketë të hapuara pothuaj në të gjitha rajonet e Kosovës, ndërsa, më të koncentruara natyrisht do të jenë në venbanimet ku jëtojnë më shumicë pjestarët e komunitetit serb. Misioni i OSBE-së, që nga përfundimi i luftës ka organizuar zgjedhjet në Kosovë, mirëpo, në rastin e zgjedhjeve të Serbisë, por që zhvillohen edhe në teritorin e Kosovës, kjo organizatë gjithmonë ka qëndruar anash.


Eli Fleen, është zëdhënëse e OSBE-së në Kosovë: "Ne nuk kemi marrëveshje dhe nuk kemi të bëjmë fare me këto zgjedhje, por natyrisht që nuk do t'i pengojmë ato, sepse janë krejtësisht jashtë kompetencave tona", thotë zëdhënësja Eli Fleen.


Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës, vazhdimisht kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në teritorin e Kosovës, mirëpo, kjo cështje nuk është në duar të tyre dhe ata nuk mund t'i pengojnë ato. Udhëheqësit kosovar, thonë se serbët e Kosovës është dashur dhe duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, të shikojnë nga Prishtina dhe jo nga Beogradi për faktin që e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe jo në Serbi. Sidoqoftë, edhe pse misioni i UNMIK-ut, nuk do të jetë i përfshirë në organizimin e zgjedhjeve të Serbisë, megjithatë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, do të ngritin nivelin e sigurisë përreth vendbanimeve serbe ku do të zhvillohet procesi zgjedhor për zgjedhjet presidenciale serbe.