Universiteti i Konstancës, universitet elitar | Shkenca & Edukimi | DW | 24.05.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shkenca & Edukimi

Universiteti i Konstancës, universitet elitar

I vogël, i ri, provincial? Po. Rreth 10.000 studentët e kampusit të Universitetit të Konstancës vlerësojnë seminaret me pak pjesëmarrës që nxisin dëshirën për diskutime dhe bibliotekën që qëndron e hapur 24 orë.

Universiteti i Konstancës

Universiteti i Konstancës


Universiteti i Konstancës donte gjithmonë të luante në kategorinë e të mëdhenjve. Prandaj edhe profesorët që në fillim e quanin «Harward-i i vogël te Liqeni i Konstancës». Me shaka, vetëkuptohet, sepse Konstanca nuk mund të matet as me buxhetin disa-milionësh të Harwrd-it e as me namin e tij në botë.


"Harvardi i vogël tek Liqeni i Konstancës"

Profesorët dhe studiuesit e Konstancës megjithatë kanë shkaqe për të qenë krenarë për kampusin e tyre. Ai shtrihet mbi mal, midis pyllit dhe lëndinës dhe, me pamjen shumëngjyrëshe të stilit të viteve 1960-a, nganjëherë duket si shesh lojnash. Kur një dorë profesorësh vizionarë më 1966 e themeluan «universitetin- reformë», synimi ishte të ndërtohej diçka moderne. Ai duhet të ishte më i hapur nga universitetet tradicionale e të dallonte prej tyre jo vetëm për nga koncepti studimor, por edhe për nga ndërtesat, të cilat duhet të reflektonin konceptin e ri.


Dyer të hapura, veshë të hapur

Vërtet që në dimër ndodh nganjëherë që në seminar, papritur e papandehur, të pikojë tavani. Vërtet që arkitektura me ngjyra të shumta e të ndezura kallëzon për një stil të vjetruar ndërtimi. Por për nga struktura, Konstanca është më moderne se kurrë. Koncepti i seminareve të vogla, i dyerve dhe veshëve të hapur të profesorëve dhe i një kampusi ku takohen të gjitha degët, ka dhënë fryte.

Bibliotheka e Universitetit

Bibliotheka e Universitetit

Që nga viti 2007, Universiteti i Konstancës bën pjesë në rrethin e përzgjedhur të universiteteve elitare të Gjermanisë. Injeksioni financiar që mori me këtë rast për hulumtimet, si edhe të ardhurat nga tarifat studentore – 500 Euro për semestër – e bëjnë të këndshëm studimin në Konstancë. Kolokiume të reja, më shumë vende për doktorantë dhe më shumë shanse për studentët që një pjesë të të ardhurave t'i nxjerrin duke punuar nëpër katedra, siç i thonë në gjermanisht studentische Hilfskraft, shkurt "HiWi", janë disa nga pasojat pozitive.

Një nga synimet e Nismës së Ekselencës së qeverisë gjermane për përmirësimin e nivelit të shkollave të larta është edhe rritja e përqindjes së grave ndër profesorë. Prandaj edhe në Konstancë është zgjeruar tashmë qendra për talentet shkencore. Universiteti i jep rëndësi të madhe veçanërisht bashkëpunimit intensiv ndërmjet Drejtuesve të Rinj të Grupeve të Talenteve dhe shkencëtarëve mysafirë nga brenda dhe jashtë vendit.

Biblioteka – zemra e universitetit


Zemra e Universitetit të Konstancës është biblioteka. Ajo ndodhet në qendër të kampusit universitar dhe ka është një nga bibliotekat me prezencën më të madhe të librave në Gjermani. E mira e kësaj është se në vend që t'i hysh punës së mundimshme për t'i porositur librat nëpër katalogët kompjuterikë, në Kontancë shkon thjesht te raftet dhe i gjen të gjitha librat që të nevojiten për një temë – dhe kjo 24 orë në ditë. Kush preferon më mirë të mësojë në shtëpi, mund të regjistrohet në qendrën kompjuterike dhe nga kompjuteri i vet të kërkojë në të gjithë katalogët, revistat dhe bankat e të dhënave. Për këtë shërbim, në vitin 2010, Biblioteka e Universitetit të Konstancës mori emrin «Biblioteka më e mirë e vitit». Titulli jepet çdo vit nga ndër të tjerash Shoqata e Bibliotekave Gjermane.

Koha më e bukur është ajo e provimeve. Megjithëse rrëmuja është e madhe, gjithmonë do ta gjesh një strofkë të rehatshme në kampusin e ngatërruar, ku, tek vret mendjen për shkencë, të mund t'i lësh mendimet të enden përmbi liqen. Oborri i brendshëm i korpusit universitar shërben në këtë periudhë si dhomë shtesë jozyrtare seminaresh: Studentët, me kafe dhe çaj në dorë, diskutojnë për temat e seminareve ose thjesht këmbejnë thashethemet më të fundit të jetës studentore.

Autor: Elena Singer / Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama

  • Data 24.05.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/11N7A
  • Data 24.05.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/11N7A