Universiteti i Këlnit fiton titullin universitet i nivelit të ekslenecës | Shkenca & Edukimi | DW | 12.04.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shkenca & Edukimi

Universiteti i Këlnit fiton titullin universitet i nivelit të ekslenecës

Këlni nuk është as i qetë si Heidelbergu dhe as i famshëm si Mynihu. Qiratë janë të larta dhe kërksa për banesa më e lartë se oferta. Por studentët vërshojnë me mijëra në universitetin e ekselencës buzë Rinit.

default

Me një lëvizje të stërvitur shkencëtari i ri me maskë mbrojtëse në fytyrë dhe përparëse laboratori, e kap nga bishti miun e vogël. Me kujdes e çon në një enë me ujë dhe e lëshon atje me ngadalë. Kafshëza e vogël noton me lëvizje të shpejta duke kërkuar një vend për t'u mbajtur. Atë e gjen më në fund në një ishull të vogël prej metali në mes të ujit. Sa shpejt do të arrijë miushi të orientohet në enën me ujë dhe të gjejë platformën e pushimit të fshehur nën sipërfaqen e ujit? Kjo varet nga mosha, gjendja shëndetësore dhe stërvitja e kafshëzës.

Projekti CECAD

Me këtë sekuencë të shkurtër filmike grupi kërkimor CECAD i Universitetit të Këlnit prezanton në internet punën e tij. CECAD është shkurtimit i "Cellular Stress Responses in Aging-Associated Diseases", një nga projektet e mëdha model të Universitetit të Këlnit, i cili merret me sëmundjet e lidhura me moshën. Me eksperimentin me miun shkencëtarët duan të mësojnë më shumë rreth proceseve të plakjes edhe në trupin e njeriut. Kjo më vonë mund të ndihmojë në zhvillimin e terapive për sëmundje të lidhura me moshën.

Laborator i projektit CECAD

Laborator i projektit CECAD

Gara sjell 110 milionë euro shtesë në Këln

Paratë për punën e studiuesve të plakjes vijnë nga fondi i garës për titullin e ekselencës. Universiteti i Këlnit është që nga viti 2012 universitet ekselence në Gjermani, një nismë që mbështetet nga Federata dhe landet. Titulli i sjell universitetit plot 110 milionë euro shtesë për kampusin, për një periudhë pesëvjeçare. Para, të cilat shkojnë jo vetëm për shkencëtarët e CECAD, por edhe për një qendër tjetër të madhe kërkimore për prodhimin e qendrueshëm të bimëve dhe dy shkollave të doktoraturës, njëra në fakultetin e Filozofisë dhe tjetra në atë të Fizikës dhe Astronomisë.

Kur gjatë viteve të kaluara universitetet në Mynih, Karlsruhe, Berlin apo Heidelberg ishin kandidatët kryesorë në garën për ekselencën, askush nuk habitej. Por me Universitetin e Këlnit nuk ishin të shumtë ata që llogarisnin. Me më shumë se 40.000 studentë ai bën pjesë në universitetet e masës në Gjermani. Kryesisht në degët mjekësi, juridik dhe ekonomik, por edhe në degët e pedagogjisë kërkesat nga studentët janë të shumta. Në Kln diplomohen pjesa më e madhe e studentëve të landit me popullsinë më të madhe në Gjermani, Renania Veriore - Vetsfalia (Nordrhein-Westfalen).

Jo universitet klasik tradite si Heidelbergu apo Tybingeni

Universiteti u themelua në Këln para më shumë se 600 vjetësh, në vitin 1388. Pas Pragës, Vjenës dhe Heidelbergut, Këlni u bë themeluesi i katërt i një universiteti në Mesjetën e vontë në Perandorinë Gjermane. Por ndryshe nga Heidelbergu i mbledhur, Këlni nuk është një universitet klasik tradite. Qiratë janë të larta, është e vështirë të gjesh banesë dhe imazhi i vjetër i qytetit u shkatërrua në masë të madhe gjatë Luftës së II Botërore. Megjithatë studentët vërshojnë me mijëra në qytetin e katedrales buzë Rinit.

Në verë festohet në natyrë

Kur pyet përse, shumë japin si shpjegim atmosferën e qytetit, ku është shumë e lehtë të futesh në bisedë me të tjerët. Përreth universitetit, në jugperëndim të Këlnit, të rinjtë popullojnë rrugët, sheshet dhe lëndinat. Në verë festat vazhdojnë deri në orët e mëngjesit, edhe jashtë në natyrë, me pije dhe mish në grilë. Dhe kush shkon me metro në leksion në një mëngjes të ftohtë shkurti, ka të ngjarë të ketë përbri një cowboy, pirat apo ari. Këlni është qendra kryesore e karnevaleve në Gjermani dhe në kohën e festës në qytet mbizotëron situatë e jashtëzakoshme.

Welcome Center

Welcome Center

12 për qind e studentëve në Këln janë të huaj

Rreth 12 për qind e studentëve dhe 6 për qind e pedagogëve vijnë nga jashtë. Universiteti e mbështet shprehimisht këtë zhvillim. Për këtë arsye në faqet e tij të internetit ai bën reklamë edhe për "Welcome Center" – Qendrën e Mirëseardhjes për studentët dhe shkencëtarët e huaj, e cila në vitin 2008 pati zënë vendin e katërt në një garë kombëtare.

Ky orientim ndërkombëtar pasqyrohet edhe në grupin kërkimor CECAD. Në ekipin e qendrës së ekselencës punojnë 400 shkencëtare dhe shkencëtarë nga e gjithë bota, të lidhur ngushtë me studiues jashtë universitetit dhe në plan ndërdisiplinar. Pesë vjet me radhë ata kanë studiuar së bashku proceset e plakjes së qelizave. Në të ardhmen në bashkëpunim me shoqatën Max-Planck qendra do të zgjerohet për t'u bërë më e madhja e këtij lloji në të gjithë Evropën për studimin e plakjes.

  • Data 12.04.2013
  • Autor Svenja Üing / Eliana Xhani
  • Opinioni Juaj: Na shkruani!
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/18ExY
  • Data 12.04.2013
  • Autor Svenja Üing / Eliana Xhani
  • Feedback
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/18ExY