Ukraina voton: Petro Poroshenko përballë Volodymyr Selenskyj | Bota | DW | 21.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Ukraina voton: Petro Poroshenko përballë Volodymyr Selenskyj

Petro Poroshenko kërkon mandat të ri, por në Ukrainë ka shumë të pakënaqur. Aktori i komedisë, Volodymyr Selenskyj sfiduesi i Poroshenkos në zgjedhjet e së dielës ka shumë shanse, por jo ndonjë program të qartë.

„Askush nuk do të blejë derr në thes, duhet zgjedhur një president i vërtetë dhe kreu i forcave të armatosura, që ta çojë vendin në NATO dhe BE". Kështu tha presidenti dhe kandidati për president, Petro Poroshenko së fundmi para përkrahësve. Kjo deklaratë është edhe lajtmotiv i fushatës së tij. Poroshenko kërkon të zgjidhet për një mandat të dytë dhe pozicionohet me të gjithë fuqinë që të paraqitet si burrë shteti për të sfiduar aktorin e komedisë, Volodymyr Selenskyj.

Ukraine Präsidentschaftswahl 2019 | Debatte - Poroschenko vs. Selenskyj (Reuters/V. Ogirenko)

Petro Poroshenko

"Presidenti më i mirë i Ukrainës"

Poroshenko është prej dy dekadash në politikë. Ai ka qenë në katër parti, katër herë deputet, dy herë ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Prej 5 vitesh ai është president i Ukrainës, më i miri në historinë e re të Ukrainës, thotë politologu, Andreas Umland. „Ai ka qenë shumë i suksesshëm në politikën e jashtme, shumë i sigurtë dhe bindës në arenën ndërkombëtare, një diplomat i mirë që flet mirë anglisht", thotë Umland. Arritja më e madhe e Poroshenkos është nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit me BE dhe heqja e detyrimit të vizës në hapësirën Shengen, si edhe pavarësia e Kishës Ortodokse Ukrainase.

Krahas votuesve „patriotikë", që duan distancim nga Rusia, Poroshenko gjen përkrahje edhe tek firmat që janë më pak nën presionin e autoriteteve të financave dhe mbikqyrjes, dhe të burokracisë. Megjithë luftën në lindje, në vend vijnë investitorë. Megjithatë korrupsioni mbeti një temë e rëndësishme e fushatës.

Kurs i ri metoda të vjetra

Por si u kryen reformat - Ishte presioni politik i lidershipit apo i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe BE që e shpëtuan vendin nga falimentimi dhe kërkuan reformat? Këtu ndahen kritikët e përkrahësit e Poroshenkos. Rezultati i mandatit 5 vjeçar të Poroshenkos -16% vota në raundin e parë - reflekton skepticizmin e madh kundrejt tij. Ndërkohë që aktori i komedisë, Volodymyr Selenskyj arriti të marrë dyfish më shumë vota pa një program të qartë politik dhe pa ekip të përgatitur zgjedhor.

Politologu Andreas Umland është i mendimit se Poroshenko nuk e zbatoi slloganin e tij „Të jetojmë në një mënyrë të re". „Ai erdhi në post si pasojë e një rebelimi kundër oligarkëve, megjithëse vetë është oligark. Ai nuk mundi ta tejkalojë këtë paradoks, duke vijuar kështu sundimin e një rendi oligarkik," thotë politologu.

Oleh Rybatshuk, ish-zëvendëskryeministër,  thotë se Poroshenko dëshironte të ndiqte një kurs të ri proeuropian, por iu përmbajt modeleve të vjetra oligarkike. Ai nuk e bëri realitet dëshirën e njerëzve për marrëdhënie të reja pushteti. Sipas themeluesit të lëvizjes „Tshesno" - Ndershmëri Poroshenko vetë miliarder nuk i rezistoi dot tundimit për t'u përzierë në gjëra që nuk janë çështje e presidentit. „Shërbimi sekret i Ukrainës nuk kujdeset për mbrojtjen nga spiunazhi, por sulmon gjithmonë politikën dhe ekonominë. Gjykatat nuk janë ende të pavarura, dhe vendimet varen nga zyra presidenciale. Ai është i rrethuar nga persona hapur të korruptuar dhe mbyll sytë para kësaj", kritikon Rybatshuk.

Ukraine Präsidentschaftswahl 2019 | Debatte - Poroschenko vs. Selenskyj (Reuters/V. Ogirenko)

Volodymyr Selenskyj

Po Volodymyr Selenskyj?

Shprehja qesh më mirë kush qesh i fundit e përshkruan më së miri situatën e kandidatit për president, Volodymyr Selenskyjt. Njeriu që prej vitesh i bën të qeshin nga ekrani ukrainasit, ka shanse të mira të zgjidhet president i Ukrainës në raundin e balotazhit më 21 prill. Sipas sondazheve, dy të tretat e ukrainasve do të japin votën për komedianin. Selenskyj fitoi famë si aktor në serinë e komedisë, „Shërbëtor i popullit". Ka vëzhgues që thonë madje, se kjo seri e ndihmoi Selenskyjn në suksesin e tij në politikë. Në seri trajtohet korrupsioni politik në Ukrainë, hakmarrja ndaj elitës politike me një njeri që vjen nga jashtë saj. Me 41 vjeç Selenskyj, djali i një profesori nga Kryvyj Rih, zemra e industrisë së hekurit në juglindje të vendit, do të ishte presidenti më i ri ukrainas. Një burrë i shkurtër, sanguin, me një zë pak të ngjirur por të këndshëm.

Ukraine Präsidentschaftswahl 2019 | Debatte - Poroschenko vs. Selenskyj (Getty Images/AFP/V. Maximov)

Ukrainasit ndjekin debatin e kandidatëve

Drejt fitores me mesazhe në video

Por kritikët nuk shohin tek Selenskyj një figurë të pavarur politike. Ata mendojnë, se pas tij fshihet një oligark tjetër, Ihor Kolomojyks nga Dnipro. Qëllimi i kësaj aleance është të pengohet që Poroshenko të fitojë sërish zgjedhjet, thonë ata. Jo vetëm kandidatura e Selenskyjt ishte e pazakontë. Edhe fushata e tij ishte ndryshe. Paraqitjet në sheshe ishin shumë të rralla. Në vend të kësaj, ai zhvilloi një tur me shoun e tij nëpër Ukrainë, nuk dha shumë intervista dhe komunikonte me përkrahësit përmes mesazheve në video në rrjetet sociale. Me parulla kreative dhe një gjuhë të rinjsh, ai arriti të mobilizojë rininë ukrainase në lindje që të shkojnë në kutitë e votimit.

Por para balotazhit edhe gjuha e Selenskyjt u bë më agresive kundrejt rivalit Poroshenko. Ndërkohë ai mënjanoi përgjigjet për pyetjet e pakëndshme lidhur me programin e tij politik. Selenskyj premton një „Ukrainë të ëndrrave", një vend pa korrupsion, me rroga dhe pensione të larta, me internett ë shpejtë dhe rrugë të mira. Do të ketë „më shumë pushtet" për popullin, më shumë referendum, më shumë drejtësi, më shumë siguri. Lufta në Ukrainën Lindore duhet të marrë fund. Se si do ta arrijë këtë, për këtë Selenskyj thotë pak. Llogaria duket qartë: mundësisht të bëjë për vete sa më shumë votues.