1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina ende në krizë qeveritare

Esther Hartbrich26 Korrik 2006

A do ta shpërndajë parlamentin presidenti Jushenko?

https://p.dw.com/p/ArAW
Simpatizantë të Julia Timoshenkos protestojnë para parlamentit në Kiev
Simpatizantë të Julia Timoshenkos protestojnë para parlamentit në KievFotografi: AP

Presidenti ukrainas, Viktor Jushenko, vazhdon të heshtë. Viktor Janukoviç i ka dërguar atij propozimin për të krijuar koalicionin kundër krizës. Në bazë të kushtetutës, Jushenko ka kohë deri më 1 gusht të mendojë për këtë propozim, pastaj ai duhet ta propozojë Janukoviçin si kryetar qeverie në parlament.

Vëzhguesit thonë, se Jushenko do ta shfrytëzojë këtë afat, për të mundësuar që në koalicion të përfshihet edhe partia e tij nga blloku "Ukraina jonë". Janukoviç ndërkohë e ka theksuar gatishmërinë për zgjerimin e koalicionit: "Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo politikan që punon për interesat e popullit. Konfirmojmë edhe një herë gatishmërinë për të pranuar në koalicionin kundër krizës bllokun "Ukraina Jonë"."

Por debati ndërmjet koalicionit kundër krizës dhe bllokut "Ukraina Jonë" po ashpërsohet gjithnjë e më shumë.

Deputetët e koalicionit kundër krizës vendosën të hënën më 24 korrik në mbrëmje që nuk do ta miratojnë shpërndarjen e parlamentit. Presidenti i parlamentit Oleksander Moros ka kërcënuar, se në qoftë se Jushenko do ta shpërndajë parlamentin ilegalisht në Ukrainë do të përsëritet një situatë e ngjashme me atë të të Rusisë në vitiin 1993. Presidenti Boris Jelcin asokohe pat drejtuar tanket ndaj disa deputetëve që në shenjë proteste ishin strehuar në ndërtesën e parlamentit.

Deputetë të bllokut "Ukraina Jonë" e quajnë këtë deklaratë të kryeparlamentarit kërcënim. Pjesë e kursit të konfrontimit është sipas tyre edhe kërkesa e shumicës parlamentare për të ftuar për audiencë në parlament presidentin Jushenko. Nukula Katarinshuk nga partia 'Ukraina jonë' ankohet: "Nuk është me vend që mbas deklaratës së djeshme të kryeparlamentarit Moros, Jushenko të vijë për të folur. Apeli ka karakter provokues dhe nuk i sjell dobi dialogut."

Kushtetuta parasheh që presidenti Jushenko duhet të shpërndajë parlamentin meqënëse 60 ditë pas seancës së tij të parë, ende nuk është krijuar qeveria. Këshilltari i presidentit për çështje juridike, Igor Koljushko: "Në se presidenti do të marrë vendim në bazë të nenit 90 të kushtetutës për shpërndarjen e parlamentit, atëherë parlamenti humb automatikisht të drejtën për të marrë vendime të tjera"

Të hënën, 24.07., të 125 deputetët e "Bllokut Julia Timoshenko" patën dorëzuar mandatet e deputetëve. Partia synon të arrijë kështu zhvillimin e zgjedhjeve të parakohsshme. Jushenko megjithatë nuk duhet të jetë i interesuar në shpërndarjen e parlamentit. Zgjedhjet e parakohshme mund t'i sillnin edhe më shumë vota "Partisë së Krahinave", që në mars mori një të tretën. "Portokallia" kështu do të të humb edhe më shumë pushtet në parlament.

Tre muaj mbas zgjedhjeve me shumë vështirësi arriti të krijohej një koalicon i portokalltë, por krejt papritur socialistët ndryshuan krahun dhe u bashkuan me komunistët dhe "Partinë e Krahinave". Flitet që ata të jenë blerë. Parlamenti ukrainas mori vendim të martën më 25 korrik që të ngrerë një komision hetimor ku do të shqyrtohen se sa të vërteta janë këto akuza.