Ujdi për koalicionin e vjetër në Ukrainë - Opozita parasheh përkeqësim të marrëdhënieve me Rusinë | Bota | DW | 23.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ujdi për koalicionin e vjetër në Ukrainë - Opozita parasheh përkeqësim të marrëdhënieve me Rusinë

Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë partitë e të ashtuquajturit "revolucioni i portokalltë" i kapërcyen mosmarrëveshjet dhe krijuan sërish koalicionin qeveritar

Julia Timoshenko, kryeministrja e ardhëshme e Ukrainës

Julia Timoshenko, kryeministrja e ardhëshme e Ukrainës

Julia Timoshenko, kryeministrja e emëruar nga aleanca qeveritare e portokalltë, në mëngjes dukej e çliruar teksa më në fund mundi të deklaronte: "Mua dha mua nderi i madh të shpall lajmin, për të cilin për fat të keq në mbarë vendin na u desh të presim disa muaj. Dua të komunikoj, se sapo është krijuar koalicioni i forcave demokratike i përbërë nga partia "Ukraina jonë" dhe "Blloku Timoshenko" e partia socialiste."

Blloku Timoshenko në zgjedhjet parlamentare në fund të marsit fitoi me gati 22% shumë më tepër vota se dy antarët e tjerë të koalicionit. Me nënshkrimin të enjten (22.06) merr fund grindja disa muajshe në Ukrainë për krijimin e aleancës qeveritare. Me 243 deputetë nga 450 ishte qysh në fillim mëse e qartë mazhoranca e partive të portokallta.

Megjithatë blloku i presidentit "Ukraina jonë" paralelisht ka pasur bisedime edhe me fituesen në zgjedhje "partinë e rajoneve". Ideja ishte, që një aleancë e tillë, e quajtur në Ukrainë koalicioni i gjerë, mund të influenconte në unifikimin e vendit të përçarë politikisht. Kjo pasi "partia e rajoneve" mbron interesat e qytetarëve me prejardhje ruse, e atyre që flasin rusisht si dhe të ukrainasve të orientuar nga Moska. Ndoshta kjo ka qenë vetëm taktikë, për të rritur presionin ndaj dy partnerëve të tjerë të koalicionit "bllokut Timoshenko" dhe socialistëve në mënyrë që këta të bënin lëshime.

Grindje ka pasur për zënien e posteve, por edhe në aspektin politik partitë e portokallta kanë pozicione të ndryshme. Socialistët janë kundër anëtarësimit në NATO, blloku "Ukraina jonë" është për një politikë liberale ekonomike, blloku Timoshenko është për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Ndoshta për këtë arësye koalicioni s´do ta ketë jetën e gjatë.

Pjotër Simonjenko, deputet dhe shef i partisë opozitare komuniste, i trembet pasojave negative të koalicionit të portokalltë: "Padyshim që do të rriten dukshëm kontradiktat në fushën e ekonomisë. Mosmarrëveshjet me federatën ruse do të thellohen dhe do të bëhen më të vështira. Kjo do të bëjë që në radhë të parë do të vuajnë prodhuesit vendas. Pasoja mund të jetë paralizimi i industrisë kimike që do t´i jepte një goditje serioze potencialit të eksporteve të vendit në industrinë e hekurit, të energjetikës dhe në degën e armatimeve."

Me këtë Simonjenko ka parasysh problemet e mëdha të vendit nga rritja e çmimit të gazit rus në fillim të vitit. Qysh pas revolucionit të portokalltë janë tronditur raportet mes Rusisë dhe Ukrainës. Vëzhguesit e shohin politikën ruse të gazit si faturë që duhej paguar për revolucionin. Por koalicioni i portokalltë s´duhet të jetë indiferent për raportet me Rusinë, jo vetëm prej varësisë që ka Ukraina prej gazit rus, por edhe sepse në Ukrainë jetojnë miliona rusë dhe rusofonë, që e shohin me skepticizëm kursin e integrimit perëndimor dhe refuzojnë kategorikisht antarësimin e vendit në NATO.

  • Data 23.06.2006
  • Autor Ester Hartbih
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLB
  • Data 23.06.2006
  • Autor Ester Hartbih
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLB
Reklamë