Udhëtimi i Papës i shërben dialogut midis të krishterëve dhe të krishterëve | Studimi në Gjermani | DW | 29.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Udhëtimi i Papës i shërben dialogut midis të krishterëve dhe të krishterëve

Vizita e Papës në Turqi është një nga temat më të komentuara të politikës së jashtme në shtypin e sotëm gjerman

Kisha St. Georg, Stamboll

Kisha St. Georg, Stamboll

Ja ç'shkruan për këtë vizitë gazeta SÜDKURIER që botohet në Konstancë:

"Benedikti XVI ka nisur një mision tepër sensibël. Qeveria e Ankarasë e përdor vizitën e tij si dëshmi për aftësinë evropiane të Turqisë. Me fjalime të mprehta inteligjente si ato që mbajti në Regensburg, Papa do të tregohet i përmbajtur. Fjalët e tij ditët e ardhshme duhet të jenë të sjellshme dhe lëvduese. E thënë ndryshe: që nuk thonë asgjë. Shumë i madh do të ishte dëmi në korridorin e komunikimit perëndim-lindje, po të kuptohen gabimisht fjalët",

LEIPZIGER VOLKSZEITUNG është gjithashtu e mendimit se vizita e Papës ka edhe dimension politik:

"Edhe nëse dëgjon të thuhet se vizita e Papës Benedikt XVI në Turqi ka një sfond fetar, nuk mund të mohosh dimensionet politike të vizitës. Veprimet dhe shprehjet e kryetarit të kishës më të madhe kristjane të botës kryhen gjithnjë me efekt në publik dhe nën vlerësim të përbotshëm. Me dëshirë apo pa dëshirë, ato janë vizita shtetërore."

Më konkretisht me dimensionin politik të vizitës së Papës në Turqi merret gazeta HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf:

"Megjithatë ai u krye, shtrëngimi i duarve midis Papës Benedikt XVI dhe kryeministrit turk Erdogan. Kreu i katolikëve dhe kreu i partisë së moderuar islamike folën për gjithçka në Ankara. Ky është një përparim i rëndësishëm. Mosmarrëveshjet në prag të vizitës tregojnë se kemi të bëjmë me gjithçka tjetër, por jo me gjendje normale diplomatike. Me guxim sillen të dy: Benedikti XVI, pasi pas shprehjeve fatkeqe të keqkuptuara për fenë islame ai përballet edhe me kritikët e tij. Erdogani, pasi e bëri të mundur takimin e anulluar për shkak të protestave brenda vendit. Me këtë ai dërgon një sinjal drejt shoqërisë turke, por edhe në drejtim të Evropës",

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG është më skeptike dhe përpiqet të gjejë kuptimin e vërtetë të takimit të papritur të Erdoganit me Papën:

"A ishte arsyeja shtetërore që e bëri Erdoganin të marrë një qëndrim më miqësor, apo e gjitha ishte planifikuar që në fillim në këtë mënyrë? Sjellje si midis burrave të shtetit kjo lojë me Papën megjithatë nuk ishte. Pastaj Erdogani edhe pohoi se në bisedën e përshëndetjes Benedikti mbështeti anëtarësimin e Turqisë në BE. Më parë në Vatikan lexuam deklarata të tjera. Me sa duket, vetëm pasi të jetë shtruar pyetje për sqarim do të merret vesh se çfarë ka thënë Papa me të vërtetë, dhe para së gjithash, se çfarë ka pasur ai me të vërtetë në mendje; një "pjesë e BE", siç citohet, pikërisht, anëtar i asociiuar, Ankaraja ka kohë që është. Koncepti këtë rast do të kishte të bënte me "partneritet të privilegjuar". Që Benedikti e ka quajtur Turqinë "urë kulturash", këtë askush nuk mund t'ia marrë për ters. Azija e Vogël ka qenë e tillë edhe në antikitet"

Ndërsa ALLGEMEINE ZEITUNG, që del në Mainc trajton aspektin fetar të vizitës së Papës në Turqi:

"Përse merr Papa rrugën për në Turqi, ku duket se nuk është i mirëpritur? Përgjigja është tmerrësisht e thjeshtë: udhëtimi i tij nuk synon t'i shërbejë dialogut midis të krishterëve dhe myslimanëve, por midis të krishterëve dhe të krishterëve. Papa gjerman do të cojë përpara atë që Papa polak u përpoq më kot ta bënte, të kapërcejë pas më shumë se 950 vjetësh ndarjen e kishave të krishtera."

Të njëjtën pyetje për synimin e udhëtimit të Papës shtron edhe NÜRNBERGER ZEITUNG:

"Përse ky udhëtim në shpellën e luanit? Sepse në Turqi ekziston një minoritet i krishterë ortodoks, të cilin në këtë vend, që mburret më fjalë pa fund për lirinë e fesë, nuk e lejojnë të ngrejë as një seminar për priftërinj. E parë në aspektin historik, kisha katolike nuk është fare pa faj në këtë gjendje që të rëndon. Tani Papa kërkon të ndërmarrë gjithcka për të mundësuar një kthesë drejt së mirës. Për këtë shkak - dhe vetëm për këtë shkak - Papa mund të pajtohej në fund ndoshta edhe me një anëtarësim në BE të Turqisë."

  • Data 29.11.2006
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arml
  • Data 29.11.2006
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arml