1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të gjithë krerët e shtetit të Kosovës këtë javë në Bruksel

Bekim Shehu
16 Korrik 2018

"Ekipi gjithëpërfshirës i Kosovës për dialog me Serbinë", por pa opozitën, takohet të mërkurën (18.07)në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. Thaçi i vetëm takohet me Vuçiqin.

https://p.dw.com/p/31X0q
Kombo-Bild Kosovo Hashim Thaci und Serbien Aleksandar Vucic
Fotografi: picture-alliance/AA/EU Council

Të gjithë udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës udhëtojnë në Bruksel më 18 korrik, në ditën kur presidenti Hashim Thaçi, takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Njoftimi për delegacionin e gjerë të Kosovës që udhëton për në Bruksel vjen nga qeveria e Kosovës, delegacion ky që duket të jetë "ekipi gjithëpërfshirës për dialog me Serbinë", por tash për tash pa prezencën e opozitës kosovare, e cila në kuvendin e Kosovës ka 59 deputet nga 120 sa ka parlamenti.

"Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Frederica Mogherini në Bruksel. Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, do t'i konfirmojnë znj. Mogherini përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës", thuhet në një njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Pas takimit me shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, merret vesh se nga delegacioni i gjerë i Kosovës, në tavolinën e bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të marë pjesë vetëm presidenti Hashim Thaçi.

Partitë politike opozitare nuk po pranojnë të jenë pjesë e ekipit gjithëpërfshirës në dialog me Serbinë që po e kërkon me çdo kusht presidenti i Kosovës. Madje njëra nga partitë opozitare, krahu i ndarë i lëvizjes Vetëvendosja, Partia Social Demokrate, po mbledh nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme në përpjekje për ta parandaluar presidentin që ta udhëheqë dialogun me Serbinë.

"Duke e pasur parasysh ndikimin politik që ka ky dialog dhe ndikimin e marrëveshjes eventuale që del prej tij në procesin e shtet-ndërtimit, zhvillimit, e demokracisë në Republikën e Kosovës, përmes kësaj seance të jashtëzakonshme deputetët nënshkrues do të kërkojnë që diskutimi dhe vendimmarrja t'i kthehet kuvendit, organit më të lartë legjislativ", thuhet në një njoftim të kësaj partie.

Por janë edhe dy partitë politike më të mëdha opozitare, lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-ja, që kurrësesi nuk po pranojnë që dialogu me Serbinë të udhëhiqet nga presidenti i vendit. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një platforme për dialog kërkon konsensus politik, por siç shprehet ai, nuk më vjen mirë që "LDK-ja do ta bllokojë procesin e dialogut për shkak të inateve".

"Unë besoj shumë që ai dokument do të jetë vetëm një nismë e mbarë e ndërtimit të një konsensusi të përgjithshëm, të cilin e kam ofruar, në mënyrë që të gjithë bashkarisht pozitë dhe opozitë të jemi në procesin e dialogut dhe në të njëjtën kohë në finalizimin e procesit për anëtarësim në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Kjo tek e fundit është arsyeja pse shkojmë në dialog", është shprehur kryetari i kuvendit Kadri Veseli, duke bërë thirrje në të njëjtën kohë që "opozita t'i bashkohet këtij karvani".

Në përgjigje të këtyre akuzave, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se para se Kosova të hyjë në fazën finale të dialogut me Serbinë, këtu duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme, sepse sipas tij, këto institucione nuk kanë legjitimitet, sepse partitë në pushtet nuk janë shumicë në parlament. "Këto institucione nuk kanë legjitimitet për të udhëhequr dialogun, aq më tepër kur qeveria e ka humbur shumicën në kuvend, kurse presidenti nuk ka mandat që të udhëheqë dialogun. Në parim, LDK-ja qëndron si parti për dialog, sepse është e vetmja mënyrë për t'i zgjidhur çështjet, por dialogu duhet të zhvillohet nga institucionet që janë legjitime. Për momentin nuk ka institucione legjitime që mund të udhëheqin me këto procese të rëndësishme", është shprehur shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Një ekip gjithëpërfshirës të Kosovës, ekip konsensual për dialog me Serbinë po e kërkon edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. "Nuk ka alternativë tjetër pos dialogut dhe Kosova duhet të jetë e gatshme. Punoni së bashku tani për një ekip gjithëpërfshirës, ekspertësh dhe konsensual. Fokusohuni në qëllimet e qarta afatgjatë të Kosovës", shkroi në një postim në Twitter Greg Delawie. E mbështetja e SHBA-së në dialogun me Serbinë është shumë e nevojshme tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë para se të niset për në Bruksel, pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco. "Mbështetja e SHBA-së në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, liberalizimin e vizave, finalizimin e dialogut me Serbinë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj", tha Haradinaj.

Sidoqoftë, në takimin e fundit të 15 qershorit në Bruksel të dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, u pajtuan që "të intensifikojnë punën në javët në vazhdim", në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë po e kërkon edhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që Serbisë t'i hapet rruga për anëtarësim, ndërsa Kosova të vazhdojë të njëjtën rrugë, por fillimisht në përmbushjen e kritereve që dalin nga marrëveshja e stabilizim asocimit (MSA) e nënshkruar në tetor të vitit 2015 ndërmjet BE-së dhe Kosovës.