1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të dëgjoje Radio Tiranën, të kushtonte lirinë

Aida Cama15 Shtator 2007

Në vitet shtatëdhjetë Radio Tirana transmetonte dy herë në javë programe në gjuhën gjermane, për të shpërndarë idetë e komunizmit shqiptar. Çfarë ndodhte me ata që dëgjonin Radio Tiranën në Gjermaninë lindore?

https://p.dw.com/p/BfuH
Old radio setFotografi: AP
undefined undefined

Të dashur dëgjues të Radio Tiranës,
Ju falenderojmë përzemërsisht për letrat tuaja. Ne jemi të interesuar të marrim lajme se dëgjohemi. Ju lutem, vazhdoni të dëgjoni programet tona dhe të na informoni cilat materiale ju interesojnë më shumë. Na shkruani ju lutem edhe nëse keni vërejtje për emisionet tona. Edhe një herë ju faleminderit,
Me përshëndetje të përzemërta
Radio Tirana,

Një letër të tillë Radio Tirana ja dërgonte maj të vitit 1975 një dëgjuesi, banor të RDGJ (ish Gjermanisë lindore). Për fat të keq kjo letër nuk ka mbërritur kurrë tek dëgjuesi, sepse ka rënë në duart e sigurimit të shtetit gjermanolindor, Stasi-t. Stasi survejonte prej kohësh qytetarët që dëgjonin Radio Tiranën ose merrnin materiale propagandistike nga Shqipëria.

Sot dokumenti mban numrin 19933 dhe ndodhet në arkivat e Stasi-t. Së bashku me dy dokumenta të tjera që tregojnë çfarë ka ndodhur me dy banorë të RDGJ (Gjermanisë lindore) që dëgjonin Radio Tiranën.

Dokumenti me numër 15137, i Sektorit qëndror të ministrisë së sigurimit (MfS), Sektori qëndror, IX, ka të bëjë me

"Straftaten gegen die staatliche und öffentliche Ordnung"

Personi: ...X... geboren am 1953 në Magdeburg, Dreher, VEB SKL Magdeburg,
wohnhaft: Magdeburg,
Ermittlungsverfahren ohne Haft eingeleitet am 28 Aprill 1981
sipas paragrafit 220 (1) StGB
Bearbeitung durch BV Magdeburg
OV der Abt. XX der BV Magdeburg

Dokumenti na njeh me një proces gjyqësor, të zhvilluar më 28 prill 1981 kundër një njeriu që kish lindur në vitin 1953 në Magdeburg, me profesion axhustator. Ai nuk është dënuar, por vetëm hetuar nën akuzën se:

BdT Deutschland DDR Mauer Gedenken an STASI Opfer
Kryqet kujtojnë të vrarët pranë Murit të Berlinit. Ata janë qëlluar me armë në përpjekje për tu arratisurFotografi: AP

I akuzuari X, dëgjon që prej 10 vjetësh me këmbëngulje, programet në gjuhën gjermane të Radio Tiranës, dhe identifikohet gjithnjë e më shumë me përmbajtjen e këtyre programeve, të cilat drejtohen kundër shteteve socialiste. X-i ka vizituar për herë të parë ambasadën shqiptare në kryeqytetin e DDR (RDGJ) në vitin 1977 dhe që prej atëherë e deri tani ka qenë 24 herë gjithsej në këtë ambasadë, ku ka marrë materiale të bollshme agjitative dhe propagandistike.

Në nëntor të 1978 ai u njoh në ambasadën shqiptare në Berlin me një person nga Berlini perëndimor, le ta quajmë "Y", i cili ndodhej po ashtu në ambasadë. Ai është takuar me të tri herë njëra pas tjetrës në Berlin dhe Magdeburg. Nëpërmjet "Y-it" i akuzuari u njoh në vitin 1979 me një qytetare të Gjermanisë perëndimore me emrin, le ta quajmë "Z...", me të cilën pati dy takime personale në Magdeburg. Të dy personat i mbushën mendjen X-it për çështjen e Partisë Komuniste Gjemane e reformuar, krahu marksist leninist (KPD/ML) dhe i kërkuan që të merrte pjesë në aktivitetet që zhvilloheshin në Gjermaninë lindore për publikimin e materialeve të kësaj partie.

Deutschland DDR STASI Schiessbefehl Dokument
Dokumentat e një ish bashkëpunëtori të Stasi-t, në të cilën ndodhet edhe një urdhër për të qëlluar me armë zjarri kundër atyre që përpiqeshin të arratiseshinFotografi: AP

Duke ju përgjigjur këtyre kërkesave i akuzuari ka shpërndarë nga vera e vitit 1978 deri në verë të 1980-ës numrat e marra me postë të gazetës "Roter Morgen- Mëngjesi i kuq" duke ja dërguar ato të adresuarve në Magdeburg, Karl Marx Stadt, Rostock dhe Gera si dhe në UdSSR dhe Kubë. Adresat ku duhet t'i dërgonte i ka nxjerrë nga gazetat dhe revistat gjermanolindore. Në postën që dërgonte ai vendoste pjesërisht materiale propagandistike shqiptare.

Meqenëse i akuzuari që prej verës së vitit 1980 për arsye që ai vetë nuk i di, nuk ka marrë më materiale, ka filluar të shkruajë me makinë shkrimi shkrimet e vetat, në të cilat ka sharë marrëdhëniet shoqërore në Gjermaninë londore. Duke patur si qëllim të fitojë sa më shumë simpatizantë për Partinë Komuniste gjermane të Reformuar "KPD/ML", ai ka zhvilluar që nga viti 1978 biseda me njerëz të fisit dhe kolegë pune, të cilët nuk i kanë pranuar thëniet e tij. Gjatë kontrollit të shtëpisë, X ju gjetën një seri shkrimesh sharëse.

Edhe një shtëpi është kontrolluar. Në të janë gjetur letra të shkruara për tu nisur drejt Radio Tiranës. Gjatë kontrollit të kësaj shtëpie janë gjetur po ashtu kopje të emisioneve të kësaj radioje. Këto na i tregon një tjetër në të cilin bëhet fjalë për hetimet që janë kryer kundër një personi të karakterizuar nga Stasi si brutal.


Straftaten gegen die Persönlichkeit.

Personi X... geb am .... 1944 , Kommunikationswesen, Fernschreibermechaniker, Deutsche Post, Fernmeldeamt, Karl Marx Stadt, Wohnhaft Karl Marx Stadt
Festgenommen am 10.11.1978
Ermittlungsverfahren eingeleitet gemäs § 130 StGB Bearbeitung durch BV Karl Marx Stadt
Hinweise aus der Bevölkerung und OV d. Abt XX

Dokumenti bën fjalë për një person le ta quajmë Zh, lindur në Qytetin Karl Marx, me profesion morsist. Zh. ka vendosur në vitin 1975 lidhje me Radio Tiranën dhe ka dërguar 30 letra në këtë radio. Letrat kanë patur përmbajtje pjesërisht urrejtjenxitëse kundër vendeve socialiste. Përmbajtja e letrave është identike me pikëpamjet politike të Partisë Komuniste gjermane të reformuar KPD/ML dhe me përmbajtjen e materialeve që shpërndahen në Gjermaninë lindore nga ambasada shqiptare ajo dhe kineze. Personi ndodhet nën hetim. Nën hetim ka qenë edhe një person tjetër, le ta quajmë Xh, i cili është arrestuar më 10.11. 1978. Në një dokument të shkruar me dorë dhe jo makinë shkrimi lexojmë: "Im EV wurde bekannt das..... Anfang 1975 verbindungen zum albanischen Rundfunksenders "Radio Tirana" aufgenommen hat.

Sipas të dhënave të veta, Zh ka dëgjuar rastësisht nga fundi i 1974 dhe fillimi i 1975 një program të radio Tiranës dhe ka parë se tezat e përhapura kundër zhvillimeve shoqërore në vendet socialiste përputhen me pikëpamjet e tij. Deri në ditën e arrestimit Zh. i ka dërguar 75 letra Radio Tiranës në të cilat ka shprehur qëndrimin e tij idelogjiko -politik dhe është lutur për informacione mbi jetën politike dhe shoqërore në Shqipëri.

Mbi përmbajtjen e programeve në gjuhën gjermane të Radio Tiranës do ju njohim në emisionin tjetër.