1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Tym i zi' nga bisedimet për paqe në Minsk

at/la(afp, dpa)25 Dhjetor 2014

Përfunduan pa sukses në Minsk bisedimet për arritjen e një armëpushimi afatgjatë mes Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë. Pas takimit duket se armëpushimi i përfolur vështirë se do të arrihet.

https://p.dw.com/p/1E9w5
Ukraine Friedensverhandlungen in Minsk
Pamje nga negociatat në MinskFotografi: picture-alliance/dpa

Bisedimet që nisën të mërkurën në Minsk, përfunduan pas pesë orësh pa pasur asnjë fjalë rreth një progresi të mundshëm. Një nga qëllimet kryesore ishte të sigurohej vazhdimi i një armëpushimi më të qëndrueshëm , siç ishte rënë dakort edhe në shtator në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Marrveshja dështoi të ndalonte luftimet mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë, edhe pse Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko tha në fillim të muajit se do të ketë një marrëveshje të suksesshme.

Ndër të tjera mendohet se është diskutuar për tërheqjen e armëve të rënda, si nga forcat ukrainase ashtu edhe nga separatistët, gjithashtu edhe shkëmbimi i të burgosurve. Bisedimet e së mërkurës ishin një mundësi për të diskutuar opcionet e një marrëveshjeje të mundshme që do të nënshkruhet ditën e premte. Por ka të dhëna se kjo gjë nuk do të ndodhë.

Ukraine Präsident Poroschenko spricht im Parlament
Nuk realizohet pritja e Poroshenkos se do të ketë marrëveshje të suksesshme.Fotografi: Reuters/Valentyn Ogirenko

Bisedimet e ardhshme të pasigurta

"Kishim një takim të parë të vështirë," tha për agjencinë e lajmeve AFP Denis Pushilin, lider i separatistëve për rajonin e Doneckut. "Data dhe koha e një takimi të ardhshëm nuk është përcaktuar ende. Është në diskutim," tha Pushilin. Ministria e Jashtme bjelloruse tha pas sesionit të parë tha se ende nuk është e qartë nëse do të ketë bisedime të premten.

Në bisedimet e së mërkurës ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë së Ukrainës, Rusisë, separatistët pro-rusë dhe OSBE. Mediat nuk u lejuan të merrnin pjesë gjatë bisedimeve dhe delegatët më pas u larguan pa bërë komente për reporterët.

Më shumë se 4,600 persona janë vrarë që prej nisjes së luftës në prill në rajonet lindore të Ukrainës Doneck dhe Luhansk. Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Moskën se po i hedh benzinë zjarrit duke mbështetur separatistët me armë dhe trupa, por Kremlini e ka mohuar një gjë të tillë.