Turqia, në pritje të Gjykatës Kushtetuese | Evropa | DW | 28.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Turqia, në pritje të Gjykatës Kushtetuese

Kriza rreth zgjedhjeve për presidentin e ri të Turqisë është ashpërsuar me ndërhyrjen masive të ushtarakëve. Kreu i ushtrisë kishte bërë të ditur me anë të një deklarate gjatë natës duke u gdhirë e shtuna (28.4.) se do ta mbrojë laicizmin me vendosmëri

Gyl dhe Erdohan

Gyl dhe Erdohan

Ndërkohë qeveria turke kishte reaguar ndaj kërcënimeve të ushtrisë. Kryeministri Rexhep Taip Erdohan (Recep Tayyp Erdogan), i cili kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Jasar Byiykanit (Yasar Büyükanit), ka deklaruar se toni i ashpër i ushtrisë e kishte – „habitur shumë". Zëdhënësi i qeverisë Xhemil Xhixhek (Cemil Cicek) tha se qeveria i kuptonte paralajmërimet e ushtrisë si të drejtuara ndaj saj. Por ai shtoi: „Të gjitha problemet e vendit mund të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe në përputhje me ligjin."

Natën, duke u gdhirë e shtuna, Shtabi i Përgjithshëm kishte publikuar një deklaratë në internet, në të cilën thekson, se po i vëzhgon me shumë shqetësim zgjedhjet aktuale për presidentin e vendit. Askush nuk duhet të harrojë, se forcat ushtarake „angazhohen me vendosmëri për mbrojtjen e laicizmit, pra të ndarjes së fesë nga shteti". Në rast nevoje, thuhet më tej, ushtria do ta bëjë të qartë qëndrimin dhe sjelljen e saj.

Në sfondin e këtyre kërcënimeve të hapura është fakti, që në zgjedhjet presidenciale, me ministrin e jashtëm Gyl (Gül) mund të dilte fitues një fetar. Për ushtrinë kjo është e papranueshme – edhe për faktin, se nën president që është një mysliman i shpallur si Gyl, ajo do të humbiste ndikim. Deklarata e Shtabit të Përgjithshëm u sjell turqve ndër mend disa kujtime të pakëndshme. Tri herë ka bërë puç ushtria në Turqi – në vitet 1960, 1971 dhe 1980 – si edhe më 1997-ën, kur përmes kërcënimeve masive, e largoi nga detyra kryeministrin e atëhershëm Nexhmetin Erbakan (Necmettin Erbakan).

Të premten (27.04.) u zhvillua votimi i parë për presidentin e ri, por kandidati i vetëm – ministri i jashtëm, Abdullah Gyl, nga partia islamiko-konservatore AKP, nuk mund t’i arrinte dy të tretat e nevojshme në parlament. Në shenjë proteste ndaj Gylit, opozita mbeti larg kutive të votimit dhe ndërkohë ka dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese. Sipas saj, meqenëse në parlament nuk kanë qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve, kandidati e kishte të pamundur të fitonte numrin e duhur të votave dhe kjo është kundërthënëse.

Gjykata Kushtetuese planifikon ta bëjë të njohur vendimin e saj deri të enjten (3.5.). Në se ajo e konsideron raundin e parë të zgjedhjeve në përputhje me kushtetutën, atëherë Gyl do të bëhet presidenti i ri. Se si do të reagojë ushtria më tej, kjo mbetet e hapur. Në se opozitës i jepet të drejtë, atëherë kjo do të thotë, jo vetëm zgjedhje të parakohshme, por edhe që në Turqi pakica në parlament mund maxhorancën. Përveç kësaj, ekziston dyshimi se Gjykata Kushtetuese, në vetvete është neutrale, është thyer para presionit të Ushtrisë.

Megjithatë, duke pasur parasysh tensionet e tanishme, zgjedhjet e parakohshme mund të shërbejnë si zgjidhja me më pak konflikte. Ato shkojnë me dëshirën e ushtrisë për të dobësuar fetarët në vend dhe i ofrojnë qeverisë aktuale të AKP-së islamiko-konservatore një zgjidhje që ofron shumë pak shkaqe për acarim.

  • Data 28.04.2007
  • Autor Ulrich Pick
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8D
  • Data 28.04.2007
  • Autor Ulrich Pick
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8D