1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia mbyll procesin kundër Orhan Pamuk-ut

Jörg Pfuhl23 Janar 2006

Në mesin e dhjetorit nisi në Turqi procesi kundër autorit të njohur Orhan Pamuk - dhe ai menjëherë u shty. Arsyeja: Ai ka "denigruar turqizmën", thuhet në aktpadi. Pamuk kishte deklaruar në një intervistë se gjatë masakrave në kohën e perandorisë osmane ishin vrarë një milion armenë.

https://p.dw.com/p/ArCG
Autori turk, Orhan Pamuk
Autori turk, Orhan PamukFotografi: AP

Nëse shenjat nuk gënjejnë, atëherë qeveria turke i ka bërë bisht përgjegjësisë dhe megjithatë e ka arritur oportunën politike. Procesi kundër Orhan Pamuk-ut, një katastrofë imazhi për Turqinë, është mbyllur. Turqia nuk po e dërgon në burg për tri vjet shkrimtarin e saj më të njohur. Megjithatë për shpallje pafajësie, për rehabilitim nuk mund të flitet, në rast se vërtetohen raportet mbi rrjedhën e së gjithës. Më tepër është mbyllur tinëz dosja pa shprehur qëndrimin.

Orhan Pamuk kishte thyer një tabu në shkurt 2005 kur në intervistë për një gazetë zvicerane kujtonte vrasjen në masë të armenëve në perandorinë osmane: "Këtu janë vrarë 30.000 kurdë dhe një milion armenë dhe thuajse askush nuk guxon ta përmendë këtë. Prandaj po e bëj unë dhe për këtë arsye më urrejnë", thotë Pamuk në intervistë. Vërtet atëherë u ngrit një valë indinjate: Librat e tij u dogjën, shtypi turk kërkoi ndëshkim. Autori mori kërcënime me vdekje dhe iu desh të fshihej për disa muaj. Një botues nacionalist turk e paditi dhe prokuroria ngriti padi për "denigrim të turqizmës".

Nën shoqërimin e thirrjeve të nacionalistëve turq në mes të dhjetorit u hap procesi. Një paragraf të tillë - denigrim të turqizmës - ka pasur dhe ka në kodin penal turk. Dallimi i vetëm midis dy kodeve qëndronte në faktin që në kodin e vjetër për një proces të tillë politik nevojitej leja e ministrisë së drejtësisë. Në kohën e intervistës së diskutueshme vlente ende kodi i vjetër. Pra prokurori e paditi sipas kodit të vjetër dhe kërkoi lejen nga Ankaraja. Për kaq kohë procesi mbetej pezull.

Me sa duket ministri i drejtësisë Çiçek zgjodhi portën e pasme për të dalë nga kjo dilemë. Ai nuk e refuzoi miratimin, por as nuk e dha atë. Sipas njoftimeve në shtyp, të cilat përputhen, ai deklaroi që të premten se nuk ishte përgjegjës për çështjen. Këtu ai iu referua kodit të ri penal, i cili nuk e parashikon të drejtën e refuzimit të lejes për ministrin. Në mungesë të lejes së qartë gjykata e mbylli tani procesin.

Komisioni Evropian në Bruksel e kishte cilësuar gjyqin që po i bënte Turqia shkrimtarit të saj më të madh "test lakmusi" për Turqinë: Sipas tij, në të vërtetë nuk qëndronte Pamuk-u para gjyqit, por Turqia. Qeveria zgjodhi tani portën e pasme për të dalë nga kjo sallë. Megjithatë nacionalistët turq do ta dënojnë mbylljen e procesit si bindje prej të nënshtruari përballë Evropës. Anketimet tregojnë se muajt e fundit partitë me drejtim nacionalist kanë shënuar rritje.

Në një gjendje më të palakmueshme sesa ajo e Pamukut të mbrojtur nga njohja e tij janë dhjetëra gazetarë dhe botues të vegjël: ata janë akuzuar për të njëjtin denigrim të turqizmës dhe në disa raste janë dënuar tashmë. Deri tani qeveria turke nuk ka treguar nëse do ta heqë paragrafin e diskutueshëm. Fillimisht, thuhet, do të pritet praktika juridike.