1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia mënjanon pengesën e fundit për fillimin e negociatave me BE

Ulrih Pik30 Korrik 2005

Turqia e ka nënshkruar të premten në darkë marrveshjen për Unionin e Doganave, me dhjetë vendet e anëtarësuara vjet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, në këtë marrveshje nuk thuhet qartë nëse Turqia e njeh integritetin e plotë territorial të pjesës greke të Qipros.

https://p.dw.com/p/AqjL
Fotografi: AP

Ishte ky ndoshta edhe mënjanimi i pengesës së fundit, për fillimin me tre tetor të negociatave për pranimin e Turqisë në BE. Megjithatë, mbetet të shihet nëse nënshkrimi prej Turqisë i Unionit të doganave, është vetëm pjesë e ndonjë note të bukur diplomatike, apo me të vërtetë do të funksionojë edhe në jetën e përditshme. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i ka shtuar nënshkrimit të tij se kjo kurrsesi nuk do të thotë edhe njeohje e plotëfuqishme e pjesës greke të Qipros.
Pikërisht këtu mbështeteshin shpresat e palës greko - qipriote, në pritje të nënshkrimit prej Ankarasë të këtij dokumenti. Në Nikozi shpresohej se me nënshrkimin e këtij dokumenti, Turqia pa ndonjë pompë të madhe do të njohë pjesën greke të Qipros.
Mirëpo, për një gjë të tillë, në Turqi ende nuk ekziston ndonjë klimë e përshtatshme. Çëshjta e Qipros në axhendën politike të Ankarasë, është jashtëzakonisht e ndjeshme. Prandaj më vëmendje është shikuar çdo hap i kryeministrit Erdogan, ndërkohë që disa prej subjekteve politike mendojnë se ai ka shkuar tepër larg.
Kritika ndaj nënshkrimit të kryeministrit Erdogan dëgjohen edhe në pjesën greke të Qipros. Presidenti Tasos Papadopullos tha se ata janë të zhgënjyer për faktin se edhe më tej mbetet një gjendje paradoksale, ku Turqia nuk e njeh një vend anëtar të Bashkimit Evropian, ndërkohë që synon futjen në këtë organizëm. Megjithatë, pala greke e Qipros nuk ka kërcënuar me mundësinë e përdorjes së vetos, për të penguar fillimin e negociatave me Turqinë për anëtarësim në BE. Ajo shpreson se ndonjë vend tjetër do të përdorë këtë mjet për të penguar futjen e Turqisë në BE, me qëllim që vet Qiproja të mos shpallet si faktor destruktiv. Grekët e Qipros thonë se marrveshja e nënshkruar për Unionin e doganave nuk do të sjellë asgjë të re. Kjo për faktin se ende nuk është e qartë nëse grekëve do t'u lejohet kalimi pa tatime me anije dhe aeroplanë në limanet dhe aeroportet e pjesës turke të Qipros. Mirëpo, ky hap i Turqisë do të sjellë përparësi në jug dhe në ujdhesat e emesdheut.
Ndërkohë presidenca britanike e Bashkimit Evropian ka paralajmëruar kontrollin e plotë të marrveshjes së nënshkruar. Vetëm atëherë do të jetë e mundur marrja e një vendimi të prerë të Bashkimit Evropian ndaj kumtesës turke.