Turqia: Ende deficite në fusha të rëndësishme | Evropa | DW | 01.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Turqia: Ende deficite në fusha të rëndësishme

Sipas një gazete gjermane, në të ashtquajturin raport progresi BE-ja i nxjerr Turqisë një dëftesë të keqe në fushat më të rëndësishme të reformave. Raporti do të prezantohet javën e ardhshme në Bruksel

Flamuri turk dhe monumenti i Kemal Ataturkut

Flamuri turk dhe monumenti i Kemal Ataturkut

Raporti mbi bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, të cilin Komisioni Evropian do ta paraqesë më 8 nëntor zyrtarisht, quhet tradicionalisht raport progresi. Por titulli nuk përputhet me përmbajtjen. Që prej vitit të kaluar nuk ka pasur përparime në Turqi, konstaton komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn.

Kërkohen reforma

Prej muajsh Olli Rehn përsërit mesazhin e vet për qeverinë turke: "Ka nevojë urgjente që Turqia të rigjejë hovin e reformave, për të përparuar shteti ligjor, të drejtat themelore dhe të drejtat të njeriut."

Liria e shprehjes mbetet ende e kufizuar, thuhet në projektraportin e progresit, nga i cili citon gazeta 'Financial Times Deutschland'. Ushtria nuk i nënshtrohet tërësisht kontrollit civil, prej hallkave shtetërore vazhdon të përdoret tortura. Pakicat nuk mbrohen mjaftueshëm. Korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë së drejtësisë janë problematike. Reformat politike kanë ngecur në përgjithësi.

Gjërat po ecin keq në Turqi

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Barroso, e nxorri javën e kaluar në intervistë me një gazetë këtë përfundim: "Më vjen keq që ta them, por gjërat po ecin keq."

BE-ja druhet se në Turqi mund të mbiotërojnë forcat nacionaliste, kritike ndaj Evropës. Veçanërisht të zhgënjyer janë negociatorët e BE-së nga fakti që në çështjen e Qipros nuk ka përparim, megjithëse në fillim të bisedimeve të anëtarësimit një vit më parë Turqia kishte premtuar përpunimin e anijeve dhe avionëve qipriotë dhe në këtë mënyrë edhe njohjen së paku tërthorazi të anëtarit të BE-së Qipro.

Çështja Qipros ka ngecur në vend

Në takimin e fundit të ministrave të jashtëm të BE-së me homologun turk Abdullah Gül, dy javë më parë në Luksemburg ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier nuk dalloi progres: "Jo, me një fjalë. Rreziku ende nuk është larguar. Ju e dini që nuk ka mosmarrëveshje vetëm në prapaskenë, por ato janë shfaqur hapur."

Ministri i jashtëm turk Gül tha në Luksemburg, se vendi i tij mund t'i afrohej Republikës greko-qipriote vetën në rast se i jepej fund izolimit të qipriotëve turq në veri të ishullit të ndarë. Qiproja kërcënon me veto kundër vazhdimit të bisedimeve për anëtarësim. Kryesia finlandeze po përpiqet me të gjitha forcat të gjejë një kompromis deri në samitin e BE-së në mes të dhjetorit.

Komisioneri evropian Rehn i bëri thirrje Turqisë dhe Qipros:"Mund të jetë mundësia e fundit për vite të tëra për zgjidhjen e problemit të Qipros. Prandaj të gjitha palët duhet të shfaqin vërtet vullnet politik në këtë çështje."

Bllokimi i bisedimeve do ishte katastrofë

Pezullimi i bisedimeve me Turqinë do të ishte një katastrofë politike për BE-në, kujtoi Komisioneri Rehn javën e kaluar. "BE-ja është tejet e rëndësishme për Turqinë si motorr për rritjen ekonomike dhe si spirancë për demokratizimin." Në Evropë nënvlerësohet rëndësia strategjike e Turqisë si urë midis civilizimeve, tha ai.

Disa shtete anëtare duan t'i tregojnë tani Turqisë kartonin e kuq dhe të pezullojnë bisedimet e anëtarësimit, të planifikuara për 10-15 vjet. Të tjera si përshembull Britania e Madhe druhen se një hap i tillë do ta thellonte refuzimin e BE-së në popullsinë turke. Parti antievropiane mund të përfitonin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Me sa duket, kancelarja gjermane Angela Merkel, kundërshtare e anëtarësimit të plotë të Turqisë, do ta trashëgojë problemin si kryetare e radhën në BE në gjashtëmujorin e parë 2007.

Ngecje por dhe përparime

Pavarësisht kritikës Komisioni Evropian pohon përparim të vërtetë në disa sektorë të politikës. Kështu është përmirësuar kualifikimi i juristëve dhe gjyqtarëve turq. Është iniciuar vendosja e një të ngarkuari, pranë të cilit mund të dorërohen ankesat e qytetarëve. Gjithnjë e më shpesh shtetasit po fitojnë në proceset për zhdëmtim kundër administratës.

  • Data 01.11.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9s
  • Data 01.11.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9s