Turqia drejt një fushate elektorale të polarizuar | Politika | DW | 10.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Turqia drejt një fushate elektorale të polarizuar

Kriza turke pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri e ka polarizuar më tej klimën politike

Rexhep Taip Erdogan

Rexhep Taip Erdogan

Beteja zhvillohet midis partisë në pushtet me rrënjë islamike AKP, e cila edhe propozoi ministrin e jashtëm Abdullah Gyl për president, dhe opozitës sekulariste të udhëhequr nga Partia republikane e popullit (CHP), e cila mendon se Gyli me formimin e tij islamik nuk është i përshtatshëm për postin. CHP-ja mbështetet nga ushtria dhe sistemi i drejtësisë.

Debat i zjarrtë për sekularizmin dhe islamizmin

Kandidati për president i partisë AKP nuk arriti të fitonte shumicën në parlament të dielën, pas protestave të shumta publike, kërcënimit të ushtarakëve sekularistë dhe vendimit të gjykatës kushtetuese për të anulluar votimin e parë në parlament për mungesë kuorumi. Tani vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakoshme parlamentare me një debat të zjarrtë për sekularizmin dhe islamizmin dhe me frikën për destabilitet politik pas 22 korrikut, datë kur do të mbahen këto zgjedhje.

Shumë njerëz në Evropë pyesin se çfarë ka ndodhur me partitë e qendrës së djathtë apo të majtë të cilat kanë patur një influencë të fortë në vitet 80-të dhe 90-të duke u bërë burim stabiliteti për vendin. Shumë vetë kujtojnë partinë ANAP (Partia e Mëmëdheut) e ish-presidentit dhe kryeministrit Ozal, që pati ndërmarrë reforma të rëndësishme liberale politike dhe ekonomike, apo partinë e kryeminstres së parë grua, Tansu Ciller DYP (Partia e Udhës së Vërtetë) dhe DSP (Partia e Majtë Demokratike) të Bylent Ecevit-it. Këto parti merrnin dikur 25% të votave kurse sot kanë një mbështetje me rreth 5%.

Sipas analistit politik Erhan Goksel, i cili është i njohur për sondazhet e suksesshme, ndryshime të mëdha kanë ndodhur në shoqërinë turke si rezultat i transformimeve ekonomike të viteve 80-të, liberalizimit të tregjeve, integrimit në sistemin ndërkombëtar. Këto ndryshime kanë prekur kryesisht shtresën e mesme të popullsisë që ka qenë edhe mbështetësja kryesore e forcave të qendrës. 20 vjet më parë këto parti kishin rreth 80% të elektoratit pas vetes kurse në zgjedhjet e 2002 vetëm 20%.

„Nuk është se ka ndryshuar shtresa e mesme e Turqisë dhe ka votuar për partinë me prejardhje islamike AKP në vitin 2002. Shtresa e mesme ka pësuar kolaps në aspektin sociologjik, ku shumica e saj ka kaluar në shtresën me të ardhura të vogla si rezultat i ndryshimeve të mëdha në vitet 80-të e 90-të. Përveç kësaj një shtresë e re borgjeze ka lindur në Anadoll në fund të viteve 90-të, e aftë të konkurronte dhe e hapur drejt perspektivës evropiane. Kjo shtresë ka qenë një mbështetëse e fortë për partinë AKP.“

Partia me rrënjë islamike AKP që e ushëheq Turqinë qysh prej 5 vitesh ka një bilanc mjaft të përzier përsa i përket demokracisë dhe sekularizmit. Ajo ka zbatuar deri tani reforma politike dhe ekonomike dhe ka bindur Bashkimin Evropian të hapë bisedimet për anëtarësim, 40 vjet pasi Turqia kishte shprehur dëshirën për këtë. Nga ana tjetër po kjo parti ka përhapur frikën e çrrënjsojes së sekularizmit me veprimet e saj si p.sh. detyrimi për të mbajtur perçe në shkolla dhe institucione qeveritare, dënimi i tradhtisë bashkëshortore duke e konsideruar atë si krim, apo ndalimi i konsumit të alkoholit në disa bashki të drejtuara nga partia AKP.

Qindra demonstrues kanë protestuat javët e fundit në Ankara dhe Stamboll për të ruajtur sekularizmin dhe kundër kandidatit për president të partisë AKP. Ata kanë mbajtur në duar flamuj të Turqisë dhe portrete të Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne dhe që insistoi në ndarjen e shtetit nga feja. Kërkesës së demonstruesve për bashkëpunim të forcave të qendrës i janë përgjigjur menjëherë forcat politike përkatëse. Kështu pas vitesh të tëra ndarjeje dy partitë e qendrës së djathtë ANAP dhe DYP janë bashkuar nën emrin Partia Demokratike. Sulejman Saribas, zëvendëspresident i ANAP thotë:

“Me fragmentimin e qendrës u krijua baza për polarizimin që përjetojmë sot. Ajo që duhet të bëjë Turqia sot është të bashkojë njerëzit në qendër. Partitë ANAP dhe DYP janë koshiente për këtë.”

Partia kryesore opozitare CHP i ka hapur dyert partisë DSP. Një parti tjetër e qendrës së majtë për të bashkuar forcat para zgjedhjeve. Hasan Ercelebi i DSP-së thotë se 50% e popullsisë e zgjedhësve nuk janë të përfaqësuar në parlamentin e tanishëm si rezultat i fragmentarizimit të partive dhe kufirit prej 10% për të patur të drejtën që partitë të futen në parlament.

“Tani njerëzit po kërkojnë nga partitë e majta e të djathta të bashkojnë forcat për të arritur një përfaqësim të drejtë në parlament. Vetëm me një bashkim focash mund të kapërcehet bllokimi nga legjislacioni i një përfaqësimi të drejtë të zgjedhësve.”

Konfiguracione të reja politike

Një pejsazh i ri politik mund të lindë në Turqi përpara zgjedhjeve të 22 korrikut, por ndarja kryesore duket të jetë sërish pozicioni ndaj sekularizmit dhe rolit të fesë në politikë. Sipas gazetarit me eksperiencë Sedat Bozkurt, roli i fesë në politikë ka traditë në këtë vend për më shumë se një qind vjet dhe ka forcën të përdoret si argument politik me influencë.

“Një grup po e shfrytëzon fenë për qëllime politike dhe një grup tjetër po politizon frikën ndaj sundimit të fesë. Këto lëvizje po merret seriozisht nga masat e njerëzve gjë që shihet edhe në protestat masive të kohëve të fundit. Megjithatë mbetet për t´u parë mbas zgjedhjeve nëse kjo do të reflektojë edhe qëndrimin e njerëzve në votim.”

Politikani Erhan Goksel ndan mendimin se diskutimi për sekularizmin do të dominojë fushatën elektorale të zgjedhjeve të parakohshme. Por ai ka dyshime nëse ribashkimi i partive të qendrës së djathtë do të japë rezultatin e dëshiruar.

“Turqia po shkon drejt një fushate elektorale të polarizuar. Njerëzit duket se do të hedhin votën sipas parimit: armiku i armikut tim është miku im. Kjo mund të çojë si rezultat në dhënien e votës partive të dyta në preferencë të votuesve. Ky fakt do të vështirësojë akoma më shumë futjen në parlament të partive të vogla pasi nuk do të mund të arrijnë numrin e nevojshëm të votave.”

  • Data 10.05.2007
  • Autor Ayhan Simsek/Degar Aka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqmE
  • Data 10.05.2007
  • Autor Ayhan Simsek/Degar Aka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqmE