1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: "Të gjithë janë të frikësuar"

Vera Kern18 Mars 2016

Rreziku nga sulmet terroriste në Stamboll: Felix Schmidt, drejtor i FES në intervistë me DW. Ai flet për shkaqet e mbylljes së ambasadës gjermane, konsullatës dhe institucioneve të tjera gjermane.

https://p.dw.com/p/1IFxs
Türkei Deutsches Konsulat in Istanbul
Fotografi: Reuters/M. Sezer

Deutsche Welle: Ambasada gjermane i paralajmëroi turistët gjermanë të martën për rrezikun e sulmeve terroriste në Angara. Ambasada është mbyllur ndërkohë që edhe në Stamboll është rritur niveli i gatishmërisë. Keni parë ju diçka të pazakonshme?

Felix Schmidt: Unë banoj në afërsi të konsullatës së përgjithshme gjermane. Atje kam parë forca të shtuara të sigurisë para godinës dhe një automjet të blinduar. Por në një qytet kaq të madh si Stambolli është e qartë se vazhdon edhe jeta normale. Ka shumë njerëz në qendër, në sheshim Taksim dhe rrugëve për në punë, të cilat kalojnë pranë konsullatës. Jeta në këtë metropol prej 16 milionë njerëzish megjithatë vazhdon.

Gati çdo muaj ka pasur ndonjë sulm vitin e kaluar, me shumë të vdekur - së fundi edhe në Ankara të dielën e kaluar. Në Stamboll janë vrarë në janar edhe turistë gjermanë, në Xhaminë e Kaltër. Si ndikon kjo në atmosferën e përditshme?

Të gjithë janë nervoz, të shqetësuar dhe të frikësuar. Kjo është pasojë e sulmeve të fundit në Ankara, njerëzit nuk ndihen të sigurt. Në veçanti të huajt e pyesin veten nëse duhet të largohen në këto kushte të rënda, apo ia vlen të vazhdojnë të jetojnë këtu.

Felix Schmidt Leiter der Friedrich-Ebert-Stiftung in Istanbul
Drejtues i zyrës së Fondacionit Friedrich-Ebert në Stamboll.Fotografi: Privat

Në çfarë konteksti duhet të kuptohen paralajmërimet e fundit për sulme terroste në Turqi ndaj institucioneve gjermane? Pse pikërisht në këtë moment?

Mund të dyshohet se ka të bëjë me samitin BE-Turqi, i cili zhvillohet këtë të premte në Bruksel. Ndaj është e mundur që kjo ka lidhje me këtë takim, ku është pjesëmarrës kryeministri Davutoglu. Ndoshta ka të bëjë me lëshimet tepër të mëdha të kancelares Merkel ndaj Turqisë. Ky mund të jetë një prej shkaqeve, por ky është natyrisht vetëm një spekulim.

Si e sheh komuniteti gjerman gjendjen e sigurisë në Stamboll, mendoni se po bëhet mjaft për sigurinë?

Shteti gjerman nuk mund të bëjë më shumë se sa të paralajmërojë. Pala turke ka bërë mjaft, ka rritur masat e sigurisë pranë godinave gjermane. Por në këtë mënyrë nuk mund të evitohet një sulm terrorist. Rreziku mbetet.

Felix Schmidt është drejtues i zyrës së Fondacionit Friedrich-Ebert në Stamboll. Zyra është në pjesën e qytetit Beşiktaş, rreth dy kilometra nga qendra. Ai ka kërkuar prej bashkëpunëtorëve që të mbeten në shtëpi.