Turqi: Shtim shqetësues i armëve ilegale | Bota | DW | 10.01.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: Shtim shqetësues i armëve ilegale

Çdo vit në Turqi vdesin nga armët e zjarrit rreth 4,500 vetë. 25 milionë pistoleta dhe pushkë duhet të jenë në duar private dhe numri i tyre është në rritje. Viktimat kryesore: gratë dhe vajzat.

Istanbul , in der Türkei nimmt die Zahl der Waffenbesitzer immer weiter zu (DW/Burcu Karakas )

Sipas vlerësimeve në Turqi janë në duart e personave privatë rreth 20 milionë armë zjarri ilegale

Nihat Palanteken nuk ka hyrë që prej katër muajsh në dhomën e vajzës së tij, Helinës. Në tetor të vitit të kaluar 17-vjeçaren e vrau me armë, kur ajo po kthehej për në shtëpi, një i njohur të cilit ajo më parë i kishte refuzuar një propozim për fejesë. Pas kësaj ai e qëlloi me armë, mu në mes të Stambollit. "Po prisja me padurim që ajo të fillonte studimet, të merrte diplomën dhe ta varja atë në një kornizë. Por kjo s'do të jetë më e mundur ... " - thotë Nihati me lot në sy.

Viktima prej të shtënave të armëve ka sot çdo ditë në Turqi. Prandaj Nihat Palantëkeni u bën thirrje autoriteteve dhe zyrtarëve të qeverisë të ashpërsojnë ligjin për armët. "Unë kërkoj që së paku të mblidhen armët e shumta ilegale. Kjo do të shpëtonte shumë jetë. Për shkak se këto armë janë kryesisht në duart e njerëzve me mentalitet të sëmurë dhe arsim të ulët." - thotë Nihati.

Nihat Palandëkeni tregon se vrasësi i së bijës u kap dhe u dënua, por shitësin e armës ilegale e liruan sërish. "Nëse vazhdon kështu, nesër mund të më godasë edhe mua ose dikë ndonjë plumb. Kësaj i duhet dhënë fund. Unë nuk dua që të tjerët të përjetojnë atë që kalova unë."

Porosi në internet

Bashkënxënësit  e Helinës u tronditën nga vrasja, por nuk u habitën shumë, sepse në Turqi sot nuk është ndonjë problem që të shtiesh në dorë një armë. "Kjo është shumë e lehtë. Armët mund t'i porosisësh në internet. Dhe t'i sjellin deri te dera. Vërtet e pabesueshme." - thotë një shoqe e saj e klasës.

Edhe pse tregtia në internet është zyrtarisht e ndaluar, por sidomos vajzat dhe gratë e reja kjo gjë nuk i qetëson, për shkak se ato janë viktimat kryesore të krimeve të armë zjarri.

Sipas vlerësimeve në Turqi janë në duart e personave privatë rreth 20 milionë armë zjarri ilegale. Dhe aty ndodhin mesatarish 5 vdekje në ditë - shkaktuar prej vrasjeve, aksidenteve me armë ose vetëvrasjeve. Një fushatë mbarëkombëtare e disa nismave qytetare dhe e një gazete të përditshme po përpiqet ta ndalojë këtë gjë. Vetëm vitin e kaluar janë shtuar pesë milionë armë private; aktivistët shohin për këtë një sërë arsyesh.

Lejet e armëve merren lehtë

"Një problem është se blerja e një licence armësh është bërë më e lehtë. Për të janë të mjaftueshme një dëshmi penaliteti dhe një raport mjekësor. Përveç kësaj gjatë dekadës së fundit janë rritur krimi dhe pasiguria politike. Së fundi favorizues është edhe fakti që dënimet për mbajtje armësh zjarri ilegale janë shumë të ulëta." - thotë  Ayhan Akcan, nga fondacioni "Shpresë".

KurseFatih Yandim, tregtar armësh, mendon se ndalimi i armëve të zjarrit nuk i pengon viktimat, më e mirë do të qe legalizimi i tyre. "Legalizimi i armëve duhet të bëhet më i lehtë. Se kështu armatosja e popullsisë do të ishte nën kontrollin e shtetit dhe numri i të vdekurve do të zvogëlohej, sepse autorët do të llogarisin që të kapen shpejt, ngaqë armët e tyre do të jenë të gjitha të regjistruara". Ai reklamon rregullisht pistoleta dhe armë zjarri në youtube. Kjo lloj reklame nuk është e ndaluar, thotë Fatih Yandim.

Çdo ditë, Nihat Palantëken viziton varrin e familjes, ku prehet edhe vajza e tij e madhe Helina. Një nga rreth 2,000 viktimat e dhunës me armë të vitit të kaluar. Nihat Palandëken dëshiron ta vazhdojë luftën për t'i dhënë fund çmendurisë së armëve në Turqi. Këtë ia ka borxh së bijës.