1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Kur studentët detyrohen të lënë shkollën

Selcuk Oktay
19 Mars 2019

Në pesë vitet e fundit mbi një milionë të rinj i kanë ndërprerë studimet në universitetet turke. Një shkak i rëndësishëm janë vështirësitë ekonomike - dhe kjo megjithë mbështetjen nga shteti.

https://p.dw.com/p/3FGKP
Türkei | Universitaet von Istanbul
Fotografi: picture-alliance/U. Baumgarten

"Kur im atë e humbi punën, mua nuk më mbeti gjë tjetër, veçse të ndërprisja studimet". Një numër i madh studentësh në Turqi i ndërpresin studimet për shkaqe financiare dhe nga frika e varfërisë. Njëri prej tyre është Kadiri. Të atin, i cili punonte si saldator, e pushuan nga puna, sepse bizneset në sipërmarrje nuk ecnin më si më parë. Kadiri i tha DW se për të atin ishte shumë e vështirë, që të ushqente katër fëmijë duke qenë i papunë.

Familja e Kadirit jeton në Stamboll. Ai vetë studionte në Universitetin Kocaeli, disa orë larg shtëpisë së tij. Në fillim ai jetonte në një konvikt studentësh, më vonë ai ndante një banesë me bashkëstudentët. Shpenzimi më i madh qe qiraja mujore. "Qiradhënësit i shihnin studentët si lopë, që mund t'i milnin pa pushim. Me 150 euro, qiraja jo vetëm që ishte shumë e shtrenjtë, por ajo shtrenjtohej sipas marrëveshjes vazhdimisht. Shteti më jepte si student një kredi prej 65 eurosh në muaj. Por kjo në asnjë drejtim nuk mjaftonte", shprehet Kadiri.

Numri i atyre që ndërpresin studimet gati dyfishohet

Në pesë vitet e shkuara, te ata që ndërprisnin studimet në universitetet turke pati një shtim të konsiderueshëm të numrit. Sipas ministrisë së Arsimit në Ankara, prej vitit 2013 1,1 milionë vetë që studionin ose e ndërprenë studimin e tyre ose e shtynë atë për një kohë të pacaktuar. Veçanërisht midis viteve 2017 dhe 2018 numri i atyre që e ndërprenë studimin u rrit me 92 përqind, në krahasim me periudhën e një viti më parë.

Njëri nga shkaqet kryesore janë aspekte ekonomike. Monedha turke në vitin 2018 humbi 30 përqind të vlerës së saj, fuqia blerëse ra shumë, e kushtëzuar nga rritja prej 20 përqind e çmimeve. Kjo është kriza më e rëndë ekonomike, që ka përjetuar Turqia në 15 vitet e fundit. Kësaj i shtohet edhe një kuotë papunësie prej 12 përqind. Këtë e ndiejnë rreth 7,6 milionë studentët në rreth 200 universitetet shtetërore dhe private të vendit.

Türkei Istanbul Boğaziçi Universität Junge Menschen auf Rasen vor Gebäuden
Fotografi: Universität Boğaziçi

Frika nga papunësia

Sipas sekretarit të sindikatave Özgür Bozdogan, shumë vetë kanë frikë se pasi të përfundojnë shkollën nuk do të gjejnë punë, prandaj shumë vetë vendosin të ndërpresin studimet. Që gjatë leksioneve ata vrasin mendjen si do të vejë puna e tyre, edhe kur përfundojnë me nota të mira. Bözdogan i tha DW: "Në kurset e studimit, për të cilat në tregun e punës ka probleme, ndërprerja e studimeve ndeshet më shpesh. Ndërsa në fakultetet e mjekësisë ky fenomen nuk ndodh."

Gjithnjë e më shumë studentë me borxhe

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, numri i kredive të studimit u rrit me më shumë se 11 përqind, midis viteve 2017 dhe 2018. Por sipas mendimit të Bözdoganit, shpenzimet e përmuajshme për çdo student nuk mbulohen dot. Sipas të dhënave të Zyrës turke të Statistikave, shpenzimet për qiranë, ujin, rrymën elektrike dhe ngrohjen çdo vit janë rritur me 24 përqind. Kësaj i shtohet edhe që çmimet për ushqimet bazë janë rritur me 25 përqind të tjera. Një pasojë: shumë studentë nuk janë në gjendje t'i kthejnë kreditë pas studimeve.