1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010909 Türkei Armenien Beziehungen

1 Shtator 2009

Turqia dhe Armenia duan të normalizojnë sërish marrëdhëniet mes tyre, që i ndërprenë nga ana e Turqisë në vitin 1993, kur Armenia pushtoi enklavën kaukaziane të Berg-Karabach-ut.

https://p.dw.com/p/JN8s
Presidenti turk Abdullah Gul, majtas dhe ai armen Serge Sarkisian gjatë një takimi në Erivan (gusht 2008)Fotografi: AP

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në Ankara dhe Erivan, thuhet se brenda gjashtë javësh do të përpilohet një protokoll me synim rivendosjen e marrëdhënive diplomatike.

Ky hap i cili duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dyja vendeve konsiderohet si pikë kyç e të ashtuquajturave "konsultime të brendshme" të cilat u zhvilluan gjatë dy viteve të kaluara me ndërmjetësimin e Zvicrës. Qysh në prill ishte publikuar një roadmap në të cilën ishin skicuar hapat për afrim reciprok.

Turqia dhe Armenia i kanë ndërprerë marrëdhëniet e tyre në vitin 1993. Ato u shkëputën nga ana e Turqisë kur Armenia pushtoi enklavën kaukaziane të Berg-Karabach-ut, për të cilën ka pretendime edhe Aizerbajxhani. Ankaraja ndan të njëjtat pikëpamje me kryeqytetin Baku dhe e quan këtë hap në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë tema më e rëndësishme në mes të dy shteteve mbetet përpunimi i së kaluarës. Erivani këmbëngul që vrasjet masive të armenëve në Perandorinë e atëhershme Osmane të pranohen si gjenocid ndërkohë që Ankaraja kundërshton. Në Ankara ngjarja historike trajtohet si 'trazira në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane'. Ndërkohë që Turqia flet për 300 mijë të vdekur, Armenia thotë se bëhet fjalë për 1.5 milionë.

Në afrimin mes Turqisë dhe Armenisë ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe vizita e presidentit amerikan Barack Obama në Turqi. Në Stamboll presidenti i ri amerikan takoi edhe ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe të Armenisë si dhe homologen e tyre nga Zvicra. Me atë rast Obama tha: "Nuk dua të fiksohem pas pikëpamjes sime por pas asaj të armenëve dhe të turqve. Nëse ata bëjnë përparime dhe përpunojnë po njësoj çështje të vështira si historinë e tyre tragjike atëherë pjesa tjetër e botës duhet të provojë t'i mbështesë ato. Unë vetë dua të jem në këtë mes sa më shumë konstruktiv duke e nxitur me hov këtë zhvillim".

Të dy vendet kanë treguar gatishmërinë për përmirësimin e marrëdhënieve qysh para një viti. Në fillim të shtatorit 2008 Abdullah Güli e pati vizituar Armeninë si president i parë turk. Vizita ndodhi me rastin e një ndeshjeje futbolli për kualifikimin e dy vendeve për Kampionatin Botëror të Futbollit dhe u cilësua si e ashtuquajtur 'diplomaci futbollistike'. Gül me këtë rast e ftoi homologun e tij armen Sersh Sarkisjan që të ndjekin bashkarisht ndeshjen e kthimit në Turqi. Dhe kjo ndeshje luhet më 14 tetor pra pas gjashtë javësh, që do të thotë ndryshe: pas kalimit të afatit të kumtuar sot për përpilimin e një protokolli me synim rivendosjen e marrëdhënive diplomatike.

Autor: Ulrich Pick/ Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani