Turizmi mjekësor në Davos ngre çështjen e kulturës së punës në korporata | Bota | DW | 22.01.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Turizmi mjekësor në Davos ngre çështjen e kulturës së punës në korporata

Davos ka qenë shumë i njohur nga pacientët me tuberkuloz, që shkonin atje për t'u shëruar me ajër të pastër dhe male me diell. Pacientët që shkojnë sot në Davos kanë sëmundje moderne si burnout dhe depresion.

Davos - i njohur si vend që pret elitat botërore, e ka marrë famën falë një doktori gjerman. Alexander Spengler, ishte ai që e vuri fshatin e vogël bujqësor në qendër të vëmendjes së botës në vitet 1860. Sprengler vuri re, se klima e fshatit i bënte njerëzit diqysh imunë kundrejt tuberkulozit, një sëmundje në atë kohë vdekjeprurëse që ishte duke bërë kërdinë në Europë.

Kur fjala u përhap gjithandej, Davosi filloi të joshte pacientët që vinin nga e gjithë Europa. Numri i spitaleve u rrit, shumë prej tyre i shërbenin të huajve të pasur, që shpenzonin para të shumta për të qëndruar. Kjo shënoi fillimin e romancës midis Davosit dhe pasurisë e famës. Ndër të parët që qëndruan në Davos ishin krijuesi i Sherlock Holmes, Arthur Conan Doyle, i cili shoqëroi të shoqen që u trajtua nga tuberkulozi, novelisti Robert Louis Stevenson dhe gjermani Thomas Mann, të cilët po ashtu erdhën për të trajtuar bashkëshortet.

Schweiz Schatzalp bei Davos (picture-alliance/dpa/T. Muncke)

Schatzalp Hotel është hapur më 1900 si sanatorium për të sëmurët nga mushkëria. Thomas Mann e përshkruan atë në "Mali magjik".

Sot, Davosi nuk është më vend i preferuar për pacientët e sëmurë me tuberkuloz dhe i ka kthyer sanatoriumet në hotele luksoze si Hotel Schatzalp, që mendohet të jetë sanatoriumi që Mann e përshkruan në novelën e tij "Mali magjik".

Burnout dhe depresion

Por pacientët nuk e kanë braktisur krejtësisht rezortin alpin, vetëm sëmundja e tyre ka marrë një formë tjetër moderne. Davos dhe disa qytete fqinjë janë duke parë rritjen e numrit të pacientëve që vuajnë nga burnout dhe depresioni. "E veçanta e Davosit janë malet, është kontakti me natyrën," thotë Michael Pfaff, kryepsikiatri i Clinica Holistica Engiadina. "Mundësia për të qenë në kontakt kaq të ngushtë me natyrën i ndihmon njerëzit të gjejnë sërish ekuilibrin e brendshëm."

Autoritetet turistike të Davosit janë duke bashkëpunuar me spitalet lokale të vendit për të nxjerrë oferta të përshtatshme që të promovojnë nivelin mjekësor të rajonit. Ata kanë ndër mend të organizojnë këtë verë afër Klosters-it një kamp special rehalilitimi për njerëzit që vuajnë nga burnout.

Pjesëmarrësit do të inkurajohen që të kalojnë disa orë në fermën ngjitur, të ushtrojnë sporte të lehta, të ngjiten në mal, i tha DW zënëdhësi i shtypit të departamentit të turizmit në Davos. "Ka shumë njerëz që punojnë shumë dhe konsumohen krejtësisht e sëmuren nga burnout. Ata kërkojnë të gjejnë një vend për rehabilitim, me ajër të mirë dhe pa strese," thotë ai.

Schweiz BG Davos | Übersicht im Frühling (picture-alliance/robertharding/R. Moiola)

Davos në pranverë

Manaxherët e nivelit të mesëm më të prekurit

Klinika e Pfaff-it, jo shumë larg nga Davosi, është i vetmi spital në Zvicër që trajton pacientë të sëmurë nga stresi kronik. Klinika me 55 shtretër është e mbushur plot e përplot gjithë vitin. Pacientët vijnë këtu larg nga Gjermania duke u ankuar për dhimbje trupore, depresione, shqetësime psykosomatike, ankth. Pjesa më e madhe e tyre janë menaxherë të nivelit të mesëm, për të cilët Pfaff thotë se janë të mbytur me punë në zyrat ku punojnë.

"Kur hapëm këtë klinikë dhjetë vjet më parë, thamë se do të jetë një vend për top manaxherat që do kenë nevojë për wellness ose një gotë verë në darkë," thotë Pfaff. "Por pamë që nuk janë menaxherët e lartë që vijnë, por janë njerëz nga nivele të larta dhe të mesme manaxhimi. Ata duket se kanë presionin më të madh."

Sipas Pfaff fajtorët më të mëdhenj janë kompanitë në sektorin e financave dhe të sigurimeve, të cilët vazhdojnë t'u bëjnë presion punonjësve që të punojnë orë të gjata pune dhe në kushte plot stres duke i joshur me pagesa të mëdha. Pjesa më e madhe e pacientëve të tij vijnë nga Zyrihu, kryeqyteti financiar i Zvicrës.

Weltwirtschaftsforum 2020 in Davos | Ausblick über Davos (DW/M. Kasper-Claridge)

Davos në dimër

Burnout - rrezik në rritje

Organizata Botërore e Shëndetit (WHO), e cila e ka klasifikuar burnout si sëmundje të mirëqënë ka vlerësuar, se një në pesë fëmijë ose adoleshentë dhe një në katër të rritur do të preket një herë në jetën nga burnout.

Në Gjermani numri i të sëmurëve që kanë lidhje me sëmundjet mendore është trefishuar që nga viti 1997. Në Zvicër, është rritur më shumë se 50 përqind në shtatë vitet e fundit. Një sondazh i Gallupit tregon se 25 përqind e të punësuarve ndihen të jenë "djegur" në punë shumë shpesh, ose gjithmonë. Ekspertët thonë se gratë janë më të ndjeshme të preken nga kjo sëmundje se sa burrat.

Një studim i bërë më 2018 tregon se në vitin 2030 sëmundjet mendore do i kushtojnë ekonomisë globale 14, 4 trilionë euro. Duke patur parasysh rritjen e numrit të depresioneve dhe burnout, ekspertët thonë se kompanitë nuk po bëjnë sa duhet për ta trajtuar problemin.

Kjo është arsyeja pse shëndeti mendor është një nga pikat kryesore të cilit World Economic Forum i kushton disa sesione.

"Unë nuk po them se kompanitë, organizatat dhe manaxherët duhet të kthehen në terapistë, por ajo që duhet të bëjmë ne më shumë si shoqëri është të kuptojmë se sistemi ekzistues ka ndikim në shëndetin mendor të të punësuarve," thotë për DW, Peter Varnum nga Forumi Ekonomik Botëror. "Ne si punëdhënës duhet të promovojmë shëndetin mendor të punonjësve tanë, sepse studimet kanë treguar se kjo jo vetëm bën që punonjësit të jenë më produktiv dhe eficientë, por edhe sepse kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë."