Turbulenca në Partinë Socialdemokrate gjermane & Trazirat në Francë | Studimi në Gjermani | DW | 06.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Turbulenca në Partinë Socialdemokrate gjermane & Trazirat në Francë

Trazirat vazhdojnë në Paris

Trazirat vazhdojnë në Paris

Turbulencat në gjirin e lidershipit të socialdemokratëve gjermanë pas dorëheqjes së kryetarit të SPD Myntefering kanë ngjallur shqetësim jo vetëm brenda Gjermanisë. Por komentuesit e huaj vlerësojnë në përgjithësi pozitivisht emërimin e kryeministrit të landit të Brandenburgut Placek kryetar të ardhshëm të SPD. Një tjetër temë në shtypin ndërkombëtar të javës që po lëmë pas janë trazirat që vazhdojnë në Francë.

Mbi situatën në Gjermani gazeta 'Der Standard' që del në Vjenë, mendon: "Edhe pse gëzon popullaritet, drejton në Potsdam një koalicion të madh dhe ka përvojë në menaxhimin e krizave, Matias Placek është një zgjidhje emergjence. Nuk ka dyshim se ai ka brumin e duhur për kryetar partie dhe nuk është e gabuar ta shohësh si shpresën e partisë. Por momenti dhe mënyra e marrjes së postit nuk janë optimale. Placek nuk ka mundësi zgjedhje, ai duhet të marrë në duar fatet e SPD."

Gazeta franceze 'Le Monde' mbi të njëjtën temë shkruan: "Vendimi për Matias Placek si kryetar i ardhshëm i SPD duhet ta qetësojë Angela Merkelin. Placek ashtu si ajo vjen nga Gjermania lindore. Placek ka më shumë gjasa të kujdeset që para së gjithash partia e tij të mbështesë koalicionin e madh."

Në gazetën 'New York Times' lexojmë: "Ajo që ndodhi ishte një shuplakë e rëndë por pasuesi në postin e kryetarit të partisë, Matias Placek, duket se është i aftë të marrë këtë detyrë. Rezultati megjithatë është që gjashtë javë pas zgjedhjeve parlamentare vendi më i madh i BE-së nuk është ende i aftë të qeveriset dhe nuk ka asnjë ide se çfarë do të ndodhë më tej."

Në përfundim nga shkrimet rreth situatës politike në Gjermani citojmë nga gazeta italiane 'Il Messagero':"Kriza politike e Gjermanisë e cila pas zgjidhjes së konfliktit mes Gerhard Shrëderit dhe Angela Merkelit dhe me fillimin e negociatave për një koalicion të madh dukej thuajse e kaluar gjendet tani përsëri në det të trazuar. Situata është e pasigurtë dhe konfuze, pasojat të paparashikueshme."

Ndryshojmë temë. Në Francë të rinj huliganë, kryesisht nga familje imigrantësh afrikanë, i vunë zjarrin natën e së shtunës më shumë se 750 makinave.

E përditshmja norvegjeze 'Aftenposten' shkruan kështu mbi trazirat pa fund në Francë:"Deri tani qeveria franceze nuk ia ka dalë të ndalojë serinë e shkatërrimeve dhe vënieve të zjarrit. Ato po hyjnë në javën e dytë. Megjithatë ka pak arsye të dyshosh se autoritet do të vënë dikur nën kontroll trazirat aktuale. Por e pasigurtë është nëse ato do të jenë gjithashtu në gjendje të vënë në lëvizje reforma të brendshme të cilat t'i japin hov të ri ekonomisë dhe të krijojnë vende të reja pune dhe kështu perspektiva për të ardhmen për ata që tani shprehin me shkatërrime nëpër rrugë mllefin e tyre."

Gazeta zviceriane 'Basler Zeitung' mendon se në këtë situatë të dyja palët janë humbëse dhe shkruan:"Poshtërimi me ngjyra raciste i një pjese të rinisë nuk duhet të jetë çmimi për pak më shumë siguri. Në Klishi në vend të provokimeve të reja pritej një kërkim faljeje dhe një arsye qoftë edhe modeste për shpresë. Por xhesti i shumëpritur nuk erdhi. Tani janë nxitësit e situatës ata që drejtojnë në periferi. Në këtë matje forcash askush nuk mund të fitojë, aq më pak të rinjtë të cilët e shprehin dëshpërimin e tyre me akte vandalizmi."

Ndërsa gazeta 'Liberation' që del në Paris mendon: "Të rinjtë huliganë ndiejnë urrejtje për ministrin e brendshëm Nikolas Sarkozi, por sulmojnë në rradhë të parë vetveten. Me revoltën e tyre ata vetëm sa përkeqësojnë gjendjen. Tragjike. Mjeti më i mirë për t'i shprehur mendimin e tyre ministrit të brendshëm do të ishte të rregjistroheshin në listën e zgjedhësve dhe të merrnin pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007. Por kjo mënyrë racionale të vepruari kërkon një integrim të cilin ata e refuzojnë."

  • Data 06.11.2005
  • Autor Susane Eickenfonder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art0
  • Data 06.11.2005
  • Autor Susane Eickenfonder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art0