1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tryezë e rrumbullakët për zbardhjen e rasteve të keqtrajtimit të fëmijëve

25 Mars 2010

Opinioni gjerman tronditet herë pas here nga raste të reja të abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve. Fjala është për fëmijë të shtëpive të fëmijës, nxënës dhe konviktorë... Qeveria tani ngriti një tryezë të rrumbullakët.

https://p.dw.com/p/MbrQ
Ministret Annette Schavan, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger dhe Kristina Schröder - së bashku kundër dhunësFotografi: picture alliance/dpa

Para afro shtatë javëve u bënë të ditura një sërë rastesh abuzimesh seksuale në një kolegj jezuit në Berlin. Që atëherë nuk ka të sosur vala e denuncimeve për pedagogë dhe priftërinj. Agjensia gjermane e lajmeve ka numëruar që prej janarit vetëm për institucionet katolike 250 raste të dyshimta. Tronditja e shoqërisë është e madhe dhe prandaj edhe qeveria ndodhet nën presion të madh, për të vepruar. Për këtë arsye kancelarja Angela Merkel thirri një raund diskutimi, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të ministrisë së drejtësisë, së familjes dhe asaj të arsimit.

"Dhe prandaj jam e gëzuar, që të tria ministret, zonja Leutheuser-Schnarrenberger, Kristina Schröder und Annette Schavan krijojnë së bashku një forum diskutimi, me të prekurit, me institucionet prej të cilave bëhen të njohura rastet, që të vështrohet edhe në të kaluarën, edhe në të ardhmen", tha ajo.

Do të trajtohen aspekte të ndryshme

Dossierbild Kabinettsitzung Missbrauchskandal
Kristina Schröder, ministre e FamiljesFotografi: AP

Tryeza e rrumbullakët do të trajtojë një sërë aspektesh të problematikës së keqtrajtimit, deklaron ministrja e Familjes, Kristina Schröder.

"Kjo tryezë e rrumbullakët nga njëra anë do të përpilojë propozime për parandalimin e rasteve, për shembull çështja se si do të arrihet që të sensibilizohen më mirë fëmijët, prindërit, dhe personeli i specializuar për këto çështje. Së dyti, do të bëhet fjalë edhe se si mund të ndihmohen njerëzit me prirje pedofile, të cilët deri tani nuk kanë kryer vepër penale, që të mos bëhen keqbërës", shpjegon Schröder.

Krahas ministreve do të marrin pjesë edhe 40 përfaqësues të tjerë të kishave, insitucioneve dhe viktimave. Si masë tjetër në luftën kundër abuzimeve seksuale qeveria gjermane cakton një të ngarkuar për keqtrajtimin seksual. Ajo do të jetë Christine Bergmann. Socialdemokratja 70 vjeçare ka emër të mirë, përsa i përket luftës kundër abuzimit me fëmijët dhe ka qenë një herë ministre e Familjes. Kristina Schröder shprehet kështu lidhur me detyrat e të ngakuarës së qeverisë: "E ngarkuara e pavarur e qeverisë zonja Bergmann do të jetë konsulenti i viktimave dhe do të ndihmojë në shqyrtimin e rasteve. Ajo do të paraqesë propozime për ndihmat materiale dhe jo materiale për viktimat."

Abuzimet seksuale së pari në rrethin e familjes

Deutschland Partein die frühere Familienministerin Christine Bergmann
Christine Bergmann, e ngarkuara e posaçmeFotografi: picture alliance / dpa

Ministrja e arsimit Annette Schavan thekson se në punën në kuadër të tryezës së rrumbullakët renditen në radhë të parë nevojat e viktimave. Pastaj duhet parë përtej keqtrajtimeve në kisha dhe në jetimore. "Keqtrajtimi seksual i fëmijëve dhe i të rinjve ndodh në shumicën e rasteve në rrethin e familjes. Pra jo vetëm përqëndrim tek institucionet, te institucionet pedagogjike, por tryeza e rrumbullakët është edhe një rast i mirë për të biseduar me ata që merren me çështjen e keqtrajtimit seksual të fëmijëve dhe të të rinjve në përgjithësi", shpjegon Schavan.

"Kjo është shumë pak", kritikon opozita

Një tryezë e rrumbullakët, përsa i përket konceptit ky është një forum i hapur, një formë diskutimi, që jep mundësi për të biseduar jashtë nga hierarkitë. Kjo është shumë pak, thotë Renate Künast, kryetare e fraksionit parlamentar të të gjelbërve.

Abschlusskundgebung Spitzenkandidatin Die Gruenen fuer die Bundestagswahl Renate Kuenast
Renate KünastFotografi: AP

"Gjithçka është shtyrë tek tryeza e rrumbullakët me dy nëngrupe pune dhe një të ngarkuar për keqtrajtimet. Nuk është e qartë, se kush do të bëjë çfarë, nuk ekziston një pikësynim i qartë dhe nuk i është kushtuar kujdes, që të kërkohet me këmbëngule nga institucionet katolike, institucionet shtetërore, që të sqarojnë vetë, në mënyrë të pavarur rastet."

Pas një muaji (23.4.) tryeza e rrumbullakët do të mblidhet për herë të parë dhe deri në fund të vitit do të paraqiten propozimet e para.

Autor: Heiner Kiesel, Angelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani