Trupa amerikane shtesë në Irak duhet të ndalin skuadrat e vdekjes | Bota | DW | 03.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trupa amerikane shtesë në Irak duhet të ndalin skuadrat e vdekjes

Rumsfeld sheh zhvillime negative dhe pozitive në Irak

Ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld

Ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld

Në përfundim të vizitës së tij të fundit në Irak ministri amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld i karakterizoi si "të kobshme" disa prej zhvillimeve në vend. Sipas tij, përmasat e dhunës midis sunitëve dhe shiitëve janë shqetësuese, por ka edhe prirje pozitive.

Donald Rumsfeld iu shmang komentimit të paralajmërimit të presidentit Xhalal Talabani se irakianët do të ishin vetë në gjendje deri në fund të vitit të kontrollonin sigurinë në të gjitha provincat e vendit. Rumsfeld shprehimisht për këtë:

"Vërejtjen e Talabanit nuk e kam parë, por është e qartë se irakianët, amerikanët dhe ushtarët tanë urojnë që irakianët të vazhdojnë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e vendit të tyre dhe ne të jemi atëherë në gjendje t'i reduktojmë trupat tona në masën e lejueshme. Më shumë nuk kam se ç'them për këtë."

Përballë valës së fundit të dhunës SHBA e kanë forcuar përkohësisht praninë e trupave të tyre në kryeqytetin Bagdad nga 7.000 në më shumë se 10.000 vetë. Detyrën e tyre shefi i shtabit të përgjithshëm, Peter Pace e përshkroi kështu:

"Ata duhet të veprojnë kundër skuadrave vrastare që sillen rrotull, rrëmbejnë dhe vrasin njerëz të pafajshëm. Masa është reagim ndaj rritjes së re të dhunës në kryeqytet. U desh të veprohej shpejt, por herët e vonë këto trupa do të kthehen në atdhe."

Atentatet e fundit me bomba në Irak janë për të ardhur keq, tha Rumsfeld, por ai e la të hapur nëse vendi po i afrohet në këtë mënyrë luftës civile:

"Ka gjëra që do të donim të mos ndodhnin. Ka largime të shiitëve nga rajonet sunite dhe anasjelltas. Ka njerëz që largohen nga Iraku për të qenë të sigurt gjetiu. A është vendi në prag të luftës civile? Mund të hapim enciklopedinë dhe të vendosim. Luftë civile në kuptimin klasik nuk është deri tani."

Rumsfeld shtoi se qeveria e kryeministrit Nuri el Maliki vepron siç duhet duke synuar procesin e pajtimit midis sunitëve dhe shiitëve. Ai theksoi se në Irak ka edhe zhvillime pozitive.

"Monedha është mjaft e qëndrueshme. Shkollat dhe spitalet janë të hapura. Njerëzit funksionojnë, kur fluturon mbi vend i sheh të punojnë në fusha, të mbajnë radhën për benzinë. Pamjet janë të ndryshme."

Ndërkohë ushtria amerikane pothuajse e ka përfunduar hetimin e masakrës së supozuar të trupave amerikane në qytetin irakian Haditah. Raporti hetimor që para publikimit po verifikohet tani nga gjenerali në komandë i trupave amerikane në Irak Casey përmban 3.000 faqe dhe pohon një pjesë të akuzave. Në Haditah trupat amerikane thuhet të kenë vrarë në një masakër në nëntor të vitit të kaluar 15 civilë.

  • Data 03.08.2006
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKk
  • Data 03.08.2006
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKk
Reklamë