1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump kërkon tërheqjen e ushtarëve rusë nga Venezuela

28 Mars 2019

Rusia mbështet kreun e shtetit, Nicolas Maduro, ndërsa SHBA presidentin e përkohshëm, Juan Guaido. Lufta për pushtet në Venezuelë është edhe një luftë mes dy superfuqive.

https://p.dw.com/p/3FnOC
USA, Washington: Treffen zwischen Pence, Trump und Fabiana Rosales
Fotografi: Reuters/C. Barria

Në dhjetor të vitit të kaluar Rusia dërgoi dy avionë bombardues në Venezuelë, atyre u janë shtuar së fundmi edhe dy avionë ushtarakë. SHBA e sheh me shqetësim prezencën ruse në këtë vend dhe kërkon tërheqjen e njësive ruse. Pas takimit me Fabiana Rosales, bashkëshorten e presidentit të përkohshëm venezuelan, Juan Guaido, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se "Rusia duhet të dalë jashtë prej aty."

Më parë edhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence kishte deklaruar, se vendosja e ushtarëve rusë në Venezuelë është provokim. Rusisë i kërkohet të ndërpresë çdo lloj mbështetjeje për presidentin në post, Nicolas Maduro. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur, se nuk do të bëjmë sehir, kur Rusia shton tensionet në Venezuelë.

USA, Washington: Treffen zwischen Pence, Trump und Fabiana Rosales
Trump dhe Fabiana Rosales , 27.03.2019Fotografi: Reuters/C. Barria

Moska nga ana e saj e hodhi poshtë kërkesën e Trump dhe e quajti "përzierje në çështjet e brendshme të dy vendeve". Trump do t'i parashkruajë Rusisë se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë të lerë, tha kreu i komisionit parlamentar në Këshillin e Federatës, Konstantin Kosatçov për agjencinë Interfax. Sipas të dhënave të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Sacharova, vendosja e ushtarëve në Venezuelë është pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve për bashkëpunimin ushtarak. Ajo është "në përputhje të plotë" me kushtetutën venezuelane.

Trump: Të gjitha opcionet në tavolinë

Rusia mbështet Nicolas Maduron. Kundërshtari i tij, Juan Guaido mbështetet nga SHBA dhe afër 50 shtete të tjera edhe shtetet europiane që e njohin Guaido si president të përkohshëm. Lufta për pushtet u ashpërsua, pasi Guaido u vetëshpall president i përkohshëm. SHBA përpiqet prej javësh të detyrojnë Maduron për dorëheqje. I pyetur, nëse SHBA do ta rrisin edhe më tej presionin, Donald Trump u përgjigj se "të gjitha opcionet janë në tavolinë."

	Stromausfall in Venezuela
Një venezuelan shtyn një fuçi me ujë, jo vetëm rryma elektrike edhe uji mengon në VenezuelëFotografi: Reuters/M. Quintero

Ndërkohë Guaido ka paralajmëruar protesta të reja të mëdha. Ai bëri thirrje për një protestë masive të shtunën kundër ndërprerjes së energjisë elektrike në vend që gati e paralizoi vendin një javë. Maduro ka bërë përgjegjës SHBA për sulme kibernetike, kurse kundërshtarët e tij bëjnë përgjegjëse mungesën e investimeve në infrastrukturë, korrupsionin dhe keqmenaxhimin e burimeve si shkaktare të krizës në vend. Ndërkohë popullsia venezuelane po braktis masivisht vendin. Më shumë se 3 milionë venezuelanë janë larguar ndërkohë nga vendi.

 

 

la/cve/kle (dpa, afp)