Trump do të dërgojë ushtarë shtesë në Poloni | Bota | DW | 13.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Trump do të dërgojë ushtarë shtesë në Poloni

Presidenti polak, Andrzej Duda arriti një sukses prestigjioz në vizitën e tij në Uashington. Presidenti Trump është shprehur për dërgimin e 2000 ushtarëve shtesë në Poloni. Me gjasë një pjesë do të merren nga Gjermania.

Polonia po ndërton me shpenzimet e veta një bazë ushtarake për rreth 1000 ushtarë amerikanë, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump. "Qeveria polake do të paguajë", tha Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin polak, Duda në Shtëpinë e Bardhë. Sipas të dhënave të Dudas, në Poloni janë të stacionuar aktualisht 4.500 ushtarë amerikanë. Para konferencës për shtyp, Trump kishte thënë, se planifikohet rritja e numrit të trupave amerikane në Poloni, e bëhet fjalë për 2000 ushtarë, por një vendim përfundimtar për këtë nuk është marrë.

Trump theksoi, se nuk do të dërgohen trupa shtesë nga SHBA, por do të lëvizen trupat brenda Europës, nga Gjermania apo vende të tjera. Trump lëvdoi Poloninë, si vend që përmbushn objektivin e përcaktuar nga NATO, që 2% e prodhimit të brendshëm bruto të jepet si shpenzim për mbrojtjen. Gjermania nuk po lëviz aq shpejt drejt këtij qëllimi, u ankua Trump. Vërtet shpenzimet gjermane për mbrojtjen kapin vetëm 1,37% të prodhimit të brendshëm bruto. Deri në vitin 2014 shpenzimet do të arrijnë1,24%.

Avionë luftarakë mbi Shtëpinë e Bardhë

Për të nderuar presidentin polak, Trump lejoi fluturimin e avionit luftarak F-35 mbi Shtëpinë e Bardhë. Trump tha se Polonia ka porositur "32 apo 35" avionë të këtij tipi. Ai e cilësoi avionin luftarak F-35 si avionin më të mirë luftarak të botës. Duda ka shprehur dëshirën edhe për një bazë të përhershme amerikane në Poloni, të cilën ai në nderim të Trumpit do t'i vinte emrin "Fort Trump". Trump tha në konferencë shtypi, se Polonia kërkon të ngrejë një bazë ushtarake me "të klasit botëror."

Prej kohësh qeveria polake përpiqet të rrisë numrin e trupave amerikane të stacionuar në vendin e saj. Shumë polakë e shohin SHBA si fuqi mbrojtëse kundër kërcënimit rus, që ndjehet fuqishëm në krahun lindor të NATO-s që nga kriza e Ukrainës. NATO reagoi pas luftës në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia me stacionimin e 4000 trupave në Poloni dhe tre vendet balltike. Batalioni i NATO-s në Poloni drejtohet nga SHBA.

Trump shprehu kritika ndaj Gjermanisë edhe lidhur me gazsjellësin e kontestuar Nordstream2 që do të sillte gaz nga Rusia në Gjermani. I pyetur për sanksione lidhur me Nordstram2, ai tha se po e shikojmë dhe se po mendoj për këtë. "Ne e mbrojmë Gjermaninë nga Rusia, dhe Rusia merr kushedi sa miliarda dollarë nga Gjermania." Ai paralajmëroi, se Gjermania krijon varësi nga Rusia me këtë gazsjellës. Nordstream2 do të sillte gaz nga Rusia në Gjermani duke mënjanuar Poloninë dhe Ukrainën. Trump dhe Duda janë kundër projektit të gazsjellësit.

Shteti ligjor në rrezik?

Trump e mori demonstrativisht në mbrojtje qeverinë polake kundër akuzave se po rrënon shtetin ligjor. "Nuk jam aspak i shqetësuar", tha ai i pyetur, nëse ka shqetësim për hapa pas të demokracisë në Poloni. "Nuk ka probleme me demokracinë në Poloni. Gjithçka është e shkëlqyer."

BE kritikon prej kohësh gjendjen e sistemit të drejtësisë në Poloni dhe flet për një ndikim sistematik të qeverisë ndaj gjykatësve. Komisioni i BE hapi disa procedura ligjore për shkeljen e marrëveshjeve dhe ka ngritur akuzë para Gjykatës Europiane. Në fund të vitit 2017, KE filloi një procedurë kundër qeverisë polake për verifikimin e shtetit ligjor në bazë të nenit 7 të marrëveshjeve europiane.

 

 

la/kle/gri/(dpa,ape, rtr,afp)