1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mjedisi është i yni

23 Nëntor 2019

Nga kërkimi i përbindëshit të Liqenit të Prespës deri tek takimi frymëzues me peshkatarin, Lazo Kyriako, shqiptarit që jeton për 30 vjet në Greqi dhe fliste të tre gjuhët e skuadrës së Balkan Booster-ave

https://p.dw.com/p/3TYZ3
Lorin Ladiu, Efterpi Mouzakiti und Petar Dogovr
Fotografi: DW

Efterpi Mouzakiti: Kuptuam që na bashkojnë shumë gjëra 

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, tre vende fqinje që kanë pasur periudha të vështira mes tyre. Me Lorinin dhe Petarin, udhëtuam në kufijtë e të tre vendeve, në Liqenin e Prespës. Përmes bashkëpunimit me kolegë nga vendet fqinje  kuptova se ne ndajmë jo vetëm stilin e jetës dhe problemet, por gjithashtu ndajmë të njëjtin vizion për të ndryshuar perceptimin negativ të Ballkanit. Personalisht, që kur isha fëmijë kur njerëzit i referoheshin vendeve të Ballkanit, ata i jepnin një konotacion negativ fjalës. Sidomos në Greqi, njerëzit kanë tendencë të hedhin poshtë identitetin e Ballkanit që na karakterizon, dhe përcaktohen vetëm me identitetin evropian. Por përmes përvojës në Balkan Booster unë kuptova se me fqinjët e Ballkanit shumëçka na bashkon: kultura, mënyrën e jetës, muzika, mentaliteti, por edhe problemet me të cilat përballemi, të cilat janë shumë të ndryshme nga ato të perëndimit.

Më bëri përshtypje historia e pashkatarit Lazo Kyriako, ai ishte me origjinë nga Shqipëria, por jetonte në Greqi që prej 30 vjetësh, në rajonin e Prespës, dhe fliste në të tre gjuhët tona, greqisht, shqip dhe maqedonisht. Ishte sikur skuadra jonë të kishte gjetur lidhjen e saj gjuhësore, pasi ai ishte në gjendje të komunikonte me ne të tre, në gjuhët amtare. Në fakt ai dëshironte të komunikonte me ne në të tre gjuhët, pasi nuk fliste anglisht. Mund të them se ishte diçka e veçantë që të tre mund të komunikonim ne tre gjuhë të ndryshme me të njëjtin person, në një fshat të vogël dhe të largët grek.

Lorin Kadiu: Kufijtë ndajnë vetëm tokën

Detyra jonë ishte e thjeshtë, një udhëtim në tre shtete, pesë video në pesë ditë. Sapo i afrohemi zonës së Pustecit, nisim të dëgjojmë muzikë në radio. Çdo herë që ndërronim kanalet e radios dëgjonim një gjuhë të ndryshme, shqip, greqisht apo maqedonisht, por shpesh luanin të njëjtat këngë. Valët e radios nuk ishin e vetmja gjë që udhëtonte dhe shkëmbehej lirshëm përmes kufijve. Njerëzit dhe kulturat shkriheshin gjithashtu përgjatë brigjeve të Liqenit të Prespës. Si të moshuarit në Pustec (Shqipëri), me të cilët mund të komunikoje vetëm në Maqedonisht, ose Lazo, kapiteni shqiptar i varkës që takuam, i cili jetonte prej më shumë se 30 vitesh në Greqi, dhe për pak ditë do të martonte vajzën e tij me një burrë grek.

Në ritmin e ngadaltë të jetës në fshat, ditët kaluan shumë shpejt. Udhëtuam për më shumë se 800 kilometra, duke raportuar mbi menaxhimin e mbetjeve, peshkimin e paligjshëm dhe ruajtjen e shpendëve të rrezikuara. Për të mësuar në fund se kufijtë mund të ndajnë vetëm tokën, por jo problemet që njerëzit hasin në jetën e tyre të përditshme.

Petar Dogov: Duhet t'i nxisim njerëtit të mendojnë për mjedisin

Fillimisht ne kërkonim përbindëshin e Loch Nessit, por gjetëm tema më të rëndësishme për t'u përqëndruar në javën tonë. Nuk ishte shumë e thjeshtë të bësh pesë histori për çështje të rëndësishme mjedisore dhe t'i bësh të gjitha vetëm - nga xhirimet, deri te ndërtimi i ngjarjes dhe të montosh të gjithën në një video. Personalisht më pëlqyen reagimet nga publiku, kishte disa komente konstruktive dhe më e rëndësishmja ishte që nxitëm njerëzit të ndajnë mendime për një temë të tillë. Vetëm me atë që njerëzit fillojnë të flasin për çështje të tilla është një ndyshim për vendet tona.

Shpresoj që shumë të rinj nga Ballkani do të kenë të njëjtën mundësi si unë. Mendoj se ky projekt është një hap i madh për të filluar karrierën në gazetari.

 

 

Autorët:

Efterpi Mouzakiti (Greqi), Petar Dogov (Maqedonia e Veriut) dhe Lorin Kadiu (Shqipëri